LAJMI I FUNDIT:

Lëvizja e janarit 1944: 60 mijë franga për të ndaluar pushtetin e komunistëve

Lëvizja e janarit 1944: 60 mijë franga për të ndaluar pushtetin e komunistëve

Çfarë ndodhi në përpjekjen e `44-ës për të ndaluar komunistët?

Është një periudhë e errët në historinë shqiptare, e pazbardhur, e shpesh që ka çuar në debatet më të ashpra midis historiografisë zyrtarë e një realiteti të dokumentuar përmes arkivave. Bëhet fjalë për vitet `40-`44, kur pavarësisht se dëshmitë, dokumentet dhe ngjarjet krijojnë mospërputhje. Për dëshmuesit konsiderohet si periudha më e rrezikuar për fatet e Shqipërisë, që në fakt u dëshmua me vendosjen e regjimit komunist. Ata që e kanë jetuar dhe ata që mbajnë duart larg spekulimeve e konsiderojnë periudhë e “vetëvrasjes së kombit”. Një nga këta dëshmues është Kol Bibë Mirakaj, pjesë e parisë së Pukës, nëpunës, ministër i Brendshëm në qeverinë “Bushati” më 1943.

Periudhën e jetuar prej tij, i angazhuar, e ka dëshmuar në botimin “Vetëvrasja e një kombi”, botimet “Fiorentina”, shoqëruar me parathënien nga vetë autori.


“Vetëvrasje, pse, siç e tregon kronologjia e ngjarjeve, e që do ta provoj me fakte, ka kenë mundësia dhe rrethanat që Shqipnia, me shpëtue pa ra ndër kthetrat e bolshevizimit tiranik. Por, meqë fajin nuk e ka populli, po ata që e gënjyen, që naivisht, i dhanë bishtin spatës, kontribuon vendimtarisht për fitoren e komunizmit në një vend patriarkal, po, në tansinë e tij antikomunist për mënyrë kuptimi, morali dhe jetese e deri për instinkt”, shkruan Mirakaj në parathënie.

Mirakaj shkruan se ndiente nevojën të sillte kujtimet në këtë botim, që brezat të njohin historinë e të mos “gabojë propaganda e gënjeshtarëve që u intereson për të ardhmen”. Mirakaj, siç shkruan, nisi të merrte pjesë në ngjarjet kombëtare qysh në moshën 23-vjeçare, me rastin e zgjedhjeve për Kuvendin e Kushtetutës. Ka qenë mësues në Iballë, Pukë, vendi ku ka lindur.

“E ndjejshëm misionin e mësuesit si mision të shejtë”, shkruan, duke shpjeguar se si fati i jetës, e jo ndonjë paramendim, e bëri t’i hynte politikës, në vitin 1923. Pushtimi italian e gjeti me përgjegjësi politike, shtetërore. Ka ndershmëri të përkorë në rrëfimin e tij, ashtu dhe në mënyrën se si transmeton ngjarjet dhe kronikat e kohës, si histori dhe politikë.

Këtë vëllim që i vjen lexuesit shqiptar në 2014, autori shkruan se e kishte dorëshkrim qysh në vitin 1950.

“Ky vëllim nuk asht histori, por kronikë besnike e ngjarjeve për t’i shërbye mendimit të përgjithshëm shqiptar dhe historianëve të ardhshëm”, shkruan Mirakaj.

Ai punoi si ministër nga maj 1943 deri shtator 1943. Në gusht të 1943-ës, Kol Bibë Mirakaj dha urdhër që të gjithë hebrenjtë të pajiseshin me pasaporta, që të kishin mundësi strehimi në Italinë Jugore, për t’i shmangur nga pushtimi gjerman.

Si ministër i Brendshëm në kohën e pushtimit italian, ai luftoi vullnetarisht për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe u plagos rëndë në të dyja këmbët. Kolë B. Mirakaj mori pjesë në administratën shtetërore-politike gjatë pushtimit gjerman. Ky moment pasqyrohet në pjesën e mëposhtme të marrë nga libri me dëshmi e kronika të kohës, duke kaluar në anën e rezistencës antikomuniste. Më vonë kaloi në Italia, dhe ishte anëtar i Bllokut Kombëtar Indipendent (BKI) në mërgim.

