LAJMI I FUNDIT:

Kur “specia” zë foltoren…

Kur “specia” zë foltoren…
Ilustrim

Lajmi u përhap herët. Hija e dinte se rrezet e para të diellit e largojnë lugatin nga viktima. Dritës, moti nuk i bënte ballë. Ky fakt e tmerronte fare. Vendosi të shkelte edhe mbi frikën që ndjente nga drita e Diellit. Gjithçka ishte gati për fjalim rasti.

Masa e njerëzve qëndronte ngrirë. Nuk kishte më shumë se tri shkallë deri në podium, por atij po i dukeshin treqind. Frikohej shumë, mos do ta tradhtonin këmbët, por dy herë më tepër frikohej mos po e lëshonte zemra. Frikohej se mund të mos arrinte shkallet fare. Gjithçka i dukej e zbehtë, pa shpirt e pa zemër, siç ishte vet. Gjithçka i dukej edhe pa emër. Kështu donte ai, dhe mësonte fjalimin në errësirë. Donte ta dëgjojnë të gjithë, por mos te shoh njeri të gjallë para tij.

Nuk kishte emocion fare, por as që kishte pasur ndonjëherë. Frikohej se po të lëshonte këtë rast për fjalim, mund të përpinte terri përgjithmonë. Jeta e tij varej nga i vdekuri, për të cilin ishte thirre komemoracioni. Krahasonte lartësinë e tij në këmbë, me atë të të vdekurit shtrirë në arkivol. Përherë e ka pas sëmundje dëshirën për fjalime në kësi rasti. Gjithçka e frikësonte atë ditë kur u përhap lajmi, por nuk e kishte imagjinuar kurrë frikën që e kaploi nga dëshira për t’u dukur para masës.


I shkoi mendja mos është shndërruar edhe vet në hije duke iu shmangur dritës me vite. “Një herë vjen vera kah dera” thotë populli ! Kishte rast të duket i gjallë, pasi e kishin fshi moti nga “defteri”. As lëçitja e nuk e pengoi për të folur atë ditë.

Donte atë ditë specia të thoshte diçka kundër historisë, por frymën po ia zinin kolosët e atdheut. Donte atë ditë të futej në histori përmes arkivolit të të vdekurit, për të cilin ishte thirr komemoracioni. Donte atë ditë të mbante një fjalim e të mos përdorte tridhjetë e gjashtë shkronjat e alfabetit shqip të Manastirit. Donte të fliste me gjuhën e tij për të cilën tha se është në gjendje edhe ta sulmojë secilin, që e kundërshton. Donte, por e kishte të vështirë të besonte se duhet të flas shqip, ngase, soji i tillë nuk ka pasur asnjëherë as alfabet e as gjuhë amtare të shkruar. Donte të murmuriste siç ka bërë gjithmonë me atë alfabetin dhe gjuhën e huaj dhe të thoshte para të gjithëve se alfabeti dhe gjuha e sotme shqipe nuk janë të denja për te dhe të sojit të tij.

Ai po i frikësohej prezencës së mbi pesëqind dëshmitarëve në sallën e mbushur plot. Doli atë ditë për t’u përpjekur, që në një komemoracion, para auditorit, të dëshmojë se mbi ketë dhe është vetëm ai dhe asnjë tjetër. Atë ditë e pa mirë se, më autoritet kishte i vdekuri në arkivol se ky i gjallë, por nuk donte të besonte. Donte të fliste me çdo kusht, po diçka po ia ngushtonte fytin.

Donte të fliste për vetën, jo për të vdekurin për të cilin ishte thirr komemoracioni. Donte të thoshe se as dëshmitarët në sallë, nuk janë realë, dhe as vdekja për të cilin ishin tubuar ata, nuk ishte e vërtetë. Donte ai diçka më shumë atë ditë, po historia ia kishte kapur fort zemrën (nëse kishte fare) dhe ia zinte frymën. Sa shumë dëshirë kishte që në këtë çast, të ishte vet në arkivol, në vend të të vdekurit, por pesëqind dëshmitar në sallë, ishin shumë për vdekjen e tij.

Fytyra nuk iu zbeh fare, ngase i mungonte. Me siguri, këtë e ka dënim nga Zoti. Ai as nuk skuqej e as nuk zverdhej. Donte të thoshe atë ditë se gjithçka thuhet e përflitet është vetëm një ëndërr. Donte të thoshte se këtu nuk ka pasur asnjëherë njeri, as histori. U përpoq atë ditë për t’iu shmangur edhe alfabetit të gjuhës shqipe. U përpoq të dëshmojë se, alfabeti ynë nuk i ka tridhjetë e gjashtë shkronja.

