LAJMI I FUNDIT:

Lista e ministrave shqiptarë të financave gjatë periudhës 1912-1991, kishte edhe nga Kosova

Lista e ministrave shqiptarë të financave gjatë periudhës 1912-1991, kishte edhe nga Kosova

Përgjatë periudhës 1912-1991, dikasteri i financave është drejtuar nga 31 ministra.

Ministri i parë i Financave në historinë e shtetit shqiptar është Abdi Toptani, ndërsa më jetëgjati është Aleks Verli.

Abdi Toptani


Ka mbajtur detyrën e ministrit të Financave në periudhën 1912 – 1913. Është ministri i parë i financave në historinë e shtetit shqiptar të pavarur. Ka lindur në Tiranë dhe është shkolluar në Stamboll.

Krahas angazhimit në luftën për pavarësimin e vendit, ai luan një rol aktiv në organizimin e shpalljes së Pavarësisë. Abdi Toptani është edhe nënshkruesi i aktit të Pavarësisë.

Azis Pashë Vrioni

Ka mbajtur detyrën e ministrit të Financave në periudhën 22 janar 1914 – 17 mars 1914.

Krahas kësaj detyre qeveritare, Vrioni ka qenë për një kohë të gjatë deputet i parlamentit të Shqipërisë dhe ka drejtuar edhe ministrinë e Punëve Botërore.

Adamidh Bej Frashëri

Ka mbajtur detyrën e ministrit të Financave në periudhën 17 mars 1914 – 03 maj 1914.

U shkollua për mjekësi në Zvicër, ndërsa më pas kryente edhe studime të ndryshme. Do të shërbente fillimisht si mjek i autoriteteve mbretërore në Egjipt dhe Sudan për t’u kthyer më pas në Shqipëri.

Pas dorëheqjes nga detyra e ministrit të Financave ai do të rikthehej në Zvicër e do të vijonte aktivitetin e tij, kryesisht diplomatik ku arriti të bëhej edhe përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve.

Ai do të ishte “Doktor Adhamudhi” i veprës satirike “Pas vdekjes” të Andron Zako Çajupit. Historiani i njohur Kristo Frashëri jep tezën se Çajupi do të bënte personazh satirik të veprës së tij si hakmarrje për një pakënaqësi personale.

Filip Noga

Ka mbajtur detyrën e ministrit të Financave në periudhën 03 maj 1914 – 13 shtator 1914.

Lindi në Shirokë të qytetit të Shkodrës në vitin 1867. Ndoqi studimet në një shkollë tregtare në Austri e pas studimit punoi në sektorin financiar në Stamboll. Pas shpalljes së pavarësisë së vendit në 1912, ai u rikthye në Shqipëri. Ai ishte anëtar i delegacionit shqiptar në nënshkrimin e Traktatit të Londrës.

Ai u nda nga jeta në vitin 1917 gjatë një udhëtimi në Kroaci.

Nexhati Libohova

Ka mbajtur detyrën e ministrit të Financave në vitin 1914 – 1915 në Qeverinë e Esat Toptanit.

Është i pari ministër i vrarë në detyrë në historinë e shtetit shqiptar. Si rrjedhojë e përplasjeve të forta brenda kabinetit e përshkallëzimit të tyre ai do të arrestohej e do të vdiste nga dhuna e ushtruar.

Haxhi Jusuf Banka

Ka mbajtur detyrën e ministrit të Financave në vitin 1915, pas vdekjes së Libohovës.

I lindur në Tiranë, Banka do të shkollohej për ekonomi në Stamboll për t’u rikthyer për të ndihmuar në shpalljen e Pavarësisë së vendit.

Ai ka qenë publicist dhe pronar i disa gazetave të kohës si dhe drejtues banke.

Fejzi Alizoti

Ka mbajtur detyrën e ministrit të Financave fillimisht në vitet 1918 – 1919, për t’u rikthyer në të njëjtën detyrë edhe në vitin 1927 dhe gjatë periudhës së pushtimit të vendit me dy mandate.

I lindur në Gjirokastër, Alizoti do të studionte për ekonomi dhe do të arrinte në funksione të rëndësishme në Perandorinë Osmane e më pas në Shqipëri ku do të arrinte të mbante edhe detyrën e kryeministrit.

Në vitin 1945 do të arrestohej e do të dënohej me vdekje.

Ndoc Çoba

Ka mbajtur detyrën e ministrit të Financave në periudhën 30 janar 1920 – 9 nëntor 1920.

Ai ishte deputet, ministër dhe delegat i Shkodrës në Kongresin e Lushnjës.

