LAJMI I FUNDIT:

Kuptimi i drejtë mbi premtimin

1. Me duket më pak e turpshme të jesh hajdut e horbut se sa të mos plotësosh premtimin e dhënë, posaçërisht nëse ai premtim është një dhuratë e vogël, diçka simbolike, një falënderim i vogël… Hajduti nganjëherë ka arsyetimin besa edhe të dhimbshëm; ka vjedhur për kafshatën e bukës, po ti që premton…? Pse premton? Sidomos pse të premtosh pasi ke pasur atë që ke dashur o që ke pasur nevojë, e fitove pa asnjë kundërshpërblim, ta dhanë nga respekti…

2. Nuk flas këtu aspak për premtimet parazgjedhore, por edhe të gjithë kohës që bëjnë politikanët. Oh…, ata sikur të kishin buxhetin e SHBA-ve dhe të BE-së nuk do të mund t’i plotësonin premtimet e tyre; vetëm njërit nga to bile nuk do ti mjaftonte ky buxhet e ku më për të gjithë turmën e premtueseve.


Premtimet kryesisht janë varreza pa nam e nishan, as rrasë as mermer nuk iu gjinden shenja në asnjë vend, në asnjë kënd. Por premtimi, me gjithë peshën që ka, bën pjesë të veçantë në gjirin e sjelljeve dhe karakterit të personalitetit shquar si veti morale dhe si edukatë. Ai është kontrovers gjer në paradoks si strukturë në shqyrtimin filozofik dhe psikosocial.

Premtimi është diçka që kalon nëpërmes fjalës së dhënë “po, bën” dhe nga ky moment, hyn në fazën e dhënies që më së miri definohet si dhuratë sepse perceptohet si e tillë në thelbin e parimit të moralit (dhe etikës) nëpër mijëvjeçarë. E pra kemi të bëjmë kryekëput me fjalën e dhënë. Përsëris se me këtë, hyjmë në botën e të dhënurit që nuk nënkupton, domethënien dhe objektin, por vlerën morale të subjektit. Edhe nëse përmbajtja mund të jetë e konsiderueshme dhe mbisundon në mes subjekteve, është akti i fjalës së dhënë që llogaritet, sepse përbën çështje të madhështisë. Fjala e dhënë, është vlerë kurse plotësimi i saj dihet se qëndron jashtë parametrave faktikë relevantë, sepse rrënjët i ka gjetiu, ajo vjen “nga jashtë”, nga një “gjithsesi do të…” hipotetike fakt, por pozitive.

Përpos idesë fillestare për plotësimin/mosplotësimin e fjalës së dhënë asgjë nuk e lidh premtimin me fazën përfundimtare e vendimtare në krijimin e botës së brendshme të tij. Ai që premton e bën këtë nga një pozicion, ai që nuk premton, nuk ka çka të premtojë dhe kështu nuk ka me çka të bëjë angazhimin e botës “së tretë”. Etika e krijuar pra, jo vetëm që lejon, por edhe ndihmon premtimin sepse rritë pamjen dhe pozitën. Mosplotësimi ngre çështjen e jashtme dhe me këtë arrijmë në hapësirën e përbashkët që nënkupton: a) premtuesin, b) premtimin dhe c) subjektin e tretë apo pritësin ku çdo entitet dallon me rolin e tij të jashtëm.

Premtimi vjen nga shkaqe të caktuara objektive a subjektive dhe me këtë përcaktohen vlerat etike. Premtimi pritet dhe jepet, kështu që ai qëndron jashtë suazave si lëndë. Pritësit në këtë hapësirë nuk përkasin me subjekt të definuar si psikologji, sepse në pozicionin e premtuesit gjithnjë do të gjendet një tjetër, Pritja e premtimit nga personi i caktuar është shpresë në dikë dhe dallon nga materia që trajtojmë këtu.

Vijmë tani në idenë e fjalës së vërtetë që praktikisht dallon me realitetin ngase çdo fjalë ka forcën e vet të pamohueshme shoqërore. Fjala llogaritet ose jo dhe prandaj do ta quaj vegël e premtimit që do të thotë se nuk mund të largohemi dhe të injorojmë premtimin, sepse ai lidhet me përkushtimin dhe jo me plotësimin; nuk është fjala që ka rëndësi por diçka tjetër. Për këtë, duhet nisur me vënien në ballafaqim premtimin ndaj betimit e posaçërisht ndaj angazhimit.

Duhet pasur parasysh se premtimi nuk është as betim e as angazhim dhe qëndron plotësisht kundrejt tyre. Së pari, betimi i përket çështjes së jashtme, diçkahit të jashtëm, flamurit atdheut, besimit, grupit, detyrës… Këto janë që bëjnë betimin të mos jetë fjalë që merr era. Ajo (fjala) këtu njihet si e vërtetë, fjalë e dhënë, besë. (shih p.sh. shpjegimet e J-P Sartre-it në Critique de la Raison dialectique, në shumë paragrafë përgjatë faqeve 439-716).

Momenti tjetër është fakti se premtimi nuk e humb lirinë, kurse betimi është humbje e lirisë për shkak se i detyrohemi diçkaje të jashtme që është diçka e tretë kur flitet për premtim, pasi që nuk është në vet natyrën dhe në koherencën e tij. Në mbështetje të këtij pohimi faktik, vendoj momentin kur feja ndalon rreptësisht përbetimin (të bërit be) në premtim. Përndryshe beja ndalohet edhe në betim kur ai kalon suazat humane. “Betohem në Flamur se do të japë jetën për atdhe”, është një hipotezë e pastër, sepse vdekja mund të na nxë në detyra të tjera jashtë luftës për atdhe ose akoma më keq, në punë të tjera krejtësisht në konfrontim me betimin e dhënë dhe është kryekëput premtim. Përkundrazi një fjalë e dhenë si: “Betohem para Flamurit se jam i gatshëm në çdo moment të jap jetën për atdhe”, është real dhe drejt i thënë në kuptimin e plotë si betim.

Tani pasi pamë dallimin dhe opozicionin përimtim – betim, jemi në një shkallë ku u qartësua brendia e shpjegimit mbi premtimin. Të shtoj vetëm edhe një të dhënë esenciale: Premtimi është vetëm një angazhim i lidhur kryekëput në thelbin e vet me një NDOSHTA e jo me një PËRKUSHTIM.

Me këtë do të sqaroj edhe nëntitullin (pikat 1 – miqtë dhe pika 2 – politikanët) ku ka një synim të vogël kritik mbi mosplotësimin e premtimit. Kjo vjen vetëm si pasqyrim se premtimet e bëra në suaza të miqve nuk duhet të tejkalojnë mundësitë e premtuesit për shkaqe mirëkuptimi mes të afërmeve. Gjatë shtjellimit të temës shihet mirë se premtimi nuk është obligim, por njeriu ka tendenca ta merr atë si të tillë dhe t’u besojë edhe premtimeve që lindin nga njerëz pak të devotshëm. Premtimin duhet ditur bë por edhe duhet ditur kuptuar drejt nga ata që presin plotësimin e tij. Premtuesi mund t’i përkushtohet fjalës së dhënë por kjo fjalë në vetvete nuk është përkushtim, këtë e pamë në paragrafin e sipërm. Këtë afirmim e mbështes edhe më një citat të shkrimtarit nga Quebecu, Gilles Archambault. Ai thotë: “Jeta nuk i përmbush kurrë premtimet e veta”.