Mirakaj u nda nga jeta në 17 mars të 1968, në New York. Më poshtë kemi shkëputur nga libri, pjesën ku dëshmohet rënia e Italisë dhe ardhja e gjermanëve dhe përballja e qeverisë shqiptare ku Mirakaj ishte një nga protagonistët për të shmangur gjakderdhjen në shtator të vitit 1943.Më poshtëështë një dokumentin i rëndësishëm memuaristik, një përpjekje e fundit për t’u bashkuar forcat nacionaliste kundër rrezikut të vendosjes së regjimit komunist. Një lëvizje, që e fakton Mirakaj, në librin “Vetëvrasja e një kombi” që nisi në janar 1944, por që nga historia nuk pati rezultat.

***

PËRPJEKJET E SYLÇE BEG BUSHATIT,KAPIDANIT TË MIRDITËS GJON MARKAGJONIT,E TË TJERËVE ANTARË TË “GRUPIT INDIPENDENT”

“BESËLIDHJA E SHKODRES”

Nuk jam në gjendje të përcaktoj datën, por dihet se në muejin Janar e kah fillimi i shkurtit 1944, personalitete të Grupit Indipendent, morën nisjativën rishtas, për të mujtë me arrijtë në marrëveshje bashkpunimi me dy partitë tjera, për të përballue rrezikun bolshevik.

I pari bashkfjalim me anën tjetër për këte qellim, u ba në shpinë e Kapidanit të Mirditës në Shkodër, me z. Sali Myftinë, i cili e pëlqei mendimin, e kështu u vendos të vazhdoheshin përpjekjet për t’arrijtë në një mbledhje të gjanë të përfaqsuesëve të tre grupeve.

Mbas pak ditësh mbledhja u ba përsëri në shtëpi të Kapidanit, ku kanë marrë pjesë:

Për Grupin Indipendent: z. Sylço beg Bushati, Gjon Markagjoni, Hafiz Ali Kraja, Shuk Gurakuqi e Maliq beg Bushati.

Për Legalitetin: Ndoc Çoba e Shefqet Muka.

Për Ballin Kombëtar: Mithat Frashëri, Lee Kurti, Jup Kazazi, Vasil Andoni, etj.

U arrijt në rradhimin e nënshkrimin e një protokoli në tri kopje origjinale, për bashkëpunim dhe që asht quejtë:”BESËLIDHJA E SHKODRES”.

U morën vendimet e rastit ndër të cilat ishin këto:

1) ”Beslidhja e Shkodrës” do të mbledhë dhjetë deri në dymbëdhjetmijë vullnetarë të parrogë nga krahinat e Shkodrës: Mirditë, Malësi e Madhe e Rranxa, Pukë, Dukagjin, Ulqin, Malësi e Lezhës e Fusha.

2) Forcat do të mblidhen nga “Besëlidhja e Shkodrës” me karakter kombtar e jo partishë, dhe do të vihën në shërbim të qeverisë për luftën kundër komunizmit. Qendra e këtyne forcave, mbas spastrimit të Shqipnisë së Jugut, do të jetë Tirana.

3) Të ftohën sa ma shpejtë Krenët e Maleve për një mbledhje në Shkodër, sëbashku me Parinë e qytetit. Për këte qellim u dërguen përfaqësues të “Beslidhjes” për çdo Nënprefekturë, për të bisedue me Krenët qellimin e mbledhjes.

4)Të dërgohën tre përfaqësues në Tiranë, për të lutë qeverinë të marrë mbi vete shpenzimet që parashiheshin për mbledhjen e rekrutimin (ushqim, banim etj.). Hafiz Ali Kraja, Ndoc Çoba e Jup Kazazi u dërguen në Tiranë për ti parashtrue Këshillit të Naltë e Qeverisë sa u tha, ndersa, Mithat Frashëri dha premtimin me dhanë përkrahjen e Tij, pranë autoriteteve shtetnore për përmbushjen e këtyne nevojave.

Në bisedimet e para që u banë me Këshillin e Naltë e Kryetarin e Qeverisë, autoritetet në fjalë e pëlqyen nisiativën e Shko- drës, dhe premtuen me vue në dispozicion të “Beslidhjes” mjetet e nëvojshme financiare. Me këte premtim këthehej dërgata e Shkodrës nga Tirana.