Gjatë periudhës 1921 – 1936, kreu detyra të ndryshme shtetërore, ndërsa në vitin 1937 – 1939 qe kryetar i Bashkisë së Shkodrës. Pas Luftës së Dytë Botërore dhe çlirimit të Shqipërisë arrestohet dhe vdes në hetuesi nga torturat.

Tef (Stefan) Curani

Ka mbajtur detyrën e ministrit të Financave në periudhën 9 nëntor 1920 – 11 korrik 1921.

Ai ishte historian e ekonomist. Lindi në Shkodër dhe u shkollua për ekonomi e drejtësi në Vjenë.

Autor i botimit historik të vitit 1898, “T’ndollunat e Shqypnis’ ku trajtohet historia e vendit deri në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Ahmet Dakli

Ka mbajtur detyrën e ministrit të Financave në periudhën 16 tetor 1921 – 12 dhjetor 1921.

Po ashtu, ai ka drejtuar Bashkinë e Elbasanit dhe atë të Durrësit. Ai do të vriste vetën pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri.

Sylejman Starova

Ka mbajtur detyrën e ministrit të Financave në periudhën 12 dhjetor 1921 – 26 dhjetor 1921 dhe më pas do të rikthehej sërish në krye të këtij dikasteri në 26 tetor 1922 – 2 dhjetor 1922 dhe me 26 tetor 1927 – 11 maj 1928.

Senator dhe ekspert i njohur i ekonomisë dhe financave të asaj periudhe.

Kolë Thaçi

Ka mbajtur detyrën e ministrit të Financave në periudhat 26 dhjetor 1921 – 26 tetor 1922, me 2 dhjetor 1922 – 30 mars 1923, për të vijuar me periudhën 1930 – 1931 dhe 1936 – 1939.

Ai ka qenë anëtar i Senatit të Dhomës së Këshillit Kombëtar të Shqipërisë në vitin 1920. I lindur në Shkodër, ai do të kryente mësimet në kolegjin e jezuitëve dhe do të punonte si mësues për pak kohë.

Krahas detyrës së mësuesit, ai do të mbante detyrën e kryedoganierit të Shkodrës, për të vijuar më pas me zgjedhjen si deputet e më vonë si kryetar i Komisionit të Kontrollit e në fund si ministër i Financave për disa mandate.

Luigj Gurakuqi

Ka mbajtur detyrën e ministrit të Financave në periudhën 30 mars 1923 – 27 maj 1923.

I lindur në Shkodër në një familje tregtarësh të njohur, shkollën fillore e të mesme do t’i kryente në kolegjin saverian, në profilin tregtar. Shkollën e mesme do ta përfundonte në Itali, ashtu sikurse edhe shkollën e lartë, duke u diplomuar për mjekësi. Ishte poet, shkrimtar e gjuhëtar e një ndër hartuesit e firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë.

Ai do të mbante detyra të ndryshme qeveritare e parlamentare ndërsa ishte një nga politikanët më të njohur e të arsimuar të kohës.

Ai do të emërohej ministër i Financave edhe gjatë periudhës së qeverisjes së vendit nga Fan Noli, 16 qershor 1924 deri më 24 dhjetor 1924. Gjatë drejtimit të Ministrisë së Financave, vlerësohet miradministrimi i tij.

Pas shtypjes së Lëvizjes së Qershorit ai do të shkonte në Itali, ku do t’i bëhej një atentat në të cilin mbeti i vdekur. Referuar dëshmive të kohës, pas vrasjes, në xhepat e tij policia italiane do të gjente vetëm 350 lira.

Myfit Bej Libohova

Ka mbajtur detyrën e ministrit të Financave në periudhën 27 maj 1923 – 16 qershor 1924 dhe më 6 janar 1925 – 31 janar 1925.

Ai ka qenë kryeministër i Shqipërisë gjatë një periudhe të shkurtër gjatë viteve 1913 – 1914 ndërsa ka mbajtur detyra të larta shtetërore si ministër i Drejtësisë, ministër i Punëve të Brendshme ministër i Punëve të Jashtme.

Ai është edhe themelues i Bankës së Shqipërisë. Po ashtu, veç politikanit, ai ishte historian dhe shkrimtar i rëndësishëm duke lënë një numër të konsiderueshëm veprash me përmbajtje historike e juridike.

Milto Tutulani

Ka mbajtur detyrën e ministrit të Financave në periudhën 11 maj 1928 – 1930.

I lindur në Berat, ai do të arrinte që të zgjidhej senator në parlamentin e parë shqiptar për të vijuar më pas më detyra ministrore, mes të cilave edhe si ministër i Drejtësisë.

Tutulani ka qenë ekonomist financier e personalitet i administratës së lartë të sistemit financiar e bankar shqiptar.

