LAJMI I FUNDIT:

Letrat që Luigi Pirandello ia shkroi Zef Skiroit

Letrat që Luigi Pirandello ia shkroi Zef Skiroit

Nga: Matteo Mandala

Sasia e madhe e dokumenteve, më së shumti të pabotuara, që kanë dalë në dritë këto dhjetëvjeçarët e fundit, na lejon të njohim më mirë veprimtarinë letrare që zhvilloi Zef Skiroi gjatë periudhës rinore, sidomos gjatë viteve ’80 të shek. XIX, që ishin ndër më të rëndësishmet e krijimtarisë së tij. Mes këtyre dokumenteve rëndësi të veçantë paraqesin letrat që ndër vitet 1886-1890 i dërgoi Luigi Pirandello, sepse këto japin një ndihmesë, shpeshherë vendimtare, qoftë në rindërtimin e kuadrit historik e kulturor palermitan në të cilin u ngjizën veprat rinore të poetit arbëresh, qoftë në qëmtimin e elementeve biografike private, marrëdhënieve shoqërore dhe ndjenjave që e nxitën dhe e frymëzuan. Po aq të rëndësishme janë këto letra për Pirandello-n: nga njëra anë ato ndihmojnë në rindërtimin e njërës prej përvojave më interesante që përjetoi shkrimtari dhe dramaturgu i shquar italian gjatë periudhës së miqësisë së ngushtë me Zef Skiroin. Nga ana tjetër, këto letra japin dorë për një shqyrtim kritik më të thellë e më të kujdesshëm të krijimtarisë së gjerë rinore të Pirandello-s, një pjesë e mirë e së cilës i përket pikërisht periudhës kur banonte në Palermo.

Pa kuptuar drejt vlerën që pati ajo periudhë rinore për jetën private dhe publike të Pirandello-s, që i la mbresa aq të thella sa e bëri të piqej para kohe, ndoshta Leonardo Sciascia nuk do të kishte shkruar se “pa aventurën e squfurit nuk do të kishte qenë as aventura e të shkruarit e të rrëfyerit”, ndërsa Andrea Camilleri nuk do t’i kishte vënë librit të tij, kushtuar Pirandello-s, titullin “Biografia e një biri të ndryshuar”. Në këto shënime të shkurtra do të lëmë mënjanë ato pjesë të letërkëmbimit që hedhin dritë mbi zhvillimet artistike të dy miqve në periudhën kyçe të formimit të tyre rinor, pasi do të përqendrojmë vëmendjen vetëm në disa momente njerëzore dhe intelektuale të marrëdhënies së tyre, duke e lënë për një rast tjetër thellimin e aspekteve mirëfilli letrare.


Pirandello njihet me Skiroin aty nga viti 1882, kur u transferua bashkë me familjen në Palermo, ku prej disa vitesh ishte vendosur Zefi. Prej asaj kohe dy të rinjtë lidhën një miqësi të ngushtë dhe të sinqertë, që ushqehej, përveçse nga një vlerësim i ndërsjellë, edhe nga interesa e aspirata të përbashkëta artistike dhe letrare. Deri pas vitit 1890 kur marrëdhëniet mes tyre u ftohën, Pirandello dhe Skiroi mbajtën një letërkëmbim të rregullt, prej të cilit na ka mbërritur vetëm një pjesë e letrave që ata i shkruan njëri-tjetrit.

Korpusi i letërkëmbimit, përveç letrave që kemi në dorë, duhej të përmbante medoemos edhe të tjera që kanë humbur. Nuk dimë asgjë mbi letrat që Skiroi i shkroi Pirandello-s. Deri më sot njihen vetëm letrat që Pirandello u shkroi familjarëve dhe miqve. Megjithëse ka shumë të ngjarë që Pirandello të mos i ketë ruajtur letrat e Skiroit, nuk përjashtohet që ato të gjenden diku në ndonjë arkiv privat. Botimi i plotë i letrave i përket vitit 2002 (shih Peppino mio: lettere di Luigi Pirandello a Giuseppe Schirò (1886-1890), a cura di Antonino Perniciaro, Filomena Capobianco, Cristina Iacono, con un saggio introduttivo di Matteo Mandalà, Biblioteca museo Pirandello di Agrigento, 2002), pas një botimi të pjesshëm dhe të cungët të vitit 1994 (Luigi Pirandello, Amicizia mia. Lettere inedite al poeta Giuseppe Schirò (1886-1887), a cura di A. Armati, A. Barbina,  Istituto di studi pirandelliani. Quaderni 9, Bulzoni, Roma, 1994).

