LAJMI I FUNDIT:

Kushtet e mira për investime eliminojnë varfërinë

Kushtet e mira për investime eliminojnë varfërinë

Krijimi i kushteve të mira në Kosovë për tërheqjen e investimeve të jashtëme është faktori kryesor për luftimin e varfërisë. Kështu thuhet në një raport të UNDP-së, i cili është publikuar të enjten në Prishtinë.

Raporti global i cili është titulluar “Krijimi i vlerave për të gjithë- strategjitë për zhvillimin e biznesit me të varfrit”, ka për qëllim zbutjen e papunësisë dhe varfërisë në Kosovë.

Raporti jep rekomandime se çfarë mund të bëjë biznesi, qeveritë, komunitetet, organizatat jo-qeveritare, donatorët dhe organizatat ndërkombëtare për të ndihmuar këtë proces.

“Për të tejkaluar pengesat që pamundësojnë kyçjen e të varfërve në biznes, sektori privat duhet të bëjë përshtatjen e produkteve dhe të shërbimeve, investimin në infrastrukturë apo në trajnime, për heqjen e detyrimeve, baraspeshimin e anëve pozitive të të varfërve, bashkëpunimi me bizneset, me organizatat jofitimprurëse apo me ofruesit e shërbimeve publike që kanë veprimtari të ngjashme”, thuhet në raport.


“Raporti fokusohet në ndihmën për të varfrit. Ky raport do të ndihmojë dhe do t’i ofrojë njohuri Kosovës, e cila konsiderohet të ketë nivelin më të lartë të papunësisë në rajon”,- tha Përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së, Frode Mauring.

Ai kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të përmirësojë kushtet e tregut dhe të krijojë kushte më të mira për investitorët.

Levent Koro, analist i programit për çështje ekonomike tha se të varfrit kanë një potencial shumë të madh ende të pashfrytëzuar të konsumit të prodhimit, të sjelljes së risive dhe të veprimtarisë ndërmarrëse.

Por, sipas tij, sa më shumë modele të bizneseve të integrojnë dhe të përfshijnë të varfrit, aq më të mëdha janë gjasat që kompanitë, të cilat ndjekin me sukses të ardhurat, të ndihmojnë në përmbushjen e objektivave zhvillimore të mijëvjeçarit.

“Sektori privat nuk ka mundësi që t’i përmbushë nevojat e të varfërve apo t’i aplikojë pengesat e zhvillimit të biznesit vetëm me të varfrit. Është mundësia e mirë të punohet me të varfrit mirëpo të punuarit me ta ka shumë sfida dhe ka kufizime të shumta në këtë drejtim".

Raporti global “Krijimi i vlerave për të gjithë- strategjitë për zhvillimin e biznesit me të varfrit”, është përgatitur në New York nga UNDP dhe është promovuar atje më 1 korrik. /Telegrafi/