LAJMI I FUNDIT:

Kur Aleksandër Vuçiqit i mungon urtësia dhe inteligjenca

Kur Aleksandër Vuçiqit i mungon urtësia dhe inteligjenca

Në një takim pune që është mbajtur në Preshevë të hënën, me iniciativën e Jonuz Musliut në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, ku morën pjesë trupi politik i shqiptarëve të këtij rajoni, janë dakorduar që më 12 shtator të organizojnë një mbledhje me përfaqësues të tri komunave: Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc. Sipas deklaratës së Musliut, çdo gjë është gati që të shtunën të aprovohet deklarata politike që do t’ i vinte themelin Asociacionit të Komunave Shqiptare në Jugun e Serbisë.

I menjëhershëm ishte reagimi i kryeministrit Aleksandër Vuçiq.


Ai ka reaguar ashpër, plot mllef lidhur me paralajmërimin e liderëve shqiptar të Kosovës Lindore për krijimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare. “Serbia do të dijë se si të reagojë – me urtësi dhe inteligjencë. Ndërkaq, nëse do ta kërkojë nevoja do ta tregojë fuqinë”, u shpreh ai në një intervistë dhënë TV serb.

Vuçiqi në prag të zgjedhjeve në Medvegjë ishte me një eskortë të veçantë, duke i dhënë rëndësinë që nuk e kanë dot këto zgjedhje. Sipas tij, në Medvegjë shqiptarët përbëjnë vetëm 6-7 për qind të numrit të përgjithshëm të popullsisë. Tutje, pas kësaj deklarate që bie ndesh me të dhënat zyrtare të Beogradit mbi përqindjen e popullsisë shqiptare në Meditë, ai vazhdoi se tek pastaj “do të shohim kush do të fitojë, Partia Progresive Serbe apo Partia Demokratike Shqiptare”, duke ironizuar me kryeministrin shqiptar Edi Rama.

Le të përkujtojmë me këtë rast të dhënat zyrtare serbe, sipas regjistrimit të popullatës nga viti 2002. Në Komunën e Medvegjës, sipas këtyre të dhënave zyrtare, janë 10.760 banorë – prej tyre 28.60 për qind janë shqiptarë. Këto të dhëna duket se ose nuk i njeh Aleksandër Vuçiqi, ky pinjoll i Vojisllav Sheshelit, ose pretendon që prezencën shqiptare atje ta sjell tek shifra e potencuar. Mundet që Vuçiqi, duke pasë në ndërdije pikërisht faktin se serbët në numrin e përgjithshëm të popullsisë në Kosovë sillen tek 6-7 për qind, artikulon në formë të lapsusit këtë të pavërtetë publike.

Shih për këtë, dalja e sa më shumë shqiptarëve në zgjedhje, duke përfshirë edhe ata që ndërkohë janë zhvendosur në Kosovë, por që gëzojnë të drejtën e votës në Medvegjë, dhe pjesëmarrja masive në këto zgjedhje, do t’ia dëshmonte më së miri, jo vetëm Vuçiqit, përqindjen reale të shqiptarëve në Medvegjë.

Natyrisht, kjo prezencë do të dëshmohej edhe më bindshëm kur pjesëmarrja të jetë jo vetëm masive, por edhe vota të hidhet në kutitë e votimit duke gjykuar shqip.

Në garën për të përcjellë mesazhe sa më të dhunshme u angazhua ndërkohë edhe ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, pinjolli i Milosheviqit, por duke i ngatërruar pozicionet që kishte dhe ka në këtë epokë të “tranzicionit” kuazidemokratik serb, meqë sa herë ai iu drejtohet shqiptarëve, artikulohet si kryexhandar, pavarësisht se aktualisht mban postin e ministrit të Jashtëm.

Në këtë linjë të reagimeve me frymë tërësisht antishqiptare vjen edhe Millovan Dreçun, përndryshe kryetar i komisionit parlamentar të Serbisë për Kosovën. Madje, për të rrumbulluar këtë koherencë dhe konsistencë konceptuale alogjike dhe rrjedhimisht edhe antishqiptare, ai tërheq vërejtjen se formimi i “Bashkësisë së Komunave Shqiptare në Serbi nuk mund të bëhet e as trajtohet në korelacion paralel me Asociacionin e Komunave Serbe”!

Sipas tij, paralajmërimet për themelimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare kanë të bëjë me zgjedhjet në Medvegjë, që janë planifikuar të mbahen të dielën dhe kanë për qëllim internacionalizimin e çështjes së Luginës së Preshevës.

Lidhur me themelimin e Bashkësisë së Komunave Shqiptare (BKSH) ne Serbinë jugore, më në fund Brukseli ka thyer heshtjen. Sipas zëdhënëses së Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme, Maja Kocijançiq, Bashkësia e Komunave Serbe është rezultat i negociatave të veçanta të dialogut Beograd-Prishtinë.

Brukseli edhe në këtë kuadër, madje edhe kur është fjala për të njëjtën materie, Kosovën dhe shqiptarët e Luginës i trajton në shpërputhje me dokumentet bazë që rregullojnë çështjen e minoriteteve. Për Brukselin pakica serbe në Kosovë rrjedhimisht nuk është dhe nuk mund të trajtohet si pakicat tjera kudo në Evropë! Kocjançiq shprehet decidivisht: “Kur është fjala për pakicën shqiptare në Serbi, Serbia është angazhuar të zbatojë politikat ndaj pakicave kombëtare, që janë në përputhje me detyrimet e parashikuara në Konventën Kornizë së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen pakicave dhe Kartën Evropiane për të mbrojtur pakicat, gjuhën, simbolet dhe mes tjerash kulturën”! Ndërkaq, fare në fund të deklaratës së saj, ajo shqiptarëve megjithatë ua thotë një të vërtetë domethënëse: “Ne në Bruksel i kuptojmë shqetësimet e shqiptarëve nga Lugina e Preshevës, por kjo e tëra varet nda dy kryeministrat. Prandaj, për Luginën e Preshevës mund të flitet në Bruksel, nëse pala serbe dhe kosovare janë dakord dhe se kjo pyetje para Brukselit duhet shtruar së pari autoriteteve në Beograd dhe atyre në Prishtinë.”

Por, nëse nga pala serbe pati reagime të koordinuara dhe me mesazhe të qarta, kjo nuk mund të thuhet për palën shqiptare.

Për fat të keq, disi në heshtje, si në Prishtinë edhe në Tiranë, u tumirën reagimet e Vuçiqit! Ndërkaq, nga një pjesë e analistëve dhe opozitës, sidomos në Preshevë edhe Prishtinë, meqë në Tiranë për këtë u hesht fare (!), pati shkarje të plotë, duke e cilësuar paralajmërimin për miratimin e deklaratës politike për Asociacionin e Komunave Shqiptare në jugun e Serbisë, si përpjekje për të relativizuar “Zajednicën” serbe në Kosovë!

Kjo heshtje e Tiranës dhe e Prishtinës, por edhe e disa qarqeve në Preshevë e Prishtinë, flet qartë se palës shqiptare i mungon një platformë politike e mirëqenë për Kosovën Lindore.

Krijimi i Bashkësisë së Komunave Shqiptare në jugun e Serbisë, ka ardhur çasti historik të kuptohet si gurthemel i kësaj platforme politike të munguar.

Paralajmërimin për krijimin e Bashkësisë Shqiptare në Kosovën Lindore, shih për këtë, nuk duhet shikuar si akt politik për relativizimin e “Zajednicës” në Kosovë, por si veprim strategjik dhe presion ndaj Serbisë që ajo të shtrëngohet të ndalet.