LAJMI I FUNDIT:

Kujtesë për Rugovën, prijësin e papritur

Kujtesë për Rugovën, prijësin e papritur

Njohja dhe puna me Ibrahim Rugovën

E kujtoj Ibrahim Rugovën (2 dhjetor 1944 – 21 janar 2006) që nga vitet e shtatëdhjeta të shekullit të kaluar. Me dallim moshe 20-vjeçare: ai në të tridhjetat atëherë, unë nxënës shkolle. Si mik shtëpie e letërsie me Sabri Hamitin, xhaxhin tim, Rugova i asaj kohe më shfaqet sot si arketip urtaku, asketi, ndoshta për shkak të fizikut hollak, që e ruajti deri në vdekje, tridhjetë vjet më vonë, por edhe pse e shihje përherë me një çantë të madhe librash në dorë.


Në vitet e tetëdhjeta, unë student i letërsisë në Prishtinë e Zagreb, ndërsa ai dijetar i letërsisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës, u njoha dhe u miqësova me Rugovën. Mësoja dhe inkurajohesha prej tij. Kishte shkruar edhe për James Joyce-in (Xhejms Xhojsin), ndoshta romansierin më të madh të shekullit XX, të cilin po e lexoja dhe studioja në Fakultet, ndërsa do të shkruaja për të disertacion doktorate njëzet vjet më vonë. Edhe me shtytjen e tij.

Punoja asistent në Universitetin e Prishtinës, kur Ibrahim Rugova më caktoi në punë në Qendrën për Informim të LDK-së (më vonë të Kosovës, QIK) në vjeshtën e vitit 1991. Krahas punës si asistent e ligjërues për letërsi angleze në Fakultetin e Filologjisë, në QIK punova deri më 24 mars 1999, si përgjegjës i shërbimit të lajmeve në anglishte, të një agjencie që njohu botën me fatet e një populli që vuante pushtimin dhe synonte lirinë me rrugë politike, duke ndërtuar shtetin e pashembullt “paralel” të shqiptarëve të Kosovës.

Në verën e vitit 1996 Rugova kishte rënë dakord në parim me autoritetet amerikane për hapjen e një zyreje Përfaqësuese të Kosovës në Uashington, me status jo të plotë diplomatik, ndërsa për udhëheqës të saj më kishte propozuar mua, poashtu në pajtim me amerikanët. Mbasi hapja e Zyrës nuk u bë, për arsye përtej pushtetit të Rugovës, dhe emërimi nuk u bë publik asnjëherë, e kam dhënë këtë dëshmi për herë të parë në janar të vitit 2013, në një kujtesë për Ibrahim Rugovën, ndërthurur në këtë shkrim që botohet në dhjetëvjetorin e shkuarjes së tij në amshim.

Në korrik të vitit 2002, Presidenti Ibrahim Rugova më emëroi zëdhënës dhe këshilltar të vet, duke zyrtarizuar një bashkëpunim të ngushtë prej më shumë se një dekade. Këtë punë e kreva deri në mbarim të jetës së tij të shkurtër, duke qenë edhe zëdhënës i Këshillit për Varrimin e tij.

Të punosh me Rugovën ka qenë lehtë, madje edhe kur të qenit bashkëpunëtor i tij ka qenë krim në sytë e kundërshtarëve të tij politikë, edhe shqiptarë, sepse ai ishte njeri i besimit në rrugë të gjatë strategjike për synime të larta, jo në shtigje taktike për përfitime afatshkurtra. Nuk ka ndodhur asnjëherë që për qëllime taktike të linte rrugën strategjike, që e ndiqte me përkushtim fanatik.

Në vjeshtën e parë të vitit 2005 Rugovën e përlau kanceri. E përballoi grushtin e fatit me dinjitet e kurajë. Iu drejtua popullit vetë për ta njoftuar për sëmundjen vdektare, me të cilën do të përfytej deri në frymën e fundit. Nuk deshi që njoftimin ta bëja unë, zëdhënësi i tij si President i Kosovës. Kishim shkuar me Skender Hysenin që të merreshim vesh për njoftimin. Ai tha: ‘Jo, jo, e bëj vetë; do të komunikoj drejtpërdrejt me popullin’, ndërsa na qortoi që po na shihte të ligështuar nga gjendja e tij e keqe shëndetësore.

