LAJMI I FUNDIT:

Kur bota si gjetiu, nuk sillet edhe në qytetin tim!?

Duke pastruar vitrinat e dhomës sime të punës, në këto ditë të ngrohta maji 2009, nga polica e libra, vëmendjen tima ma tërhoqi një notes me mbështjellëse lëkure, të cilin e dallova menjëherë se ishte fletore e dikurshme e shënimeve dhe ditarit tim të luftës dhe ngjarjeve tjera të pasluftës, para dhe pas bombardimeve të NATO-s në Kosovë. Gjatë shfletimin dhe leximin me vëmendje të faqeve të notesit në fjalë, pak më gjatë u ndala tek njëra fletë ku ishte shënuar data: (qershor 1999)…
Pasi me një vëmendje të madhe e lexova dhe e rilexova disa herë atë pjesë, aty për aty, nga goja, me zë më rrodhën fjalët:
– “Interesant! Sikur bota sillet çdo kund e te ne as që e luan vendin?!”

Dikur (qershor 1999)…


“E dija se Prizreni është qytet historik pranë Lumëbardhit gjarpëror, dhe bukuroshja e gjithë Arbërisë. Po ashtu, e dija se Prizrenin si qytet e identifikojnë edhe shumë karakteristika tjera specifike që e dallojnë nga vendet tjera të Kosovës, si bie fjala: maniret e sjelljes aristokrate, traditat e shumta të shënimit të ceremonive të ndryshme, esnaifia, nga pak edhe koprracia, shqiptarët që mendojnë turqisht e flasin shqip…etj. Kohën e fundit duke medituar pak më shumë për mentalitetin tonë prizrenas, gjithnjë e më tepër bindesha se në praktikën e saj ekziston edhe një praktikë vepruese e mentalitetit tonë specifik, e që unë e quajta si “MEKANIZËM I MARRJES ME THASHETHEME”.

Gjersa isha në vitet e para të gjimnazit, të them sinqerisht, i lakmoja, por edhe i xhelozoja disa persona të qytetit tim, të cilët ishin përplot “talent” dhe elan të pashoq, për të qenë të përfaqësuar në çdo vend. Ata, me prezencën e tyre, imponoheshin kudo dhe ishin përherë në qendër të vëmendjes. Unë i quajta “ENCIKLOPEDISTË” apo “UNIVERZALISTË”. Hapej një shkollë, një klub letrar, manifestim sportiv, apo organizohej ndonjë veprimtari tjetër kulturore-artistike, dhe ata ishin gjithnjë aty. Propozoheshin mes vete dhe zgjidheshin kryetar, sekretar, anëtarë të kryesisë, shpalleshin poetë më të mirë, gazetarë më të shquar…etj.

“S’ke se çfarë të bësh”- i jepja unë gajret vetes – “Ata publikisht ishin promovuar si talente dhe bartës të të gjitha aktiviteteve të qytetit tim”. E, unë, me dyshimet e mia në vetvete dhe i mbushur përplot komplekse, nuk më mbetej gjë tjetër, veçse ta mallkoja veten pse nuk kam qëlluar aty afër, kur Zoti u ka ndarë njerëzve talentet!

E tëra kjo, aspak s’do të ishte interesante, sikur “universalistët” dhe “enciklopedistët” e mi nuk i hasa edhe në një veprimtari pak sa më serioze dhe më të komplikuar për nivelin e tyre intelektual – POLITIK. Ata, atëbotë, edhe në këtë sferë ishin kudo! Në LKJ-të, LSPP-të, LRS-të, LS-të, e sa e sa “lidhjeve” tjera të asaj kohe.
Ishin prezent kudo, dhe dukej sikurse qyteti i Prizrenit nuk kishte njerëz dhe kuadro tjerë të aftë!
Vitet kalonin. Çdo gjë ndryshonte me të shpejtë. Armiku ynë i përbetuar më në fund hoqi maskat dhe tregoi fytyrën e vet të vërtetë. Populli im, nga një pushtim i heshtur aktiv, ra në një robëri mesjetare. Diskriminimet dhe segregacioni dukeshin në çdo pore të jetës.
Inteligjence jonë kudo poshtërohej. Mijëra e mijëra njerëz të mbetur pa punë. Shpirti i këtij populli – universiteti dhe arsimi, u goditën ashpër deri në zhdukje.
Errësirë totale për një populli të lashtë dhe madhështor. Vetë momenti impononte se duhet të fillojë një epokë e re e mobilizimit të masave për një rezistencë popullore.
Eureka! Brohorita!

