LAJMI I FUNDIT:

Lufta gjeopolitike për Arktikun dhe Polin Verior

Gjeopolitika e rajonit të Arktikut është e komplikuar dhe ngërthen interesat, konkurrencën, rivalitetin dhe një lloj lufte intensive për hapësirë, resurse e kontroll mes disa shteteve që rrethojnë Oqeanin Arktik në këtë rajon. Këto shtete janë: Kanadaja, Danimarka (Grenlanda), Finlanda, Islanda, Norvegjia, Rusia, Suedia dhe SHBA.

Rusia ka filluar të bëjë matje në fund të detit dhe ka startuar dy brigada arktike. Danimarka ka shtuar kërkesat territoriale. Norvegjia ka lëvizur forcat ushtarake në veri, kurse Kanadaja bën përgatitje dhe ushtrime ushtarake në rajon. Lufta gjeopolitike për Polin Verior është intensifikuar këto dy vitet e fundit, dhe në qendër të këtyre aktiviteteve e përpjekjeve gjendet Suedia për shkak të territorit të madh dhe pozicionit të saj gjeografik.


Vitin e kaluar anija “studiuese” ruse “Akademik Fjodorov” filloi matjet në fund të detit, në tokën e Franc Josefit në Arktik, në pjesën ku territori rus i afrohet gjeografikisht. Anija akullthyese bërthamore “Rossiya” asiston këtë aktivitet rus në rajon. Brenda 3 viteve të ardhshme rusët planifikojnë të dërgojnë një kërkesë në komitetin e OKB për të përcaktuar ujërat territoriale dhe zonën ekonomike të tyre me pretendime për ta zgjeruar atë.

Këto provokime ruse kanë nxitur Danimarkën të huazojë akullthyesen “Oden” nga Suedia për të bërë matje në fund të detit, në përgjigje të aktiviteteve dhe kërkesave ruse (shtator 2011). Danimarka ka një kontekst tjetër me Kanadanë për hapësirë detare dhe një ishull. Danimarka planifikon që më së voni deri më 2014 të dorëzoj kërkesën e saj për rreth 150 mijë kilometra katrorë hapësirë oqeanike, po ashtu në komitetin përkatës të OKB-së.

Në këto hapësira llogaritet të ketë shumë naftë, gaz, minerale dhe peshq. Institucioni amerikan gjeopolitik (US Geological Survey) vlerëson që rreth 30 për qind e gazit natyror dhe 13 për qind e naftës ende të pazbuluar gjendet në këtë zonë, në Arktik. Autokrati Vladimir Putin deklaronte me atë rast se “Rusia ka kërkesa territoriale në atë zonë dhe do të mbronte interesat gjeopolitike në mënyrë të vendosur dhe konsekuente”.

Disa javë më vonë rusët bënë publike faktin që do të formonin dy brigada arktike me rreth 10 mijë ushtarë.

Kanadaja ka bërë ushtrime ushtarake më 2011 me 1000 ushtarë dhe planifikon të bëjë ushtrime ushtarake në atë zonë edhe më tej. Norvegjia në anën tjetër ka zhvendosur qendrën e komandës ushtarake dhe një pjesë të madhe të resurseve në Bodo, pra në Arktik. Norvegjia është shteti i vetëm në këtë zonë që ka të caktuar kufijtë e zonës ekonomike përmes komitetit CLSS (që merret me çështje të tilla) të OKB-së. Por, Norvegjia ka një kontekst të pazgjidhur me Rusinë për një zonë të gjerë që ata e kanë shpallur zonë të mbrojtur për peshkim, por këtë nuk e njeh Rusia.

SHBA ka kontekste territoriale me Kanadanë p.sh. në zonën detare Beaufort, si dhe me Rusinë që kanë mospajtime për hapësirën e Beringut.

SHBA nuk iu ka bashkangjitur ende Konventës për të drejtën detare. Flota amerikane studion vazhdimisht këtë zonë dhe ka treguar interesim të veçantë, por kanë një mungesë të akullthyesve të nevojshëm në zonën e tyre të gjerë.

Por, përveç aktiviteteve ushtarake dhe manovrave ekziston edhe një bashkëpunim mes këtyre shteteve. Norvegjia dhe Rusia p.sh. më 2010 zgjodhën një kontekst në zonën kufitare në Detin e Barentsit. Po ashtu ekziston edhe një Konventë për të drejtën detare që nga viti 1982 nga OKB (CLSS) dhe institucione që duhet të zgjidhin kontekste të tilla mes shteteve.