Mbas rreth dhjetë ditësh, erdhi në Shkodër antari i kshillit të naltë At Anton Harapi, i cili në mbledhjën e Këshillit të Beslidhjes kërkue nga Ai, bani këte deklaratë: “Jam i ngarkuem prej Këshillit të Naltë e prej Qeverisë tu njoftoj se: Qeveria ka caktue 60.000 (gjashtdhjetmijë) fr.sh. për tu ardhë në ndihmë që të mundeni me ba mbledhjen e Krenëve të Maleve e përgatitjen e forcave; por, për tashti këto forca nuk duhet të mblidhën. Duem prej jush për tashti të na jepni treqindë vetë me i dërgue në Shqipninë e Jugut, për të luftue kundra çetave komuniste. Nëse na jepni këta treqindë vetë, u japim 60.000 frangat, nëse jo, mos pritni ndihmë prej Qeverisë. Kësaj kërkese (absurde) iu përgjegjë Kapidani i Mirditës z. Gjon Markagjoni, me këto terma: “Nuk kemi dalë me shitë njerzë për pare, po kemi dashtë e duem të mbledhim forcat e mjaftueshme e me ua vue qeverisë në shërbim, që në bashkëpunim me forcat nacionaliste të tjerave krahina, e me organet e sigurimit të spastrohet krejt Shqipnia nga rreziku komunist, që e ndiejmë rrezik vdekje për Kombin. Kemi pasë vendosë të spastrohet krejt Veriu

deri në Shkumbin, si fazë e parë, e mandej, sëbashku me forcat nacionaliste të Jugut, me spastrue edhe pjesën tjetër të Shqipnisë deri ndër kufinjtë e Jugut.

Me dërgue vetëm treqindë vetë tash që Jugu ka marrë zjarr, nuk ka tjetër kuptim as nuk jep tjetër fryt veç, “me u çue mish në kasaphanën komuniste”, dhe jo, me shpetue Shqipninë. Këte punë nuk na e lejon shpirti me e ba, që të marrim në qafë treqindë djelmoça”.

Mbas gati një jave, qeveria dërgoi prap në Shkodër Ministrin Musa Gjylbegu, me të njajtat propozime të At A. Harapit, dhe iu dha e njajta përgjegje. Këto pengime të qeverisë e kryesisht të Këshillit të Naltë, vonuen mbledhjen e krenëve në Shkodër, dhe e banë të pamundun mbledhjen e forcave.

Megjithkëto pengesa e ndryshime mendimesh, u ba edhe prova e “treqindë vetëve”. Qeveria ngarkoi major Dod Nikollën të formojë një batalion shetitës nga rrethet e Shkodrës. Beslidhja e Shkodrës i vuni në dispozicjon treqindenjëzet djelmosha të zgjedhun, nja pesëdhjetë nga Malësia e Madhe e të tjerët Mirditas, Pukas e Dukagjinas. Ky bataljon i vogël bani mrekullina derisa u mbajt tok si unitet luftimi, tue i shpartallue çetat komuniste kudo u ndesh me to, e sidomos, në qarkun e Elbasanit. Por bash kur ishte në kulmin e fitoreve, tue përfundue misjonin e vet lumnisht për Kombin deri ku i ishte paracaktue vendi, mori urdhën të shkojë në Vlonë, ku tri kompanitë u ndanë veç e veç në distança të largëta.

Me 26 korrik 1944 një kompani e këtij bataljoni me qendër në Dukaj të Tepelenës rrethohet nga grumbullimi i brigatave komuniste. Ishte tue dalë drita e kompania ishte n’udhtim për tu këthye në qendër të bataljonit, meqë mbas kambnguljes së papreme të major Dod Nikollës, që shihte rrezikun e kjartë të humbjes së njerzëve në këte lloj shpërndamje. Major Doda, kish nxjerrë autorizimin me e mbledhë tok bataljonin simbas taktikës së tij të maparshme. Kompania ra në pusi pa shtek shpëtimi. Në këte gjendje tragjike, skyfterët e malëve vendosën të vdesin me nder e jo, me ra gjallë në dorë të klyshçve të Rusisë. Pesdhjeteshtatë dj’elmoça Pukas e pesëdhjetekatër Mirditas dhe, një pakicë e të tjera vendeve me disa bail i s ta, përsëritën shembullin epik të Thermopilëve, pa u dorzue një i gjallë, e vetëm një djalë prej Berishës së Pukës, Shtjefën Gegë Gjura, shpëtoi për mrekulli, edhe Ai i plagosun, sa me mujtë me u sjellë lajmin e zi e trimninë e pashoqe Nanave zemërthame. (Mbasi pat arrijtë bataljoni në Vlonë, i kjen shtue atyne edhe pesdhjetë vetë të dërguem nga bajraktari i Thkellës, kapiten Nikollë Mëlyshi).

