LAJMI I FUNDIT:

Kush është Qendresa Llugiqi, shqiptarja që raporton për krimet në gazetën zvicerane “20 Minuten”

Kush është Qendresa Llugiqi, shqiptarja që raporton për krimet në gazetën zvicerane “20 Minuten”

Të jesh shqiptare dhe të punosh në një nga mediumet më të rëndësishme në Zvicër siç është gazeta “20 Minuten”, është sfidë në vete. Gjithashtu integrimi i shqiptarëve në Zvicër është tepër i rëndësishëm edhe duke punuar e vepruar në institucione e kompani të ndryshme në këtë shtet.

Por një gjë e tillë për shqiptaren nga komuna e Lipjanit, Qendresa Llugiqi e cila tash e 26 vite jeton në një qytet zviceran afër Basel-it, nuk ka qenë aspak e vështirë pasi që talenti i saj për gazetari ishte vërejtur qysh në moshën e saj të re.


Llugiqi në një intervistë speciale për Telegrafi.com rrëfen për jetën dhe punën e saj në Zvicër.

Si një gazetare që raporton për fushën e krimeve, Qëndresa tregon edhe për vështirësitë që has gjatë punës së saj. Ajo në fund jep edhe një mesazh për të gjithë sesi duhet luftuar për qëllimet dhe ëndrrat që kemi.

Intervista e plotë:

Telegrafi: Fillimisht na flisni pak për vetën tuaj, kush është Qendresa Llugiqi?

Llugiqi: Jam një shqiptaro-zvicerane që jetoj afër Baselit. Nga Kosova vi nga fshati Dobrajë e Madhe, komuna e Lipjanit. Më 30 nëntor unë shënova ditëlindjen time të 30-të. Kam pasur një jetë kaq prekëse saqë kurrë nuk kam menduar se do ta arrij ketë moshë dhe madje do të jem e kënaqur. Ishin 30 vjet plot jetë – vite në të cilat gëzimet dhe hidhërimet ishin deri më tash në ekuilibër. Jam e martuar me shpirtin tim binjak dhe kamë një djalë tre vjeç, Noah Akil dhe së fundmi para disa dite ka ardhur në jetë edhe djali im i dytë, Eneo Hero. Jam partnere dhe nënë me zemër dhe shpirt. Kjo do të thotë se unë jam një luaneshë kur bëhet fjalë për familjen time dhe jam shumë krenare për ta. Sa i përket personalitetit tim, jam një femër luftëtare, e pavarur dhe e dua lirinë – veçanërisht lirinë shpirtërore. Ashtu siç kam një shpirt të fortë edhe kam shumë zemër, jam shumë shoqërore, emocionohem shpejt por jam dhe shumë temperamente.

Telegrafi: Sa kohë keni që jetoni në Zvicër?

Llugiqi: Si e vogël unë udhëtova me nënën time në Zvicër për të vizituar babanë tim, i cili ka jetuar dhe punuar më parë këtu. Ne jemi vendosur në Zvicër në vitin 1994.

Telegrafi: Prej nga lindi dëshira që të merreni me gazetari?

Llugiqi: Gjithmonë më ka pëlqyer të shkruaj, është vërejtur dhe gjatë kohës në shkollë. Kur isha më e re megjithatë e shihja veten më shumë si autore apo kolumniste – si p.sh kolumnistja fiktive Carrie Bradshaw në Sex and the City – sesa si reportere që merrej me përplasje dhe krim (Crash & Crime) dhe “dhe fut hundën e saj kudo” hahaha. Talenti im si reportere u vërejt gjatë praktikës time në zyrën rajonale të “20 Minuten” në St. Gallen. Falë suksesit tim rajonal, arrita në zyrën kryesore të “20 Minuten” në Zürich.

Telegrafi: Sa ka qenë e vështirë për ty si shqiptare që të gjeni vend pune e veçanërisht në njërën nga gazetat më të rëndësishme në Zvicër siç është “20 Minuten”?