Lame Kareco

Ka mbajtur detyrën e ministrit të Financave në vitet 1931 – 1934.

Ai lindi në Gjirokastër e do të arsimohej në Greqi për drejtësi. Do të punonte në Bankën e Egjiptit për t’u rikthyer në Shqipëri. Fillimisht ai do të punonte si sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Financave, ndërsa kjo e fundit drejtohej nga Milto Tutulani. Ai do të mbante detyra si kryetar i Komisionit të Kontrollit e më pas do të merrte detyrën ministrore.

Do të zgjidhej deputet i Gjirokastrës dy herë.

Abdurraman Dibra

Ka mbajtur detyrën e ministrit të Financave në periudhën 1934 – 1936.

Dibra, lindi në vitin 1885 në Dibrën e Madhe, ishte politikan shqiptar, ministër i Brendshëm i Shqipërisë, deputet i Dibrës së Madhe dhe ministër i Financave e Ministër i Arsimit i Shqipërisë si dhe për dy javë ministër i Brendshëm.

Studimet e larta i kreu në Stamboll, ku pati miqësi të afërt me Ahmet Zogun që më vonë do të drejtonte vendin.

Pas pushtimit italian, ai nuk do të largohej nga Shqipëria por as nuk do të bashkëpunonte, çka do të sillte internimin e tij në Itali. Me ardhjen në pushtet të regjimit komunist, ai do të dënohej me 10 vite burg por do të vuante vetëm një pjesë të dënimit pasi përfitoi nga një amnisti për shkak të moshës së thyer.

Andon Beça

Ka mbajtur detyrën e ministrit në vitin 1940, për 4 muaj, ndërsa vendi ishte i pushtuar.

Ai ishte një politikan shqiptar i njohur. Gjatë periudhës së pushtimit do të mbante detyrën e ministrit në kabinetin e Shefqet Vërlacit.

Qemal Vrioni

Ka mbajtur detyrën e ministrit të Financave në periudhën janar 1941 – 1941.

Ka ushtruar detyrën e deputetit.

Do të pushkatohej nga regjimi komunist.

Shuk Gurakuqi

Ka mbajtur detyrën e ministrit të Financave nga janar 1942 – 1942.

Lindi në Shkodër e do të arsimohej për ekonomi në Shkollën e Jezuitëve në Shkodër. Fillimisht do të punësohej si mësues e do të merrej me përkthime.

Më pas, në vitin 1910 do të drejtonte një kompani private për të vijuar më pas si arkëtar në doganën e Shkodrës, punonjës në bashki e më pas deputet.

Do të burgosej nga regjimi komunist, fillimisht me burgim të përjetshëm e më pas dënimi iu zbrit në 20 vite.

Periudhën pas burgut kaloi në varfëri të plotë dhe do të merrej vetëm me lexime e punime shkencore.

Kosta Marku

Ka mbajtur detyrën e ministrit të Financave nga 20 shkurti 1943 – 5 qershor 1943.

Sokrat Dodbiba

Ka mbajtur detyrën e ministrit të Financave në periudhën 12 qershor 1943 – 5 nëntor 1944.

Lindi në Elbasan dhe u arsimua për ekonomi në Vjenë. Kthehet në Shqipëri pas studimeve e nis menjëherë punë në Ministrinë e Financave. Drejton revistën “Ekonomisti shqiptar”, botim i Ministrisë së Financave në vitet ’30-ta.

Është i njohur akti i tij në mbrojtje të arit shqiptar që e tërhoqi nga Banka Qendrore Italiane, së bashku me makinerinë e printimit të kartëmonedhave.

Gjatë regjimit komunist do të burgosej e do të dënohej me 30 vite burg. Do të ndahej nga jeta ndërsa vuante dënimin në burgun e Burrelit.

Ramadan Çitaku

Ka mbajtur detyrën e ministrit të Financave në periudhën 1945 – 1948.

Ai ishte një politikan shqiptar i pas Luftës së Dytë Botërore, pjesë e kabinetit të Enver Hoxhës. Me origjinë nga Mitrovica, ai do të merrte pjesë në luftën nacional-çlirimtare.

Njihej me pseudonimin “Baca”. Ai kishte qenë student në shkollën e Harry Fultz ndërsa studimet e larta i kreu pas luftës.

Pas detyrës ministrore, ai do të angazhohej në drejtimin e Institutit të Arka-Kursimeve dhe Sigurimeve Shtetërore duke u mënjanuar nga postet drejtuese e duke mbajtur gjithnjë detyra dytësore.

Tuk Jakova

Ka mbajtur detyrën e ministrit të Financave nga viti 1949 deri në vitin 1953.