E këtu, vjen vetvetiu pyetja ose vrejtja e disa bashkatdhetarëve që i dijnë e nuk i dijnë mbrapaskenat e sabotimit e të tradhëtisë që prej poshtëe deri naltë….e që, akoma vazhdojnë të fajsojnë Veriun: “Nuk na ndihmoi Veriu (!)”, kush e ka fajin? Po t’ishte lejue e ndihmue “Beslidhja e Shkodrës”, të vejë në veprim planin e vullnetin e vet tue mbledhë dhjetë apo pesëmbëdhjetë të tilla bataljone, çka do të kishte ngja?

Oh fat’ i zi ! Të tjera fjalë do t’ishin sot!..

PËRGJEGJËSI E TMERRSHME. EGOIZËM I VERBËT. FRIKË E KOTË!

Pse vepra e “Beslidhjes së Shkodrës” u sabotue, kjo gja u kuptue e asht marrë vesh në hollësina. Autoritetet e Nalta të Shtetit e Mithat Frashëri me ta, nuk deshtën të mblidheshin forcat e Malësive të Shkodrës, pse dyshonin që kur t’arrinin gjithë këto força në Tiranë, mbasi të kishin spastrue Shqipninë e Veriut, së bshku me forçat e Dibrës, Lumës, Matit e Elbasanit, që mund të shkapërcejshin numrin e tridhjetmijë luftarëve, do të kërkojshin ramjën e Këshillit të Naltë dhe të qeverisë, për të marrë pushtetin në dorë Sylçe Beg Bushati e Gjon Markagjoni me miqtë e vet.

Kjo e asgja tjetër, kje arsyeja e sabotimit të programit të Beslidhjes së Shkodrës, e të njëtjetër nisjative poaq me rendësi në mbarim të Gushtit 1944. Ai dyshim ishte krejt i pavend, pse askush prej nesh nuk kishte lakmi pushteti. Ky dyshim ndoshta, e pati zanafillën (origjinën), nga kërkesa që qyshë në përpjekjet e para, disa prej Krenëve të Maleve kishin vue kusht (konditë) marrjen pjesë përsonalisht të Sylço begut e Gjon Markagjonit e të tjerë Pari të Shkodrës, në krye të këtyne fuqive.

Dyshim krejt i pavend sepse, askush nga këta krenë, nuk kishte tjetër qellim as lakmi veçse, zhdukjën e rrezikut bolshevik.

Na kemi kenë të ngimë, deri tek s’bahet me përgjegjësi qeverimi të kohëve aq të vështira, e ishte e kotë me mendue se mund të na shkonte nepërmend një gja e tillë.

Kërkesa e Krenëve të Maleve për të pasë në krye përsonalisht Parinë ma të naltë të vendit, rrjedhte nga dy arsye krejt me vend:

a) Arsyeja e parë, ishte tradicjoni që kanë pasë gjithmonë Malet e Veriut, “Ku të shkojë kreu, me shkue djelmnija, e pa atëjo!”

b) Barrën e përgjegjësinë e fillimit, mos ta marrë vetëm Malësia, po sëbashku me qytetin e Shkodrës (siç ka kenë përherë zakon me dalë n’ ushtri), e mandej, me të gjithë Shqipninë sëbashkut.

Se çfarë rroli ka luejt Mithat Frashëri që pat premtue përkrahjen pranë autoriteteve të Nalta, nuk mund ta përcaktoj me siguri, por dihet se n’atë kohë Mithati me Mehdi beun (ky i fundit kishte zyrtarisht në dorë timonin e punëve) ishin në marrëdhënjet ma të mira, e natë-ditë bashkë njeni me tjetrin, prandej, mund të mendohet se një sigurim i Mithat beut, do ta kishte qetsue Mehdi Frashërin, e do t’ishin shkapërcye pengimet e Këshillit të Naltë, për me vue në veprim protokolin e “Beslidhjes së Shkodrës”, që do të kish kenë shpëtimi i Shqipnisë.

