LAJMI I FUNDIT:

Leksioni Blair

Këto ditë mediat më të mëdha botërore u përqendruan në një çështje, Hetimin e ish-kryeministrit Tony Blair, i cili 7 vjet më parë e dërgoi vendin e tij në luftë. Shumë qytetarë britanikë asnjëherë nuk ia falën kryeministrit të tyre që i doli në krah presidentit amerikan në pushtimin e Irakut. Për disa shtetas të tij, Tony Blair është një kriminel lufte.

Pankartat e protestuesve, maskat me fytyrën e kryeministrit, duart e përlyera me gjak dhe akuzat për gënjeshtrën nuk munguan asnjëherë gjatë këtyre shtatë viteve, gjatë të cilave u rrokullisën shumë koka, e në radhë të parë ajo e vetë kryeministrit, që u detyrua të japë dorëheqjen pasi reputacioni i tij filloi të rrënohej.


E koka të tjera ishin ato të krerëve të BBC-së si ajo e drejtorit të përgjithshëm Greg Dyke apo shefit të lajmeve Gavyn Davies, figura eminente të gazetarisë britanike, të cilët nuk arritën të provojnë se raportimi i Andrew Gilligan, i cili thoshte se Blair e kishte bërë “më seksi” (në kuptimin e zbukurimit apo zmadhimit) dosjen për posedimin e armëve të shkatërrimit në masë nga Sadam Hussein.

Ndërkohë një shkencëtar i armëve bërthamore, David Kelly kreu vetëvrasje pasi informacionet e tij që kishin dalë në BBC përmes formulës së burimeve anonime, u zbuluan.

I gjithë ky tension, pas disa vitesh u rizgjua ndërsa ish-kryeminstri Tony Blair u detyrua që për gjashtë orë më radhë të rrijë i mbërthyer pas një karrigeje dhe të japë përgjigje para organeve të drejtësisë dhe kombit se pse e dërgoi vendin e tij në një luftë të pajustifikuar.

Mediat sollën në ekranet e tyre apo nëpër faqe gazetash dhjetëra analiza politike e ushtarake, diplomatike e gazetareske për të zbërthyer dëshminë e ish-kryeministrit Blair, i cili zor të ketë qenë më parë një pozitë më të vështirë.

Se çfarë u detyrua të pranojë Tony Blair tashmë është lajm i njohur për të gjithë por ajo që ja vlen të ndalemi është pikërisht fuqia e presionit mediatik. Është aq i madh në vende të tilla ky presion, saqë jo vetëm mund të përmbysë karrigen, qoftë ajo edhe e një kryeministri me reputacion si Blair, por mund të të shndërrojë në një humbës të përjetshëm.

Kjo sepse në këto vende mediat janë opozitë e vërtetë e pushtetit pavarësisht presionit të tij të lartë e të gjithanshëm. Kjo sepse mediat kanë një imunitet të jashtëzakonshëm nga kthetrat e tij, imunitet që në radhë të parë ka në themelet e tij profesionalizmin dhe respektimin e parimeve të këtij profesioni.

Po përse në vende si Kosova dhe Shqipëria, apo vende të tjera të rajonit mediat nuk arrijnë të dalin dot nga rrethi vicioz i bashkëjetesës me pushtetin?

Përse kur gënjen një kryeministër, jo vetëm që nuk i skuqen veshët në studio sic i pat ndodhur Tony Blair në emisionin Question Time të BBC, por përkundrazi bëjnë shaka me publikun, hedhin romuze, vënë në lojë gazetarë e analistë dhe në fund dalin nga studiot “famëmëdha” si fitimtarë të pamposhtur?

Përse edicionet e lajmeve në një pjesë të madhe të televizioneve, në mos në të gjithë, shërbejnë si paradë mode ku defilojnë ministra e kryeministra, duke folur për bëmat ditore të tyre apo duke sulmuar njëri-tjetrin në mënyrat më të paedukuara, e që me protagonizmin e stisur i bëjnë qytetarët e thjeshtë të mendojnë se bota sillet vetëm rreth tyre?