Organizata Greenpeace – që lufton për ambient të pastër – ka kritikuar këto aktivitete ushtarake dhe vendosjen e resurseve ushtarake për hulumtime të naftës afër Grenlandës, duke thënë se një katastrofe eventuale do të ishte fatale për ambientin dhe gjallesat përreth.

Ky rivalitet kishte rifilluar kur më 2007 rusët me një mini-nëndetëse në akullin e Polit Verior kishin vendosur flamurin rus si simbol për pretendimet territoriale ruse në këtë hapësirë detare. Pastaj, kanë pasuar reagimet dhe përgjigjet e shteteve të tjera që janë intensifikuar sidomos këto dy vitet e fundit.

Konventa për të drejtën detare e OKB-së, UNCLOS, përfshin të gjitha detet dhe oqeanet dhe është pranuar nga shumë shtete më 1982. Kjo konventë iu jep të drejtë shteteve për ujërat dhe hapësirën territoriale deri në 12 milje detare nga pjesa bregdetare/tokësore. Atje vlejnë të drejtat e njëjta sikurse në territorin tokësor. Përveç kësaj, të gjitha shtetet kanë të drejtë edhe për 200 milje detare/apo nautike, si zonë ekskluzive ekonomike (nëse deti është aq i gjerë përndryshe të ndajnë territoret eventuale në baza të barabarta).

Në zonën përkatëse shtetet kanë të drejtën për peshkim dhe sigurim të energjisë, si dhe kanë përgjegjësi për ambientin dhe mbrojtjen e tij. Roli i komitetit të OKB-së është që të ndihmojë shtetet që të kuptojnë dhe zbatojnë konventën me qëllim të përdorimit të resurseve detare në një ambient pa konflikte dhe duke ndihmuar në ruajtjen dhe respektimin e ligjeve ndërkombëtare në dete dhe oqeane.

Këshilli i Arktikut është një organizatë bashkëpunuese e 8 shteteve anëtare, si SHBA, Rusia, Kanadaja, Norvegjia, Danimarka, Suedia, Finlanda dhe Islanda, si dhe përfaqësuesit e popujve indigjenë në atë rajon. Çështjet dhe kontekstet e Arktikut kanë të bëjnë me zona dhe territore të gjëra, janë komplekse dhe për këtë kërkohet bashkëpunim, bisedim dhe zgjidhje kompromisi për të evituar konfliktet eventuale mes shteteve të ndryshme në të ardhmen. Kjo ishte ideja e themelimit të këtij këshilli, që ka pasur rezultate shumë të kufizuara në zgjidhjen e konteksteve për ujërat territoriale dhe për hapësirën detare.

Disa ekspertë e shohin Këshillin e Arktikut si një prej organizatave që do të mund të zgjidhte këto kontekste. Të tjerët janë skeptikë dhe shpresojnë që kjo konkurrencë e ashpër të mos jetë e njëjtë edhe për Antarktik dhe që shtetet e involvuara të mendojnë për çështje të tjera përveç interesave të tyre shtetërore – siç thonë ata.

Gjeopolitika në Ballkan ka të bëjë me interesa strategjike, të paqes dhe sigurisë si dhe lirive njerëzore, pas atyre luftërave të tmerrshme që ndodhën për shkak të tendencave serbe për dominime nacionaliste dhe ndryshime gjeopolitike. BE ka interesa të ketë paqe, siguri dhe zhvillim ekonomik si dhe të integroj rajonin e Ballkanit brenda unionit në plan afatmesëm. NATO, sikurse edhe SHBA, kanë interesa të paqes dhe sigurisë si dhe zhvillimit ekonomik, dhe dëshirojnë të jenë prezent në Ballkan, përveç tjerash edhe për të penguar prezencë tjetër të ndonjë fuqie apo hegjemonie autokratike që do të mund të rrezikonte demokracitë, paqen dhe bashkëpunimin vullnetar mes vendeve të pavarura në baza të barabarta. Por, edhe të pengojë tendencat për kthim të kohërave të Luftës së Ftohtë dhe jostabilitetit e tensioneve eventuale.

Për dallim nga Ballkani, gjeopolitika në Arktik ka të bëjë më shumë me luftë për territore, resurse (gaz, naftë, energji, peshq dhe ujëra territoriale) dhe kontroll në një hapësirë të gjerë që nuk është krejt e definuar se kujt duhet t’i tako. Përqendrimi në njërin rajon apo tjetrin do të mund të ndikonte në rritjen apo rënien e vëmendjes dhe resurseve për njërin rajon në fjalë, qoftë nga SHBA-të apo vende të BE-së, me ndikime eventuale për rajonin tjetër.