Pirandello qëndroi në Palermo gjatë viteve 1882-1887. Skiroin me gjasa do ta ketë takuar korridoreve të liceut klasik “Vittorio Emanuele II” të Palermos: Skiroi, dy vjet më i madh, e mbaroi liceun në vitin 1884, ndërkohë që Pirandello ishte ende në vitin e dytë. Këtyre viteve u përkasin sprovat e para letrare. Shtatëmbëdhjetëvjeçari Luigi në vitet 1884-1885 botoi tregimet e para. Nga ana e tij, Zefi, mes viteve 1882 dhe 1885 botoi disa lirika italisht në La Nuova Età e më vonë, në vitin 1885, falë interesimit të kushërirës Cristina Gentile Mandalà, botoi disa poezi te Fiamuri Arbërit, që ishte themeluar e drejtuar nga De Rada. Këto sprova të para letrare i bashkojnë dy të rinjtë dhe u hapin rrugën veprave të mëpasme.

Dy të rinjtë nuk takoheshin vetëm në shkollë. Familja e Pirandello-s fillimisht u vendos me banim në rrugën Porta di Castro, pranë Pallatit Mbretëror të Normanëve, e pas një viti u transferua në lagjen Borgo, pranë Foro Italico, në një apartament që gjendej përballë kishës së Shën Luçisë; ndërsa familja e Skiroit u vendos në rrugën Porrazzi, që gjendej në krah të Corso Vittorio Emanuele. Pra të dy banonin në qendër të qytetit, fare pranë liceut, por edhe pranë bibliotekës publike Vittorio Emanuele, që të dy e frekuentonin rregullisht. Gjatë kësaj periudhe Pirandello shkonte shpesh edhe në shtëpinë e Skiroit, ku të dy bashkë ushtroheshin në artin e vargëzimit. Me siguri Pirandello njihte edhe vëllanë e Skiroit, sepse e përmend në letrën e tetorit 1887.

Kjo nuk ishte një shoqëri e rastit, por një miqësi e qëndrueshme që u forcua falë takimeve të shpeshta, interesave dhe shqetësimeve të përbashkëta e madje edhe falë dashurive të para. Skena ideale e kësaj miqësie ishte Palermo, “qyteti i nismave taraskoniane”, sikundër do ta quajë Pirandello në letrën që i dërgon më 27 gusht 1887 mikut Carmelo Faraci, i lumtur që pikërisht aty ka kaluar periudhën “më të mirë të jetës së tij të varfër”, “stinën më të bukur”. Imazhi i Palermos fin de siécle do të mbetet i pashlyeshëm në zemrën dhe në mendjen e të riut Luigi. Shëtitjet më këmbë a me karrocë përgjatë Foro Italico ose nëpër rrugët e gjera të qendrës, rrethuar me ndërtesa të mrekullueshme të stilit liberti, mes rrugës Maqueda dhe corso Vittorio Emanuele, lokalet që frekuentoheshin nga studentët, akulloret dhe kafetë, bibliotekat dhe libraritë, poezitë lirike botuar në revistat më prestigjioze, admirimi për mjeshtrat Giuseppe Pitrè (1841-1916), Salvatore Salomone-Marino (1847-1916), Giuseppe Pipitone-Federico (1860-1940), dëshira për t’i ngjarë Mario Rapisardit (1844-1912) e sidomos adhurimi për Eliodoro Lombardin (1834-1894), diskutimet e zjarrta mbi politikën dhe letërsinë, bëmat dashurore, dyshimet dhe pasiguria për të ardhmen; këto kujtime do të ringjallen shpesh në kohën e pjekurisë dhe as vitet, as buja e suksesit nuk do të mund t’i shlyejnë dot.

Periudha e parë e banimit në Palermo për Pirandello-n zgjati deri në verën e vitit 1885, ndërsa qëndrimi i dytë në Palermo u zgjat për gjithë dimrin e vitit 1886 deri më 14 korrik kur u kthye në Porto Empedocle për pushimet e verës. Prej këtej në gusht dhe shtator të vitit 1886 i shkroi letrat e para mikut Zef. Këto janë letra të përzemërta, por edhe të trishta, plot “dhimbje të parrëfyeshme”, në të cilat shohim një Pirandello “dembel, të mërzitur, indiferent”. Atë e mundon ideja se “çastin që mund ta kishte kaluar lumturisht, duhet ta shkojë duke vrarë mendjen me mendime që të mbysin idealin dhe të helmojnë jetën”.

