LAJMI I FUNDIT:

​LDK dërgon në ZRRE komentet kundërshtuese për rritjen e tarifave të rrymës

​LDK dërgon në ZRRE komentet kundërshtuese për rritjen e tarifave të rrymës

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dërguar komentet e veta kundërshtuese në Zyrën Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.

Nga kjo parti kërkojnë që të mos ketë ngritje të tarifave deri në vitin 2023, ndërsa konsiderojnë që Qeveria e Kosovës duhet të subvencionojë të gjithë qytetarët e Kosovës për shpenzimet për energji elektrike dhe të ulë në zero vlerën e tatimit për energji elektrike.

Kjo u bë e ditur në një konferencë për medie nga anëtari i kryesisë së këtij subjekti, Xhafer Tahiri dhe deputetja, Hykmete Bajrami, e cila prezantoi edhe propozimet e këtij subjekti politik për ZRRE-në dhe Qeverinë e Kosovës lidhur me tejkalimin e krizës energjetike.


“LDK sapo ka nisur komentet e saja në ZRRE lidhur me raportin vlerësues për ngritjen e tarifave për energjinë elektrike. Për LDK-në mbrojtja e interesave të qytetarëve është jetike përmes mekanizmave institucionalë në këtë rast, duke i dërguar komentet e veta në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, duke kundërshtuar rritjen e tarifave për energjinë elektrike”, tha Tahiri.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykemte Bajrami tha se Qeveria e Kosovës ka dështuar në menaxhimin e krizës energjetike e cila ka sjellë humbje për Kosovën deri tani 120 milionë euro.

Bajrami u shpreh se LDK-ja do të ndjekë të gjitha rrugët institucionale përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese për të kundërshtuar vendimin për shtrenjtim të energjisë elektrike.

“LDK do e vazhdojë kontributin me këtë betejë me rrugë institucionale. Ne sot kemi dorëzuar komentet tona, ndërsa nëse propozimi, i cili është publik kalon, LDK do të ndjek rrugën institucionale nëse është nevoja ne edhe në Gjykatën Kushtetuese do të mbrojmë të drejtat e qytetarëve të Kosovës. Mënyra se si ZRRE ka paraparë ngritjen e tarifave të energjisë elektrike dhe mënyra se si qeveria e ka propozuar shpërndarjen e 75 milionëve për subvencionimin e tarifave është tepër diskriminuese. Qeveria ka vendosur që 75 milionë euro t’i subvencionojë tarifat e të gjitha amvisërive që shpenzojnë deri në 600 kËh dhe gjithashtu të subvencionojë të gjitha tarifat për të gjithë komunitetin e biznesit, duke përshirë edhe veprimtaritë më profitabile të cilat ata me ngulm i kishin kundërshtuar në kohën kur qeveria paraprake i kishte mbështetur përmes subvencionimit të pagave”, tha ajo.

Tutje ajo tha se ngritja e tarifave të energjisë elektrike do të rëndonte edhe më tej jetën e qytetarëve, prandaj siç tha ai, propozojnë që në vitin 2022 të mos ketë ngritje të këtyre çmimeve.

Krahas propozimit që të subvencionohen tarifat e energjisë elektrike për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim, LDK i ka propozuar Qeverisë së Kosovës që të ulë në zero tatimin mbi vlerën e shtuar për energji elektrike.

“Ne kemi parë që Qeveria e Kosovës ka zotuar 75 milionë me të cilat ajo ka vendosur të subvencionojë ekonomitë familjare deri 600 kËH dhe sektorin e biznesit, ne konsiderojmë që shpërndarja e subvencionimit të qeverisë duhet të bëhet për të gjithë qytetarët pa dallim sepse ndarja deri në 600 kËh as nuk është ndarje në bazë të standardit të jetës dhe as nuk është kurrfarë kriteri, i cili tregon në fakt, e ne do të kontribuojmë në përmirësimin e jetë së qytetarëve. Ne konsiderojmë që ky 75 milonësh duhet të subvencionojë tarifat e energjisë elektrike për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim. Kemi propozuar që faktikisht, Qeveria e Kosovës ta ulë tatimin mbi vlerën e shtuar mbi energjinë elektrike në zero, do të thotë le të jetë një ndihmë edhe kjo sepse nuk ka kurrfarë kuptimi që në njërën anë ZRRE të ngritë tarifat e energjisë elektrike dhe në anën tjetër kjo të rëndohet edhe mëtutje nga inkasimi i tatimit mbi vlerën e shtuar në energjisë elektrike. Nëse qeveria heq dorë nga tatimi mbi vlerën e shtuar për komplet vitin atëherë barra apo pjesa që mbetet për tu mbuluar nga tarifat është rreth 21 milionë euro, ne kemi konsideruar se meqenëse Qeveria e Kosovës duhet me patjetër të gjejë rreth 43 milionë për të mbuluar energjinë elektrike të katër komunave veriore, Qeveria duhet të gjejë edhe 21 milionë të tjera në mënyrë që të mbulojë tarifat për të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha Bajrami.

Bajrami tha se si LDK kanë propozuar që në qershor të hapet diskutim publik për tarifat e reja, të cilat më pastaj do të mund të hynin në fuqi në vitin 2023.

“Kemi propozuar që në qershor, kur përfundon komplet sezona e ftohtë ZRRE, t’i hap diskutimet publike për diskutim të tarifave të reja dhe t’i paralajmëroj qytetarët që të ketë një periudhë tranzitore dhe përgatitore për të kaluar në sisteme alternative të ngrohjes, për tarifat e reja do të mund të merrej vendimin në gjysmën e dytë të vitit 2022, të cilat ne propozojmë që duhet të hyjnë në fuqi në vitin 2023”, u shpreh ajo.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në kuadër të propozimeve për ZRRE-në dhe Qeverinë e Kosovës ka propozuar edhe krijimin e Fondit për Përkujdesje për konsumatorët në nevojë si dhe zhbllokimin e të gjitha investimeve në sektorin e energjisë.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji ka mbajtur mbledhje sot, kur është edhe afati i fundit që ky institucion do t’i pranojë komentet për çështjen e shtrenjtimit të rrymës, të propozuar përmes një raporti konsultativ që u publikua më 17 janar.