Udhëhoqi delegacionin e Kosovës në fillimin e procesit ndërkombëtar për pavarësimin e Kosovës. Takimi i parë me Emisarin e OKB-së Marti Ahtisaari dhe ekipin e tij ndodhi në rezidencën e Rugovës në Velani të Prishtinës. Zgjati disa orë. Me flokët e rëna nga kanceri, por me energjinë e pashterur, Rugova foli me fuqi argumenti për pavarësinë e Kosovës si zgjidhje të vetme. Falë diskursit të tij, zgjidhja që për dikë dukej radikale e jorealiste, bëhej optimale dhe jomaksimaliste: pavarësia e Kosovës si kompromis. Kishte ngulur këmbë për pavarësinë edhe kur kundërshtarët e tij politikë, disa prej të cilëve ishin tani pjesë e Ekipit të Unitetit që drejtonte ai, e shqiptonin rrallë e hiç, ose si me drojë, kërkesën për pavarësi në Kosovën e kujdestaruar nga OKB-ja.
Kullojsa e kujtesës ma jep tash pamjen e Rugovës serioz, por të buzëqeshur. E kam parë të kapluar zie e mërzie me rastin e tragjedive të mëdha të luftës, në shkurt e mars 1998, në janar 1999, me rastin e vrasjes së bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, para e pas lufte. E kujtoj të mërzitur keq në mbrëmjen e 28 nëntorit të vitit 2005, dy muaj para vdekjes. Komuna e Prishtinës kishte vendosur në rrugët dhe në sheshet e kryeqytetit flamurin shqiptar dhe, krahas tij, Flamurin e Dardanisë, që Ibrahim Rugova e kishte nxjerrë propozim të vetin për flamur shtetëror të Kosovës ndërsa e përdorte si Flamur të Presidentit. (Edhe himnin, ‘Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë’, poashtu si propozim për himn shtetëror të Kosovës).

Atë ditë feste, flamuri me shqipen dykrenare në mes, flamuri shqiptar i stilizuar me ngjyrën e kaltër të Evropës në sfond dhe me yllin e Skënderbeut, u shkel e u dogj në një orgji urrejtjeje në Prishtinë nga pjesëtarë të shoqatave të luftës, të afërta me PDK-në e Hashim Thaçit. Flamuri damkosej prej syresh ‘si përdhosje e flamurit kombëtar’, madje për çudi si ‘shkelje e gjakut të dëshmorëve’! Me zellin që e shkelën dhe dogjën flamurin që ndrynte shqiponjën në ditën e festës shqiptare, e pranuan këta zelltarë patriotikë nja dy vjet më vonë flamurin aktual të Kosovës, që nuk dëfton ndonjë shenjë a ngjyrë tradicionale shqiptare. Më mirë ta kishim flamurin e Rugovës, thonë ndonjëherë në biseda private ata që në kohë kishin qenë kundër, shkaku i kundërshtisë së tyre politike ndaj Presidentit dhe vizionit të tij për shtetin e Kosovës.

Në muajt e lëngatës, në mes paraqitjesh publike që i bënte më rrallë, Ibrahim Rugovën e kam takuar më shpesh në ambiente private, në bibliotekën e tij, në katin e sipërm të shtëpisë. Në një takim të tillë, në nëntor të 2005-ës, vetë në gjendje të këputjes fizike, më këshilloi ta mbaroja disertacionin tim. Edhe unë e kam pasë zgjatur punën time, më tha, si për të më qortuar e justifikuar në të njëjtën kohë. Jo, jo, i thashë, ti e ke bërë më shpejt se unë! Doktoratën për letërsi e mbarova në verën e vitit 2006.

