LAJMI I FUNDIT:

Kush po i ndjek shqiptarët e Kosovës?

Kush po i ndjek shqiptarët e Kosovës?

Përgjigjja si pleksje venerimesh e përsiatjesh për shtjellën e trazimit që ka mbërthyer shoqërinë tonë

Në prag të përvjetorit të shtatë të pavarësisë së Kosovës, vendi ynë ka hyrë në një shtjellë trazimi e hutimi. I ranguar deri vjet ndër më optimistët në botë, populli ynë është dëshpëruar dhe acaruar keq në muajt e fundit. Kur nuk duket e polarizuar, si në protestat e janarit, shoqëria jonë shfaqet e paralizuar, në apati e agoni.


’Pavarësia nuk do të zgjidhë të gjitha problemet tuaja’, na thoshin bashkëbisedues ndërkombëtarë kur argumentonim me zell gjakimin tonë për liri, pavarësi e demokraci në kohën e lëvizjes pavarësiste të Kosovës, udhëhequr nga Presidenti Ibrahim Rugova, ndërsa Serbia okupatore me Millosheviqin përpiqej të zgjidhte përfundimisht çështjen e Kosovës me shtypje e gjak, me deshqiptarizim, me zbrazje të Kosovës nga popullsia vendëse.

Me vullnet, rezistencë e luftë, prej shqiptarësh e ndërkombëtarësh, Kosova fitoi lirinë dhe pavarësinë.

Si bëhet që pavarësia e shpallur dhe konfirmuar më 1990 dhe 1991 mbajti më gjatë frymën kuptimplote të mbijetesës e të nacionalizmit sesa pavarësia e 2008-shit? Sidomos kur dy partitë kryesore shqiptare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), me kredinë e krijimit dhe të mbajtjes së shtetit të pashembullt shqiptar të Kosovës të viteve 90-të, dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), si trashëgimtare e krahut të luftës së UÇK-së, e blatuar me lavdinë e çlirimtarëve, kishin përafërsisht 60 përqind të elektoratit në zgjedhjet e mbajtura më 2007 dhe 2014, në vigjilie të vitit mrekullitar 2008 dhe të vitit 2015, motit të vdarjes së mrekullisë, të ikjes masive të njerëzve me autobusë nëpër Serbi drejt Hungarie, Austrie, France e Gjermanie.

Kush po i ndjek shqiptarët e Kosovës me qindra e mijëra për ditë të Zotit këto javët e fundit? Dikush po, por kush? Ka shpjegim për këtë, por jo të thjeshtë, që jepet këtu si pleksje venerimesh, përsiatjesh e vramendjeje. Jo si rezultat studimi sociologjik, a tjetërfare.

Duke bërë një parabolë tjetër, do përkujtuar se lufta e shqiptarëve të Kosovës e viteve 90-të, me vullnet veprues, institucional e paqësor, por edhe me armë, kishte ngritur në piedestal një kulturë shtetformuese dhe pavarësie në frymë e në sjellje, ndërsa vitet 1999-2008, koha e protektoratit ndërkombëtar (UNMIK), një kulturë varësie, që ka gjëlluar e paprekur deri sot, ndonëse formalisht kemi pavarësinë e shtetit tash e shtatë vjet, por edhe ngrehinën shtetërore me të gjitha institucionet, pos ushtrisë. Për 15 vjet kemi zgjedhur elita politike që më shumë sesa përgjegjëse ndaj elektoratit të vet, që u ka dhënë besimin me votë, kanë qenë të ndëgjueshme dhe me kujdes të mos ua prishin terezinë prokonsujve ndërkombëtarë, profili i të cilëve ka shkuar duke rënë progresivisht, me arsye: bota ka gjetiu telashe të tjera, më të mëdha. (Kush e ka pasë zgjedhur politikanin jopopullor, Behgjet Pacollin, President të Kosovës në Kuvend, në kohën kur partia e tij kishte përqindje të papërfillshme njëshifrore në zgjedhjet popullore? Formalisht Kuvendi i Kosovës, me shkelje procedurale, ndërsa esencialisht ambasadori amerikan Kris Dell me Hashim Thaçin, liderin e PDK-së, në një shfaqje komike para syve të opinionit.)

Të kthehemi te pyetja: kush po i ndjek kosovarët prej vatrave të veta sot? Përgjigja e shkurtër, duket të jetë: edhe qeveria e sotme duokratike (Mustafa-Thaçi), edhe opozita (VV, AAK, Nisma), edhe shpresat e parealizuara, ëndrrat e papërmbushura të një pjese të popullsisë. Ëndrrat e papërmbushura, sa për fajin e elitave politike, aq për fajin e iluzioneve të një pjesë të njerëzve, të shpresave jorealiste. Pakkush është pa faj këtu. Pakkush pos fëmijëve tanë.