Kjo është një periudhë turbullimesh të thella, që në dukje shkojnë përtej shqetësimeve rinore e që më vonë do të rikthehen në formën e kujtimeve autobiografike, por që në të vërtetë s’janë veçse shkëndijat e para të pjekurisë poetike të Pirandello-s. Në fakt, në atë turbullim vihen re pasojat e rënda të dashurisë që Luigi ushqente për kushërirën Lina, “katër vjet më e madhe se ai”. Së bashku me vëllanë e saj Ettore, “thuajse bashkëmoshatar me Luigin”, dhe me shokë të tjerë ndër të cilët ishte edhe Skiroi, ai shkonte shpesh në shtëpinë e kushërirës. Me Lina-n, Pirandello ishte dashuruar qysh kur mbërriti në Palermo: “Pesëmbëdhjetëvjeçari i pjekur para kohe mbeti i magjepsur nga hiri femëror i zonjushës nëntëmbëdhjetë vjeçare”, por asokohe ishte tepër i ri për të ndërmarrë hapa të mëtejshëm. Fejesa formale me Lina-n, që u bë në vjeshtën e vitit 1887, vetëm në dukje i qetësoi ujërat. Të tjera andralla e presin Pirandello-n.

Në Porto Empedocle, siç e thamë më lart, u përpoq të mbante fjalën e dhënë, pra të mësonte pranë të atit zanatin e tregtarit, por nuk ia doli dot të linte mënjanë dashurinë e madhe për letërsinë dhe artin. E kështu zë fill një fazë e re mundimesh për Luigin, që do ta shpjerë ngadalë dhe pakthyeshëm drejt ndarjes me Lina-n, për t’i dhënë fund një herë e mirë asaj rrokopuje “iluzionesh”, “zhgënjimesh” dhe “mashtrimesh”. Do t’i duhet të presë dy vjet për t’u çliruar nga ajo barrë që ishte bërë e padurueshme. Fillimisht lë Palermon për të shkuar në Romë, duke u larguar kështu fizikisht nga Lina, derisa dy vjet më vonë vë në dijeni të atin për prishjen e fejesës.

Nëse për Pirandello-n mundimet e dashurisë ishin “mizore”, nuk ishin më të pakta mundimet që hoqi Zefi. Vasha që u bë shkak i vuajtjeve të tij mbante të njëjtin emër me të fejuarën e mikut: ajo si për ironi të fatit quhej Lina Pirandello. Skiro kishte rënë në dashuri me motrën e madhe të Luigit, Lina-n, bashkëmoshatare më të, dhe kishte ushqyer shpresën ta bënte për vete, duke i kërkuar ndihmë mikut, të cilit i kishte hapur zemrën “një natë të paharrueshme”. Në fakt Luigi nuk mund të bënte asgjë për mikun dhe me një letër të datës 31 korrik 1887 i jep lajmin “e hidhur” të fejesës së Lina-s me “një inxhinier të pasur dhe shumë të mençur”. Letra e Luigit dëshmon një lojë të vërtetë mes palëve, një përmbysje të roleve: Luigit tani i takon të ngushëllojë dhe t’i japë zemër mikut të lënduar, sikurse ai kishte bërë më parë me të. Të bën përshtypje fakti se këshillat e Luigit janë të njëjta me ato që i kishte dhënë i ati disa ditë më parë këtij të fundit.

Po aq përshtypje të bëjnë edhe mendimet mbi Dulcinea-n dhe Aldonza-n, pra mbi faktin se nuk dashurojmë “thuajse kurrë gruan ashtu siç është në të vërtetë, por gjithmonë siç besojmë se ajo është”, po të mbajmë parasysh se pikërisht mbi këtë “mashtrim” u thyen “iluzionet” e tij mbi dashurinë që ushqente për Lina-n. Luigi natyrisht që nuk donte ta vinte në lojë mikun e dashur, përkundrazi ai u përpoq ta zhdramatizonte ngjarjen përmes sarkazmës dhe t’i jepte tone groteske një marrëdhënieje që në fakt nuk ekzistonte, por ishte vetëm fryt i një “dëshire të dëshpëruar” pa shpresë për t’u realizuar.