Më në fund i erdhi fundi “enciklopedistëve” dhe “universalistëve” të mi.
Mendova:” Gjatë këtyre sfidave të shumta që na prisnin në të ardhmen, do të na nevojiten njerëz të sinqertë, të mençur, të urtë dhe të aftë për profesionin e tyre, e jo si dikur, me ata “enciklopedistë” dhe “universalistë” që mendojnë se dinë çdo gjë”.
Merreni me mend se sa isha zhgënjyer?!

Përsëri, edhe në kohën e rezistencës sonë të”famshme paqësore”, sërish, të gjitha aktiviteteve u prinin “universalistët” dhe “enciklopedistët” e mi të njohur. Ata, përsëri ishin kudo në aktivitetet e institucioneve të pushtetit të krijuar paralel. Bile, i kishin edhe lokalet e veta ku takoheshin. Madje, ishte bërë shprehi që secili që e konsideronte veten nga pak intelektual, preferohej që të duket në këto lokale dhe të shihej ndonjëherë në shoqëri të tyre. Vaj hallin për cilindo individ, që me vetiniciativë dhe pa dijen e këtyre “daive”, tentonte të ndërmerrte diçka. E priste dënimi i ditur dhe i pashmangshëm: diskreditimi total përmes metodës tanimë të dëshmuar praktike – asaj të
“THASHETHEMEVE”.

Në anën tjetër, situata politike në vend, dita-ditës tensionohej. Filluan protestat e mëdha popullore, në skenë doli UÇK-ja, e cila, e vetmja filloi të na ngjallte shpresën e një çlirimi të afërt që veç kishte filluar të na duket nga pak në horizont.
Më pas, si rrjedhojë e vazhdimësisë së kohës, erdhën bombardimet, NATO-ja, dhe më në fund kapitullimi i armikes sonë të përbetuar.

Me flamurin kombëtar në ballë, formacionet legjendare ushtarake të UÇK-së, veç ishin në Prizren. Në Prizrenin tim të çliruar. I kapluar nga gëzimi dhe entuziazmi i pa përshkruar i këtij çasti historik, kot kërkoja në mesin e këtyre të rinjve trima dhe krenarë, ndonjë nga “universalistët” dhe “enciklopedistët” e mi! Nuk e pashë asnjërin. Nuk i pashë, sepse ata nuk ishin aty. Ende nuk ishin kthyer nga Shqipëria…!”

Dhe sot (fund maji 2009) …

Kjo storie e prezantuar e kohës, me kujtimet e mia nga ditari i pasluftës, sikur aspak nuk ndryshon edhe sot. Në të gjitha vendet më me përgjegjësi dhe të paguara më së miri, kudo mund t’i hasësh sërish ata: “enciklopedistët” dhe “universalistët” e mi të mëparshëm.

Vërtetë edhe sot ata janë kudo dhe në çdo vend: në strukturat e shumë degëve të partive politike, deputetë, udhëheqës të firmave më rentabile tender-përfituese ; nëse jo vetë si aq të eksponuar, padukshëm janë të përfaqësuar përmes fëmijëve, grave, dhe familjarëve të tyre që i kanë të punësuar veçanërisht nëpër vende pune të paguara më së miri, sikurse janë, ta zëmë, bankat komerciale, fondacionet e ndryshme ndërkombëtare, si anëtar në ndonjë bord të ndërmarrjeve publike etj.

Kur një ditë, me një mik timin dhe në favor të vërtetimit të kësaj teze, i numëruam dhe i klasifikuam me përpikëri individualisht dhe me mbiemra të familjeve të në vende më të kërkuara dhe më të paguara të punës në qytetin tonë, konstatuam me përpikëri atë në të cilën edhe nuk dyshonim: sërish ata dhe familjarët e tyre të :”enciklopedistëve” dhe “univerzalistëve: të mijë nga ditari i para 10 viteve.

Bile-bile, të duket se për disa nga ta, vlerësime me karakteristika më pozitive në CV-të e tyre të punësimit, i kishte plotësuar vetë: UDB-a, LSPPJ, LRSJ e dikurshme…. etj.
O tempora, o mores!

Ta lëmë anash me këtë rast ndërgjegjen time, e cila, për këtë gjendje në të cilën gjendem, një kohë të gjatë po më brenë pa masë, ama, si ta marrë unë guximin dhe haptazi të pranoj para fëmijëve dhe familjes sime, të cilët më akuzojnë pa ndërprerë për këtë gjendje, se, unë, bashkëshorti dhe babai i tyre, sikur përpara lufte, ashtu edhe sot, gjithmonë kam qenë “askushi” dhe “kurkushi” dhe, sikur po na shkojnë punët sot, as që pritet shpejtë të ndryshoj diçka në këtë drejtim.

Mbase, kështu do të jetë edhe gjatë… por, ju garantoj se jo gjithmonë?!