Lindi në Shkodër. Për shkak të pamundësisë ai kreu vetëm arsimin fillor dhe do të ishte me profesion marangoz.

Me ardhjen në pushtet të regjimit komunist do të emërohej president i sindikatave e më pas do të dërgohej si i ngarkuar me punë në federatën jugosllave. Pas kthimit në Shqipëri në 1948 do të zgjidhej në poste të larta drejtuese partiake e në postë shtetërore si ministër i Financave apo zëvendëskryeministër.

Për shkak të qëndrimeve të tij, në 1951 do të përjashtohej nga partia e do të humbiste funksionet. Do të internohej së bashku me familjen e do të dënohej me 20 vite heqje lirie. Pasi kishte kryer një vit burg, ai do të ndahej nga jeta në rrethana enigmatike.

Abdyl Kellezi

Ka mbajtur detyrën e ministrit të Financave gjatë viteve 1948 – 1956.

Pas çlirimit të vendit do të emërohej drejtues në bankën e shtetit e më pas zëvendësministër i Financave, ministër, zëvendëskryeministër e kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit.

Ka qenë deputet. Është diplomuar për ekonomi. U ekzekutua me pushkatim.

Aleks Verli

Ka mbajtur detyrën e ministrit të Financave në periudhën 1960 – 1973.

Ai ka qenë ekonomist e konsiderohet ministri më jetëgjatë në vend që prej vitit 1912. Pjesëmarrës në luftën nacionalçlirimtare.

I shkolluar në Bashkimin Sovjetik e pas kthimit në Shqipëri merr gradën gjeneral.

Pas çlirimit të vendit, ai do të kryente detyra të rëndësishme në ushtri, në drejtorinë ekonomike e më pas do të mbante detyrën e zëvendësministrit e më vonë të ministrit të Financave.

Lefter Goga

Ka mbajtur detyrën e ministrit të Financave në periudhën 1974 – 1976.

Lindi në Durrës dhe ka ndjekur Liceun e Shkodrës. Pasi arrestohet për bindjet e tij e kryen dënimin, ai bëhet përfshihet në luftë.

Pas çlirimit do të mbante detyrën e zëvendëskryetarit të Kontrollit të Shtetit. Kryen studimet e larta për ekonomi. Krahas detyrave në fushën ekonomike e financiare, ai ka mbajtur detyra të larta si Prokuror i Përgjithshëm apo kryetar asambleje.

Haki Toska

Ka mbajtur detyrën e ministrit të Financave në periudhën 1976 – 1982.

Ai lindi në Gjirokastër. Do të shkollohej për financë në Itali por studimet do t’i ndërpriste për t’u përfshirë në luftë.

Pas luftës, ai do të mbante detyra të larta partiake e madje në njëfarë periudhe do të vlerësohej si pasardhës i drejtuesit të regjimit. Ai do të mbante detyrën e zëvendëskryeministrit.

Ai është ministri i fundit i Financave i kabinetit të drejtuar nga Mehmet Shehu.

Qirjako Mihali

Ka mbajtur detyrën e ministrit të Financave nga viti 1982 – 1984.

Lindi në Korçë më 13 maj 1929. Kreu studimet e larta në Institutin e Naftës në Moskë ku mori titullin Inxhinier Ekonomist.

Pas luftës ai do të mbante detyra të larta si drejtues në ndërmarrjet shtetërore e deri zëvendëskryeministër.

Pas mandatit si ministër i Financave ai do të drejtonte Komisionin e Planit të Shtetit dhe Bankën e Shqipërisë.

Niko Gjyzari

Ka mbajtur detyrën e ministrit të Financave nga 16 shkurti 1984 – 15 korrik 1985.

Lindi në Vlorë më 10 nëntor 1935. Kreu studimet e larta në Fakultetin Ekonomik në Tiranë.

Detyrat e tij më të rëndësishme ishin, zëvendësministër i Financave, ministër i Financave, kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit, ministër Shteti, sekretar i sërgjithshëm pranë kryeministrisë, drejtor dhe zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Bankës së Shtetit Shqiptar.

Andrea Nako

Ka mbajtur detyrën e ministrit të Financave në periudhën 15 korrik 1985 – 22 shkurt 1991.

Lindi në Leskovik më 14 shtator 1934, ndërsa kreu studimet e larta për industri, në Fakultetin Ekonomik në Tiranë.

Detyrat e tij më të rëndësishme ishin, zëvendësministër i Financave, kryetar i Komitetit të Çmimeve dhe Standardeve në Kryeministri, drejtor i përgjithshëm i Bankës së Shtetit Shqiptar, ministër i Financave dhe zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore. /Scan TV/