Kishte vite që bisedoja më rrallë për letërsinë me Rugovën. Unë vazhdoja të ligjëroja letërsi angleze në Universitet, që funksiononte në rrethana të pashembullta, në objekte private anekënd Prishtinës, dhe të punoja në Qendrën për Informim të Kosovës. Prijësin dijetar e kishte përlarë puna politike për ndërtimin e shtetit të Kosovës. Kur e pyesje se çka po lexonte, përgjigjej: libra të vjetër, pa i specifikuar; referencë për autorët antikë, mbase edhe klasikë. Nga këto burime të thella për filozofinë, për retorikën, politikën dhe etikën, nga ky univers Rugova kullonte mendimin e vet prej të cilit lindte veprimi i tij kombëtar.

Njeriu i letrave, kërkuesi e realizuesi i lirisë ekzistenciale për popullin tonë, Ibrahim Rugova më del kështu mua në kujtesë, që është nëna e muzave. Mua që kam pasur fatin të jetoj në epokën e tij e të punoj me të deri në frymën e fundit.

Agjencitë botërore shënuan këto fjalë të miat, të zëdhënësit të Presidentit Rugova, ditën kur ndërroi jetë dhe ditën kur u varros Ai:

Presidenti vdiq pak para mesditës në rezidencën e vet, i rrethuar nga familja. Luftoi me kancerin me dinjitet dhe kurajë të madhe deri në frymën e fundit… Njerëzit prej gjithë Kosove erdhën t’i bëjnë vizitën e mbramë njeriut që jetoi krenar dhe vdiq i tillë.

Tash vonë, një emisar amerikan për Kosovën, ambasadori Christopher Hill, e kujtoi kështu, si një epifani (zbulesë), takimin e Rugovës me njerëzit e kapluar nga lufta, në Ostrozub të Malishevës, më 3 nëntor 1998:

Reagimi i tyre kur e panë Rugovën ishte i jashtëzakonshëm. Njerëzit fillimisht ngurruan kur e panë prijësin e vet prej më shumë se një dekade, pastaj iu afruan dhe iu hodhën me krahë rreth qafe, duke e puthur në faqe. Disa iu hodhën në përqafim dhe i ranë në gjunjë, duke ia puthur dorën, si të ishte Papë. (Christopher R. Hill, Outpost, Simon & Schuster, New York, 2014, fq. 143-144; përkthimi im, MH).

Një epifani tjetër ishte pjesëmarrja e qindra mijëra njerëzve nga vendi dhe dhjetëra dinjitarëve nga bota në funeralin shtetëror për Presidentin Rugova në acarin e janarit të vitit 2006. Poashtu mesazhet e ngushëllimit nga burrështetas botërorë, disa prej të cilëve kishin njohur e takuar prijësin e Kosovës, si kryeministri britanik Blair, Presidenti amerikan Clinton, dy udhëheqësit e luftës së NATO-s për shpëtimin e Kosovës. Tony Blair kujton në memoaret e veta takimin, fjalët dhe peshqeshin e zakonshëm të Rugovës: një gur kristali Kosove, me ngjyrë purpuri dhe të bardhë, që e ka mbajtur në 10 Downing Street, në kryeministri.

Njëzet vjet shkrimtar, pastaj prijës politik në kapërcyell mileniumesh

Ibrahim Rugova, figurë e shekullit e Kosovës dhe e kombit shqiptar, ka marrë formimin intelektual e humanist në vitet gjashtëdhjetë dhe shtatëdhjetë të shekullit të kaluar. E dinë ata që kanë pasur fatin ta njohin nga afër: dijen e rëndë e vishte lehtë Ibrahim Rugova! Ai ishte njeriu me format dijetari të sojit të Renesancës, me pleksje dijesh klasike, humanitare, që ngërthenin filozofi, art, letërsi, religjion, shkencë.

Me shkollim universitar e pasuniversitar në Prishtinë dhe në Paris, në vitet e shtatëdhjeta ishte bërë dijetar që rilidhte studimet letrare e kulturore shqipe me traditën e moçme dhe me vlerat perëndimore. Kjo ndodhte në kohën kur shkolla e re letrare dhe kulturore e Kosovës po afirmonte respektin për vlerën dhe për shumësinë në kohën e skemës mbizotëruese real-socialiste e të dogmës staliniste në dijet humanitare në Shqipëri, që përdegëzohej në pushtetin stalinist atje. (Më vonë, pas vitit 1990, kjo frymë e rrymë e studimeve letrare të Kosovës u bë shkollë e pashpallur, por e përqafuar nga breza të rinj në studimet albanistike edhe në Shqipëri.)