Ndihma që i dha mikut, këshilla për të mos e marrë seriozisht atë histori dhe për t’i vënë gishtin kokës nuk mjaftoi. Zefi u përgjigj me një letër të hidhur, plot dhimbje e mundim. Luigi mbeti i tronditur nga ajo përgjigje dhe në letrën e datës 12 gusht 1887 shprehu “keqardhjen” për mikun, u orvat t’ia platitë “lodhjen dhe trishtimin” me fjalë ngushëllimi. Nga kjo letër e Luigit kuptohet se dashuria e Zefit për Lina-n nuk ishte aq “për të qeshur”, por një ndjenjë e zjarrtë dhe e sinqertë, një dashuri që i riu arbëresh kishte shpresuar vërtet se mund të realizohej. Në fakt Lina në korrik ende nuk ishte fejuar me inxhinierin e minierave Calogero De Castro, por më 16 tetor 1887 do të martohet, duke u transferuar menjëherë në Sardenjë. Pra, nuk mbetej asnjë fill shprese për Zefin dhe këtë Luigi ia bëri të qartë mikut. Reagimi i Zefit, i menjëhershëm dhe publik, u shfaq në formën e një Shënimi hyrës në vend të parathënies së përmbledhjes poetike me titull Versi që doli nga shtypi në fund të vitit 1887. Edhe pse u paraqitën si “këngë të varfra gjimnazisti”, ato poezi ishin frymëzuar nga një dashuri rinore, që Skiroi e quajti “trillim poetik”: po të ishte vërtet ashtu, atëherë nuk kuptohet as përse ato poezi do të ngjallnin zemërimin e një anonimi që poeti i ri “nuk njihte e as që donte të njihte”, veç në mos bëhej fjala për dikë që ishte dashuruar me të njëjtën vajzë që donte Skiroi, por atëherë nuk do të ishte një trillim poetik, e as përse ia kishte lënë botuesit Amenta barrën të shpjegonte arsyet e rishtypjes së vëllimit.

Një gjë është e sigurt: Skiroi nuk e pranoi lehtë dështimin. Më kot Luigi u rrek ta takonte në Palermo, para se të nisej për në Romë. Më 1 shtator të vitit 1887 i komunikoi se do të mbërrinte në qytet javën e ardhshme, por Zefi jo vetëm që nuk shkoi ta takonte mikun, por i dërgoi një letër që e la pa gojë. Ajo letër, përmbajtjen e së cilës nuk e njohim, e tronditi aq shumë Pirandello-n, sa për të parën herë iu përgjigj pa fjalët e përzemërta me të cilat hapte zakonisht letrat. Është një përgjigje gjithë bezdi, a thua se i dërgohej një të panjohuri a një “armiku”. Edhe ajo “Lamtumirë” e shkarravitur në fund të letrës duket sikur e vulos përfundimisht ndarjen. E me gjithë ashpërsinë e përgjigjes, Pirandello gjen fuqinë ta informojë mikun për planet e së ardhmes së afërt, duke e lënë kështu portën të hapur, a thua se donte t’i thoshte “po deshe, ti e di se ku mund të më gjesh, të pres”.

Në fakt, pas disa javësh, në pusullën e fundit që i dërgon Skiroit në vitin 1887 para se të nisej për në Romë, Luigi e fton të takohen në Palermo. Kësaj here dy miqtë takohen, sigurisht që diskutojnë për zhgënjimin e hidhur të Zefit, ndoshta sqarohen, të ndihmuar edhe nga martesa e Lina-s, çka me gjasa e shtyu Skiroin ta pranonte faktin që s’mund të zhbëhej më. Me siguri mund të themi se qysh prej asaj dite marrëdhëniet mes tyre nuk do të jenë më si më parë. Në vitet që pasojnë Luigi do t’i dërgojë mikut pak letra, vetëm dy nga të cilat na kanë mbërritur, njërën në vitin 1888 nga Roma, pak përpara se të nisej për në Gjermani, tjetrën nga Boni në vitin 1890. Letrat e tjera që thotë se ka shkruar kur ishte në Romë, nuk gjenden në arkivin e Skiroit e ndoshta kanë humbur përgjithmonë.