Ka kohë që Kosova ka jetuar në një qerthull mashtrimi të ëmbël, që sot ka shijen e pelinit. Me mashtrim për rritjen ekonomike prej 5-6% , që ishte veçse infuzion aftashkurtër nga investimet publike dhe remitencat bujare të bashkatdhetarëve. Me mashtrim të krijimit të ekonomisë së tregut duke privatizuar gjithëçka dhe lirë, që ka krijuar rishpërndarje të pashembullt të pasurisë nga shteti te një pakicë individësh që kanë sunduar me kredencialet e çlirimtarëve dhe me potencialin e shtrëngimit e të dhunës. Me mashtrim të synimit të shtetit të dijes. Çfarë shteti të dijes kur standardi i arsimit parauniversitar dhe universitar ka degraduar si rezultat i këtyre që kanë stisur sllogane të tilla, të ‘shtetit të dijes’? Çfarë shteti të dijes kur ka një konsensus të pashpallur, gati popullor, se masivizimi i shkollimit universitar është vetvetiu standard dhe arritje në ‘shtetin e dijes’? Shoqëria jonë, më tej, është mashtruar me idenë e paqes sociale, kur eksponentët e politikës u kanë dhënë e premtuar diçka pothuaj të gjithëve, prej pleqve, që marrin pension pse kanë pasur fatin e mirë të mbushin 65 vjet, të burgosurve politikë, të përzënve nga puna prej regjimit të Millosheviqit, deri te kategoritë e nënkategoritë e luftës, që kanë marrë e synojnë beneficione e pensione, por edhe regjistrim automatik të fëmijëve, pa asnjë kriter akademik, në Universitetin e Prishtinës.

Hashim Thaçi dhe rrethi i tij kanë krijuar një mjedis paradoksal shoqëror dhe ekonomik, një shtet që udhëhiqet nga parashteti, që do të jetë shumë vështirë të demontohet. Në emër të politikave të djathta, të ekonomisë së tregut, kanë privatizuar pothuaj gjithë ekonominë dhe pronën shoqërore, disa qindra milionë euro gjithsej, ndërsa kanë vendosur me ligje një sistem mirëqenieje sociale që nuk mund ta mbajë ekonomia e dobët private. Ky dyzim i ekonomisë së tregut dhe i socializmit nuk funksionon askund. Një shoqëri e kapitalizmit të dhembshëm (angl. compassionate capitalism) mund të funksionojë në Suedi a Britani të Madhe, vende me traditë shoqërore dhe ekonomi të zhvilluar, por jo në Kosovën e shkretuar ekonomikisht, ndër të tjera edhe si rrjedhojë e politikave të mbrapshta ekonomike të pasluftës në Kosovë.

Duoja aktuale qeverisëse, Hashim Thaçi e Isa Mustafa, premtonin në vitin e kaluar elektoral 120.000 – 200.000 vende për mandatin qeverisës që e kërkonin për partitë e veta, duke e ditur mirë ata vetë se kjo ishte e parealizueshme. Thaçi e ka bërë premtimin me një dysh e pesë zero, se kështu ka thënë gjëra që tingëllojnë mirë në veshët e elektoralit të tij klientelist (të gjithë në punë të shtetit ose përfitues nga skema të mirëqenies kombëtare e sociale, ose me shpresë se do të bëheshin të tillë, si të merituar). Isa Mustafa, profesor ekonomie, e ka bërë me një 12-she e katër zero, duke e ditur fort mirë, shumë më mirë se Hashimi, se kjo ishte e parealizueshme, por pa guxuar të mbetej shumë mbrapa rivalit të tij me premtime. Ramush Haradinaj premtonte rroga 1000 euroshe për të gjithë. Për utopinë e Albin Kurtit e të VV-së të mos flitet.

Shpresa se Lidhja Demokratike e Kosovës me opozitën e sotme do të mund t’i jepte fund qeverisjes së krimit e korrupcionit që i kishte prirë Partia Demokratike e Kosovës morën fund me dështimin e koalicionit të njohur si VLAN të gjysmës së dytë të vitit 2014 dhe me formimin e qeverisë së shumicës LDK-PDK-pakicat.

As Qeveria e sotme, me legjitimitet të padiskutueshëm të votës, as opozita, nuk frymëzojnë askë. Kjo, bashkë me apatinë shoqërore që ka përlarë vendin si rezultat i keqqeverisjes së mëhershme dhe iluzioneve që ishin mbjellur thellë te një pjesë e mirë e popullsisë shqiptare, janë ndoshta shkaku kryesor i eksodit tragjik të javëve e muajve të fundit. Mbasi kanë mashtruar këtë popull për kaq kohë, si Qeveria, si opozita, bëjnë sehir teksa votuesit e tyre të djeshëm me teshë e koteshë, me një përzierje vaji tragjik e shpengimi komik, kalojnë nëpër Serbi duke mësyrë Evropën. Me plagë të re, duke firuar substancën kombëtare shqiptare, elita aktuale politike rrezikon vendin. Natyrisht edhe ndryshimin e peizazhit elektoral nesër, por kjo ka më pak rëndësi tash.