Nga një punë thellësisht letrare-humaniste, si autor i monografisë për Pjetër Bogdanin (1982), heroin e tij kulturor e ideor, pastaj i studimeve të tjera të thella për letërsinë dhe për mendimin shqiptar të përthyera në standarde diturake perëndimore, Rugova nga mesi i atyre viteve do të çonte studimet e veta në kahe e fusha që kufizonin dhe preknin edhe çështje të ideve e të pushtetit, dhe të marrëdhënieve ndërmjet tyre. Më 1987 Ibrahim Rugova botoi veprën e vet kulmore Refuzimi estetik. Dy vitet në vijim, deri në dimrin e vitit 1989, refuzimi i tij shkiste në terren politik: në paraqitjet në opinionin letrar-kulturor dhe në ballafaqimet me shkrimtarët serbë që kalëronin kuajt e mesjetës bizantine/sllave. Poashtu edhe në ballafaqime me makinerinë e agresionit me fjalë e me dhunë që kishte ngritur Sllobodan Millosheviqi në kryqëzatën e tij (në aleancë me Kishën Ortodokse Serbe dhe me Akademinë Serbe) për Serbinë e Madhe që mëtonte të përlante Kosovën, zemrën e pandehur mesjetare të Serbisë.

Nga fillimvera në fillimdimrin e vitit 1989 Ibrahim Rugova, pa shtytje konvencionale për pushtet, po me thirrjen kushtrimore të kauzës kombëtare, papritur doli e u bë prijës i pashpallur i popullit të Kosovës, në kohën kur vendi kishte mbetur pa krye: pa asnjë strukturë udhëheqjeje, pa asnjë ide për udhën që duhej marrë ndërkohë që shpërbëhej ish-Jugosllavia dhe binin kambanat e luftës. Elitat komuniste të vendit kishin firuar si vesa e mëngjesit nga furia nacional-komuniste serbe. Elita kulturore shqiptare, kryesisht e fushës arsimore-kulturore, e ndoqi Ibrahim Rugovën, teorikun e kritikun letrar, në rrugën e tij të re. Por më shumë, e ndoqi populli i vet me besim të palëkundur deri në fund. Për të gjallë të vet, Rugova fitoi të gjitha zgjedhjet politike në Kosovën e para dhe pasluftës.

Në një intervistë për magazinin politik gjerman “Der Spiegel” (datë 26 qershor 1989), shkrimtari shqiptar 44-vjeçar alarmonte se serbët po ktheheshin sërish si hakmarrës (Die Serben kommen als Rächer wieder), siç titullohej intervista e Rugovës në vigjilje të 600-vjetorit të Betejës së Kosovës, që Millosheviqi do ta shpallte në Gazimestan të Prishtinës si fillim të luftërave të reja për ta kthyer fitoren e qiellit në fitore të tokës për serbët.

Më 23 dhjetor 1989, Ibrahim Rugova me bashkëpunëtorë e formoi Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), partinë e parë shqiptare antikomuniste pas Luftës së Dytë Botërore. (Partia Demokratike e Shqipërisë do të themelohej nga Sali Berisha një vit më vonë). Me ide e veprim, me disiplinë e organizim të pashembullt, LDK-ja u bë lëvizje e rezistencës ndaj Serbisë dhe shtet për shqiptarët e Kosovës në vitet e nëntëdhjeta. Me zgjedhjet e 24 majit të vitit 1992 për Kuvend dhe për Kryetar të Republikës së Kosovës, të shpallur tashmë nën udhëheqjen e tij, Rugova krijoi shtetin që organizoi jetën arsimore, kulturore, sociale, ekonomike e politike. Krijoi edhe përfaqësimin diplomatik në bërthamë. Bëri përgatitje, në rrethana të pamundshme, edhe për mbrojtje të popullit të Kosovës nga spastrimi etnik serb që i kanosej. Rugova nuk ishte pacifist i dalë boje, siç janë përpjekë ta përshkruajnë kundërshtarët e tij ideologjikë. Lufta nganjëherë është e domosdoshme në shërbim të paqes, do të thoshte ai.

