LAJMI I FUNDIT:

Kultura e mirënjohjes

Kultura e mirënjohjes
Ilustrim

1.

Askush s’e kish parë t’qante ndonjëherë James Blaine, këtë politikan të rryer e kryesues i Kongresit amerikan.


As të pranishmit e asaj dite nuk do t’vërenin lotët e tij, sepse u përlotën dhe vetë e, madje, nuk përpiqeshin të fshihnin currilin e tyre.

Nuk ishin veç fjalët a toni që i përcyste, por poaq personi që i deklamonte me naltësi njerëzore. Charles Sumner, kongresist tashmë i vdekur i Massachusettsit, kje armiku më idhnak i Jugut. Dhe, papritur, Lucius Lamar që vinte pikërisht nga shteti jugor i Mississipit, nuk hezitoi të fliste me pietet të hollë për të. Për reflektimet e tij pajtestare në fundjetë. Kongresistët u përmbytën emocionesh dhe njëri prej tyre, Kelly i Pennsylvanisë, pohonte me admirim se fjala e jashtëzakonshme e Lamarit do të bredhë si referencë okulte nga goja në gojë e nga zemra në zemër…

Kjo skenë plot dhimbje e hir, ndodhte njëj dite të denjë për kujtesë, në vitin e largët 1874, kur sensibilitetet negative Veri-Jug gëlonin akoma ndër shpirtërat amerikanë.

2.

Berlin.143 vjet më vonë. Kohë e vend tjetër. Por atmosferë e ngjashme dhe sërish lot. Kancelari i posakurorëzuar Schröder i drejtohet përulshëm Helmut Kohlit që gatitej të linte punët e epërme të shtetit: Zotni kancelar federal, njerëzit në Gjermani kurrë nuk do të harrojnë atë që ju keni bërë për ta…E atij, i përmalluar e prekur thellë, do ti rridhnin lotët. Ishin xyfur si kundërshtarë në kampe zgjedhjesh, kishin këmbyer fjalë të rënda dhe kontestuar alternativat e tyre programore, por tani secili dukej i realizuar në statusin e vet. Schröder që vinte me elan e vizion të rinuar dhe Kohl që hynte madhërisht drejt e në legjendë. Në fakt, nuk ishte vetëm fituesi që e pati të lehtë për t’vlerësuar të mundurin. Po këtë takt të fismë gjentilence do ta përshfaqte dhe i mposhturi prej tij. E kisha menduar provincial, theksonte Helmut Schmidt për Kohlin që do t’pushtetonte pas tij, mirëpo tash, në aktin e bashkimit gjerman, shoh mjeshtrinë e tij prej një burrështeti të madh.

3.

Në një tavolinë të vogël, tashmë në Gadishullin ilirik të kësomotshëm, pret, jo pa ankthin e dëshirimit, patriku i letrave shqipe, Kadare. Pas pak, shoqëruar nga e shoqja, ecën ngadalë e me flokët e gjatë që i shpupuriste era, ardhësi i rrallë. Ishte poeti kombëtar Dritëro Agolli. Të çmoj mbi veten, i thotë ai gati me intonim testamenti, mikut të penës teksa lamtumirej në mbarim t’këtij takimi të vonë në muzgun e jetës.

4.

Këto fragmente leximesh do të trokisnin si pikëza shiu në dritare mendimi, për të parathënë diç, një kumt, një shpresë…A mund ta imagjinojmë, ndaj, me sytë e së ardhmes, një të tillë etikë njerëzore, mësimnxënje politike apo vetëmohim atdhetar në një Kohë të dytë arbnore?

Europa e re e filozofisë libertare posa është ngjizur dhe, pra, krejt e natyrshme të ngjajë e turbullt në horizont. Veçse po përceptuam këtë si të vërtetë, aherë ç’do t’i bënim pyetjes që rrëzon lehtësisht komoditetin ngushëllues të përgjigjes: a s’dëshmuan kulturën e mirënjohjes amerikanët tepër herët, shekuj përpara në vorbën ende të tymtë të luftës civile?

Vështirë, që këtej, të jetë i pritshëm trollëzimi i këtij koncepti, sepse kushedi, ndoshta është vetë dhéu, tradita e errtë robnore a rrezja e faktorit otoman që refuzon atë.

Megjithatë, një shkëndijë do fekste shkurt si xixillonjë në ferrin e deshpërimit. Ishte Agolli, mbrothësia e tij, që shqiptoi fjalët historike…E tash na vjen si shenjë besimi se ai s’ka zbritur i vetmuar e për pak kohë nga qielli, me një mision të bukur por të pakapshëm për të tjerë..!