Doemos që heshtja e gjatë e Zefit do të jetë interpretuar nga Luigi si një lloj largimi: edhe ai gjatë muajve që pasojnë nuk do t’i shkruajë më mikut dhe kur vendos t’i dërgojë një letër nga Boni, s’bën gjë tjetër veçse kujton të shkuarën e largët, mallin “për tregtinë e madhe të letrave të atyre ditëve dhe për ëndrrat e bukura të atëhershme”, “ëndrra të perënduara”. Një dëshirë dhe mall që vetmia gjermane e thellonte, duke i mbushur me trishtim shëtitjet përgjatë lumit Ren.

Luigi, i përfshirë nga një valë malli, kopjon dy këngë të poemës Belfagor dhe ia dërgon Skiroit bashkë me një letër. Një tjetër këngë të kësaj poeme ia kishte dërguar prindërve më 1 shtator të vitit 1890. Duke komentuar këtë letër, Elio Providenti shkruan: “Data e dashur është ajo e fejesës me Lina-n, gjatë “vjeshtës së freskët” të vitit 1887 për të cilën flasin vargjet [që shoqërojnë letrën]. Më tutje do ta përmendë sërish në letrën e gjatë dërguar të atit në mes të gushtit 1891, ku përmbledh gjithë historinë e asaj dashurie”. Prapë hija e Lina-s pllakos miqësinë që Luigi ushqen për Zefin: malli për “vjeshtën e freskët të vitit ’87”, tashmë të largët, përkund kujtimin e asaj stine, ringjallet dashuria e vjetër dhe e sinqertë për mikun e atyre viteve, por zgjat veçse një çast; pas muzgut gjerman bie heshtur mbrëmja mbi Bon.

Në Palermo, në muzgun italian të vitit 1890, Skiroi do t’ia kthejë nderin mikut duke i kushtuar botimin e parë të idilit Milo e Haidhee, hartimin e të cilit Luigi e kishte ndjekur varg pas vargu. Pirandello, nga ana e tij, i rrëmbyer nga dashuria e re gjermane, do të përkthente gjermanisht këngën e parë të poemës së mikut arbëresh, duke e transkriptuar te dorëshkrimi i tij Gedanken (1890) i sapobotuar (shih Giuseppe Faustini, Un amore primaverile. Inediti di Luigi Pirandello e Jenny, Mauro Pagliai Editore, Firenze, 2019, f. 181-184). Në marrëdhënien e tyre të heshtur, këto qenë aktet e fundit që vulosën perëndimin e miqësisë së madhe që i lidhi gjatë viteve më të rëndësishme të rinisë së tyre të jashtëzakonshme.

Interes paraqet edhe një çështje që i ka intriguar gjithmonë studiuesit e Pirandello-s. E kemi fjalën për njohjen e shqipes nga ana e shkrimtarit të madh italian, i cili pati përkthyer italisht poezinë Jashta Jetës të mikut Zef (shih Arbri i rii, viti I, nr. III, Palermo, 1887, f. 11-12c). Ka të ngjarë që përkthimin ta ketë bërë vetë Skiroi dhe t’ia ketë ofruar në shenjë homazhi mikut. Në fakt, Pirandello kurrë nuk pohoi hapur se e njihte aq mirë shqipen sa t’ia hynte një përkthimi të tillë. Gjithsesi do mbajtur parasysh se Luigi u mor me shqipen, siç del nga shënimet autografe në fletoren e njohur me titullin Provenzale që përmban studime të filologjisë romane, shkruar në Bon mes viteve 1889-1891 (shih Luigi Pirandello, Provenzale. Bonn a/Rh. 1889-91. Manoscritto, Regione Siciliana Ass. BB.CC.AA. e P.I., Biblioteca-Museo “Luigi Pirandello” di Agrigento, Siracusa, 2002, f. 191). Nuk përjashtohet që Pirandello t’i ketë kërkuar ndihmë mikut Skiro, i cili asokohe kishte fituar njohuri të thella mbi gjuhën shqipe duke studiuar veprat më të njohura të albanologjisë së kohës, mes të cilave edhe Albanesische Studien të Johannes Georg von Hahn që u botua në Jenë në vitin 1854 në tri vëllime. Pikërisht vëllimin e dytë të kësaj vepre citon edhe Pirandello. Edhe në këtë aspekt gjenden gjurmët e miqësisë së thellë mes dy të rinjve sicilianë. /Gazeta “ExLibris”/