Mbasi Qeveria dhe opozita nuk frymëzojnë, mbasi asnjëra duket se nuk paraqet alternativë për zgjidhje, kush mundet? Në raste të tjera do të ishte klasa intelektuale. Kjo jona, jo krejt pa fajin e vet, është strukur nga pushtetet formale e joformale, ngase është bërë edhe vetë pjesë e tyre herë-herë, duke humbur kështu pavarësinë. Se intelektual nuk është njeriu që ka mbaruar një master a doktoratë, por ai që ka dije e guxim, por edhe integritet moral e profesional, të thotë të vërteta që nuk i pëlqejnë shumicës, ndoshta as pakicës – të jetë politikisht jokorrekt.

Dhe njëmend kush ka mbetur sot, me ndopak kredibilitet, që mundet dhe guxon të thotë: në mashtrim kemi qenë, t’i mbledhim mendtë, të kthjellemi! Të mbyllim këtë plagë të hapur, të mendojmë e punojmë me kokë të ftohtë e zemër të ngrohtë!

Vendi prijës nuk ka, ndonëse ka President e Kryeministër. Vendi ka nevojë për kontratë të re shoqërore e politike që vë në baraspeshë mundësitë reale ekonomike dhe vlerat njerëzore e kombëtare, por edhe synimin për lumturi, që është edhe më i lartë, edhe më fisnik, se optimizmi proverbial i fillimit të këtij shkrimi.

Si do të bëhet kjo? Me revolucion jo, por me evolucion. Jo duke përmbysur qeverinë, se, siç është tani, opozita nuk paraqet kurrëfarë alternative të besueshme. Aq më pak duke rrëzuar shtetin, siç ka ndodhur në Shqipëri më 1997. Në muajt dhe vitet e ardhshme, kjo shoqëri duhet t’i heqë iluzionet për meritat e akumuluara, mbi bazë të të cilave mund të jetohet në të ardhmen, në një gjendje perpetuum mobile. Të nisë rimëkëmbjen e zorshme, të dhimbshme, të ngadalshme, por të sigurtë, me mend në kokë e këmbë në tokë, duke bërë reforma në arsim fillimisht, pastaj përpjekje për rimarrje të ekonomisë, të shëndetësisë e fushave të tjera të jetës. Por më së shumti, fillim e fund, me punë.

Kosova është tani në një gjendje pezull, potencialisht shpërthyese, për fajet e elitave që kanë qeverisur keq e mbjellë iluzione, por edhe të njerëzve që kanë gëzuar apo toleruar këtë çorbë keqqeverisjeje e pritjesh jorealiste. Për faj të pak iluzionistëve e shumë të iluzionuarve. Zgjedhjet a emërimet e këqija në vitet e fundit në vendet kyçe (në Presidencë, në Qeveri, Prishtinë, në Gjykatën Kushtetuese e gjetiu) kanë dëmtuar rëndë idenë e shtetit e të shoqërisë demokratike të qeverisur me vlera standarde, me dije e kulturë.

Një konservatorizëm shoqëror si pjesë identitare e shqiptarëve të Kosovës është dobësuar në stuhinë e globalizimit por edhe të forcimit të islamit politik, që po përpiqet ta postulojë veten si element qenësor identitar, duke mos pas qenë kurrë i tillë këtu te ne. Ky konservatorizëm e patriotizëm shqiptar, mund të induktojë realizëm e shpresë, besim për ndryshim. Shteti duhet të luajë rolin e vet këtu, gjithësesi, duke ndërmarrë fushatë vetëdijesimi kundër eksodit, por edhe masa kundër makinerisë që është vënë në shërbim të eksodit.

Në hutimin e përgjithshëm që mbretëron, në këtë udhëtim në pyll të errët pa busollë, kërkohet të gjendet udha, drejtimi. Kush e gjen atë? Të gjithë së bashku me vetëdijen se udha ka humbur. Kush e pranon i pari dhe nisë t’i bindë të tjerët? Dikush, dikah duhet me ia nisë. Me e rivendosë boshtin kurrizor të kësaj shoqërie, të këtij vendi, të kësaj Republike që e krijuam me luftë e gjak, por duhet ta gëzojmë me jetë. Për të gjithë ka vend nën qiellin e Republikës.