Donte atë ditë të mos fliste as shqip. Donte të thoshte me zë se, gjuha shqipe nuk ekziston, e as që ka ekzistuar ndonjëherë. Punën e zemrës po ia pengonte historia, e cila mban mend çdo gjë. Atë ditë e panë, jo vetëm të pranishmit në sallë, por edhe me mijëra të tjerë nga ekrani. Atë ditë, donte të mendonte se, në sallë nuk ka asnjëri. Kështu e ka çasti, kur dykëmbëshi me sy në ballë, nuk sheh dhe donë ta shohin të tjerët, por të mos flasin për te.

Donte të llomotiste për një njeri të vdekur, pa pranuar se, ai kishte jetuar deri dje. Lexoi e shpresoi se askush nuk do të kuptojë asgjë.

At ditë komemoracioni, para më shumë se 500 dëshmitarëve, ai doli si një specie e veçantë, ashtu siç ka qenë gjithmonë. E kanë parë atë ditë më shumë se pesëqind dëshmitar se, fytyra e tij ishte po ajo me të cilën e kanë njohur dhe lëçitur moti. E kanë parë të gjithë se si, gjithmonë e kanë penguar tridhjetë e gjashtë shkronjat e alfabetit të gjuhës shqipe.

Fjalori me të cilin iu drejtua auditorit dëshmoi se, ai nuk kishte dalë për të folur për të vdekurin, për të cilin ishte thirr komemoracioni, por për të dëshmuar se ende jeton. Foli atë ditë, pasi arkivoli nuk fliste. Atë ditë, e dinte mirë se më autoritet kishte i vdekuri në arkivol se ai në foltore.

Fjalimin e pati sa të shkurtër në një anë, aq të gjatë në anën tjetër. Nuk lexoi më shumë se një faqe shkrimi, por djersitja e ftohtë i shihej nga larg. Të gjithë e vërenin këtë, vetëm ai nuk po e shihte vetveten. I gjithë auditori, atë ditë e pa në rolin e vërtetë të tij, rol të cilin s’do ta pranonte njeri. E pati vështirë ta shkruante fjalimin pa përdorë tridhjetë e gjashtë shkronjat e alfabetit të cilin e bënë kolosët e Manastirit. Po, gjuha e njësuar letrare, për te ishte fatkeqësi…

E kishin rrethuar atë ditë specien, Naimi, Samiu, Çajupi, Kristoforidhi, Noli, Mjeda. Fishta, Çabej, Ajeti, Bokshi, Xhuvani, Kadare…

Nuk po kuptonte vetëm një të vërtetë se, hyrja në derën e historisë është e ngushtë dhe jo gjithkush mund të ballafaqohet me kolosët e kombit. Ai kurrë nuk kishte lexuar se, Kristoforidhi botonte shkrimet e tija, herë në gegërishte, e herë në toskërishte, vetëm për të dëshmuar se, gjuha jonë është një, dhe nuancat që i dallojnë dialektet, nuk janë të pakapërcyeshme.

Sikur donte të thoshte e pohonte me çdo kusht se – historia fillon nga unë!

Sa e sa herë është shkruar e përfolur gojë me gojë, sa e sa herë është shkruar me gjakun e bijve më të shtrenjtë të këtij populli historia që kurrë nuk arriti të zërë rrënjë e të rritët e zhvillohet siç na ka hije. Serish dhe përherë nga zeroja, përherë nga dhembjet, dhe prapë e njëjta gjë, e njëjta fatkeqësi, deri në pafundësi, në pa kufi, një Zot e di.

Thonë dikur paskan qenë do fise, pastaj edhe njëfarë zot e di, ishte shtet a perandori, e quhej Iliri, e pastaj me qindra vjet errësirë, dhe ku ta di njeriu çka ishte dhe si e quanin, – vetëm jo me emrin e vërtetë, Shqipëri. U sollën këndej gjithfarë barbarësh e pushtuesish; romak, sllav, turq, grek, bullgar, gjerman, italian e pastaj, prapë serbo-sllav, dhe serish errësirë, mizori, barbari dhe pak Shqipëri.

Asnjëherë dhe kurrë nuk i munguan djemtë e Skënderbeut, veç kurrë njëherë nuk mësuam amanetin e vetë tokës mëmë se; çka është atdheu. Sa ushtarë mori nga këto troje pushtuesi, veç një zot e di, sa djem e burra tanë, luftuan nëpër botë, deri në Jemen, në Arabi, në Azi, në Rusi deri në Indi, vetëm pak për Shqipëri. Askush varret e tyre nuk ua di e as që dikush është përpjekur ndonjëherë ta di. Po ata atje kur kanë rënë, kanë një emër, një uniformë e një gradë me emrin e perandorisë të cilës i shërbenin.

“Kush nuk e respekton historinë ai do ta përsërisë”, thotë një fjalë e urtë. “Kush nuk e donë ushtrinë e vet do ta ketë të huajën”