Llugiqi: Gjatë kohës në shkollë i mbaja (i ruaja) gazetat interesante e “20 Minuten”. Kush do ta mendonte se do të punoja për “20 Minuten” ndonjëherë. Në retrospektivë nuk duket aq e vështirë…Është e vërtetë që ka paragjykime – nga të dy anët dhe në çfarëdo lëmie. Për shembull: disa shqiptarë më kanë thënë se si shqiptare nuk kam asnjë shans me një medium kaq të madh zviceran dhe se mediat zvicerane vetëm duan të përfitojnë nga unë. Disa shqiptarë e kishin këtë mendim sepse ata ndoshta kishin pasur përvoja të këqija vetë. Të tjerët ndoshta e kanë thënë vetëm nga zilia / inati. Paragjykime kishte edhe prej zviceranëve. Ish-shefi im njëherë me tha: kurrë nuk do të kisha menduar që e ke shkruar vetë kërkesën tënde (të punës) derisa të pashë drejtpërdrejt që ti në të vërtetë e shkruaje kaq mirë. Për mua kjo është qartë një shenjë se ka pasur paragjykime bazuar nga prejardhja ime. Por puna ime flet vetë dhe me një zë të lartë – edhe nëse ka dhe do të ketë gjithmonë njerëz që mohojnë përpjekjet, punën dhe talentin e një personi.

Telegrafi: Ju raportoni për fushën e krimeve, Zvicra njihet si vend i qetë a ju bie shumë për të raportuar për krime?

Llugiqi: Sipas mendimit tim është e vërtetë që gjërat janë pak më të qeta në Zvicër sesa në Kosovë ose Amerikë, për shembull. Thjesht këtu ka një “ajër” tjetër. Por fusha e “krimit” është e gjerë dhe kështu çdo ditë ka lajme që duhet të tematizohen nga një gazetë e rëndësishme si që është “20 Minuten”.

Telegrafi: Na tregoni ndonjë moment që keni pasur vështirësi gjatë punës tuaj?

Llugiqi: Ka disa momente kur puna ime nuk ka qenë e lehtë. Kryesisht ishin rastet kur ishin të përfshirë dhe fëmije. Për shembull: edhe pas pesë vjetësh më trishton një rast në të cilin një çift ngadalë e linin fëmijën e tyre të vdiste. Një rast tjetër që vazhdon të më shqetësojë është ajo në të cilën një e re shqiptare nga Berni, D. Z, e cila vdes në mënyrë misterioze në mes të Prishtinës. Unë pashë videon e policisë, lexova raportet mjekësore dhe fola me familjen. Një vetëvrasje e përfaqësuar nga autoritetet kosovare është, për mendimin tim, e pamundur. Dorën në zemër: për mua është një rast tipik që tregon se sa larg është Kosova nga drejtësia. Dhe se drejtësia është shumë elastik atje – formohet ashtu siç ju përshtatet disa individëve, dhe kjo është një dobësi që mund të ndikojë shumë në shtet.

Telegrafi: A ka raportime për shqiptarët në përgjithësi në gazetën “20 Minuten”?

Llugiqi: Në Zvicër jetojnë shumë shqiptarë, mendoj se është e vetëkuptueshme që ekziston një probabilitet i lartë që ata të paraqiten në lajmet zvicerane herë pas here. Qoftë si histori suksesi të tilla si kuzhinierja Miri (Miri from my baguette) apo flokëtarja Ajkune apo për shkak të talentit ose personalitetit të tyre të fortë si në rastin e Xherdan Shaqirit dhe Granit Xhakës apo edhe në çështje gjyqësore. Por unë do të doja të hiqja qafe diçka, sepse kam vërejtur se ka paragjykime të mëdha e kam provuar edhe vet. “20 Minuten” kurrë nuk ka dashur të ulë gradën e komunitetit shqiptar, gazeta raporton sa më neutral. Por e kam vërejtur që shqiptarët i besojnë gazetarisë edhe më pak se zviceranët. Ata gjithashtu kanë paragjykime më të mëdha, veçanërisht nëse gazetari është vetë shqiptar. Ai/ajo barazohet thuajse me një spiun nëse shkruan për raste te cilat e përfshinë komunitetin shqiptar.

Telegrafi: Përveç teje që jeni shqiptare, ka ndonjë shqiptarë tjetër që punon bashkë me ju?

Llugiqi: Disa shqiptarë kanë punuar ose punojnë për “20 Minuten”, por në sektorë sikur Sport ose Social Media. Gjithashtu është e qartë që një medium i tillë ka nevojë për përfaqësues të popullit tonë.

Telegrafi: Cili është mesazhi juaj për vitin 2021?

Llugiqi: Mesazhi im për 2021 është shumë i thjeshtë, është diçka që ndoshta vlen për gjithë jetën: Mos u dorëzoni kurrë, luftoni për ëndrrat tuaja. /Telegrafi/