Shembulli i britanikëve është për tu admiruar, po aq sa është për tu shqetësuar shembulli i ballkanasve e sidomos shqiptarëve.
Së fundi edhe Kosova po përjeton bumin e hapjes së mediave prapa të cilave qëndrojnë biznesmenë të lidhur me politikanë, grupe të interesit të cilët mediat i krijojnë me qëllimin e vetëm: t’i përdorin si mjet për arritjen, ruajtjen dhe forcimin e pushteti të tyre. Në Kosovë, ashtu sikurse në Shqipëri vite më parë, po lindin “Mediat me Mision.”

Ka raste kur mediat shërbejnë për të shpërlarë para të pista. Për të gjitha ata që ende besojnë tek misioni i gazetarit ky është një kërcënim. Në të vërtetë ky treg nuk ka nevojë për një numër kaq të madh mediash, por shkurorëzimin urgjent me pushtetin dhe për ngritjen e cilësisë dhe fuqisë së tyre.

Zhvillimi i biznesit në Kosovë këto vite, një fazë nëpër të cilën Shqipëria kaloi rreth një dekadë më parë, dhe blerja e mediave nga biznesmenë të fuqishëm sjellin në vëmendje atë çfarë ndodhi në Evropë gjatë viteve 30 në industrinë e qymyrit dhe çelikut. Ishte kjo industria më e fuqishme e asaj periudhe, e cila filloi të blinte të gjithë gazetarinë e Evropës. Por kjo gjë pati pasoja fatale për vitet që do të vinin në kontinentin e plakur, sepse ndryshoi mënyrën se si shtypi evropian e pa ngritjen e fashizmit. Pra me dy fjalë militarizim dhe biznes i mirë.

Për në Kosovë apo Shqipëri mjafton të ndërrojmë fjalën militarizim me fjalën korrupsion dhe veten e shohim në dekadën e parë të shekullit 21.
Mungesa e një muri ndarës dhe të pakapërcyeshëm mes interesave të biznesit dhe atij të informimit, po shfrytëzohet mirë nga elitat politike.
Ne po shohim çdo ditë se si po “hedh shtat” para syve tanë një gazetari e bazuar mbi interesin, e cila gjithnjë e më shumë po i largohet idesë së përgjegjshmërisë ndaj qytetarëve.

Në fakt edhe metodat e blerjes së heshtjes së shtypit të pavarur dhe të lirë janë përsosur po aq sa dhe teknologjitë që përdoren.
Në Kosovë psh mjafton të shohësh në një ditë feste, faqet e një gazete. paratë e buxhetit shenzohen në mënyrë marramendëse nga institucionet si ministritë, komunat, kompanitë publike, që merren me përshëndetje e urime.

Për televizionet situata është edhe më e komplikuar pasi ata janë një biznes edhe më i shtrenjtë. Në Shqipëri një numër televizionesh ushqehen nga tendera qeveritarë në këmbim të pavarësisë së tyre editoriale. Shembujt se si hapen brenda natës kompani fantazma me emra të rremë e që në kontot e tyre bankare përfundojnë miliona euro, janë të shumtë.

Në këmbim janë lajmet, si bosht i informacionit, që shpesh janë të përllogaritura në mënyrë të tillë që dikush, në vazhdimësi të fitojë më shumë pushtet se rivali i tij politik.

Por ky nuk është rasti i mediave britanike, të cilat në mënyrë direkte dhe indirekte e detyruan kryeministrin e tyre të pranojë se dosja për praninë e armëve të shkatërrimit në masë në Irak ishte një gabim dhe se ai nuk duhej ta kishte shndërruar kurrë në një dokument politik për të justifikuar luftën.

E as rasti i CNN-it i cili nuk u mjaftua vetëm me shpjegimin e fjalëve apo deklaratave të tij, por u mor edhe me shpjegimin e gjuhës që fliste trupi i ish-kryeministrit.

(Autorja është analiste pranë gazetës Kosova Sot)