Mithat Beu i preu krejtësisht marrëdhanjet me “Beslidhjen”, mbas ardhjes së At Anton Harapit e Gjylbegut në Shkodër.

E sabotueme dhe e paralizueme si u pa atëherë, “Beslidhja” arrijti në Maj 1944, të mbledhë një pjesë të ndijshme të Krenëve të Maleve në Shkodër. Krentë pranuen të marrin pjesë në lëvizje e t’japin kushtrimin kurdo tu jepej lajmi nga “Beslidhja”, tue vue njëzani kushtin që u tha: Të merrshin pjesë edhe qyteti i Shkodrës me Sylço begun e Kapidan Gjon Markagjonin, e tjerë Parësi Shkodrane në krye. Të gjithë përveç, Krenëve të Malësisë së Madhe, deklaruen se nuk kërkojnë asgja tjetër prej qeverisë, veçse pushkë, fishekë e bukë. Malësia e Madhe nepërmjet fjalëve të Kol Zefit e Smajl Haxhisë, kërkoi dy spitale, deputetë të tyne e tjera, si kusht për pjesëmarrje. Kjo kërkesë e pavend n’atë kohë e gjendje, nuk ishte tjetër veçse fryti i nxitimit të njanit…nga antarët e Këshillit të Naltë, tash në jetë të vërtetë, për të sabotue mbledhjen e forcave. Ky ishte sabotim shumanësh e gjithfarëlloji, që vazhdoi sistematikisht derisa solïi triumfin e atij rregjimi egërsinash që sot po martirizojnë Shqipninë.

***

Pak kohë mbas kësaj mledhje të Shkodrës, pat vend njëtjetër mbledhje krejt në kundërshtim me frymën e protokolit të “Beslidhjes së Shkodrës”. Kjo mbledhje u mbajt në një katund të Postribës, me pjesëmarrje të përfaqësuesve të Ballit, Legalitetit e partisë komuniste.

Për Legalitetin morën pjesë major Mul Bajraktari, major Llesh Marashi, kapiten Gjelosh Luli etj. Për Ballin Kombtar, Jup Kazazi, Zef Pali etj. Për partinë komuniste Riza Dani, Gjovalin Luka, Don Luigj Pici, Sabri Gilani etj.

Mbledhja nuk arriti ndonjë marrëveshje për shkak të komunistëve, madje, kjo, si edhe arësye të tjera çuen edhe në arrestimin e interrnimin e Mul Bajraktarit e Sabri Gilanit në Gjermani. /Standard/

Në trend Lajme

Më shumë
Bajrami: Jam i gatshëm ta ndihmoj Kurtin në procesin e Asociacionit

Bajrami: Jam i gatshëm ta ndihmoj Kurtin në procesin e Asociacionit

Lajme
Kush ishin dy gratë që dhanë idenë për pajtimin e gjaqeve, tregon bashkëpunëtori i Anton Çettës

Kush ishin dy gratë që dhanë idenë për pajtimin e gjaqeve, tregon bashkëpunëtori i Anton Çettës

Lajme
Balje: Deklarata e Kurtit për Kodin Civil është provokuese, nuk votoj pro martesave të gjinisë së njëjtë

Balje: Deklarata e Kurtit për Kodin Civil është provokuese, nuk votoj pro martesave të gjinisë së njëjtë

Lajme
Të shtëna me armë në Lupç të Podujevës, katër të plagosur

Të shtëna me armë në Lupç të Podujevës, katër të plagosur

Kronika e Zezë
Prokuroria jep detaje për plagosjen e katër personave në Lupç të Podujevës

Prokuroria jep detaje për plagosjen e katër personave në Lupç të Podujevës

Drejtësi
Vdes në vendin e punës punëtorja e një furre të bukës në Mitrovicën e Veriut

Vdes në vendin e punës punëtorja e një furre të bukës në Mitrovicën e Veriut

Kronika e Zezë
Kalo në kategori