Me politikën e urtë, Ibrahim Rugova ruajti substancën kombëtare teksa ringjalli besimin në vlerat e lirisë, të demokracisë dhe të pavarësisë; dhe krijoi kulturën e shtetit. Shteti me legjitimitet përfaqësues, edhe kur nuk mund të ushtronte aspekte klasike shtetërore si monopoli i dhunës, apo kontrolli i territorit, përmbaronte funksione qenësore për ekzistencën e entitetit politik. Ibrahim Rugova, me shoqëri dhe shtet demokratik, kishte nën kontroll popullin, nëse jo territorin e Kosovës, që ishte nën pushtimin e Serbisë. Në këtë pikë ngjan me Skënderbeun, Kryeheroin e kombit, që poashtu kontrolloi për 25 vjet popullin, nëse jo territorin shqiptar, në kohën e luftërave me otomanët.

Për gati njëzet vjet të veprimit politik, Rugova ideoi, afirmoi dhe përmbaroi pavarësinë e Kosovës si zgjidhje, pavarësinë nga Serbia pushtuese, por edhe pavarësinë politike nga Shqipëria, ndonëse fliste për shtet të hapur ndaj të dyjave në ligjërimin e tij politik të të nëntëdhjetave. Pavarësinë e Kosovës e shihte arritje të gjysmës së dytë të pavarësisë shqiptare, pas 12 nëntorit të 1912-tës. Kjo ide e tij, si dhe ideja për protektorat civil e ndërkombëtar në Kosovë, si fazë kalimtare, shpalosur së pari në Uashington në shkurt të vitit 1993 (‘Plani 10-pikësh’ i Rugovës), do të realizoheshin si në një profeci që përmbushej vetvetiu në antikë.

Republika e Parë e Kosovës (1990-1999), me rezistencën aktive qytetare e politike të dekadës së mbramë të shekullit të kaluar dhe me luftën çlirimtare të viteve 1998-1999, vuri themelet e Republikës së Dytë të Kosovës, që u shpall më 17 shkurt 2008. Të dy republikat do të mbajnë gjithherë vulën e themeltarit të Shtetit të Kosovës, Ibrahim Rugovës.

Sa largohemi prej ditës kur ndërroi jetë, figura e Ibrahim Rugovës rritet e lartësohet në sfondin historik të Kosovës dhe të kombit shqiptar. Pa fjalime të pushtetarëve, pa përmendore – me veprën e vet të madhe – me kryeveprën e tij, Republikën demokratike të Kosovës. Presidenti Historik, siç është mbiquajtur, ndërtoi shoqëri e shtet me frymë e besim demokratik, me pëlqimin e qytetarëve, duke afirmuar vullnetin e tyre para botës me disiplinë pothuaj fetare, duke punuar me ta dhe për ta, jo përkrye tyre. Deri në frymën e fundit, para mesditës së 21 janarit të vitit 2006.

Ibrahim Rugova ka qenë dhe mbetet figurë emblematike për Kosovën e popullit të mirë, që gëzoi përkrahje pothuaj universale në pranverën e vitit të tmerrit dhe të mrekullisë,1999. U bë burrështetasi i parë i Kosovës, në kohën kur vendi ynë nuk njihej ende si shtet. Sot Kosova burrështetas nuk ka.

Në festimet zyrtare në Kosovë e në Shqipëri në 100-vjetorit e pavarësisë shqiptare, pati vlerësime e rivlerësime figurash kombëtare në përpjekje për të bërë panteonin e pashpallur të figurave të mëdha, themeltare. Ismail Qemali u rishfaq në krye. U bënë përpjekje të shihej në pamje të re, më pozitive, Ahmet Zogu, ndonëse me kundërthënie. Establishmenti politik i Kosovës, tek u ndajshtohej festimeve të të dyja kampeve politike në Shqipëri, anashkaloi me program Ibrahim Rugovën, themeltarin e shtetit të Kosovës, burrështetasin tonë të parë, the founding father of the nation (ati themeltar i kombit), siç i referohen me të drejtë studiuesit ndërkombëtarë të historisë së re të vendit tonë. Për trashëgiminë e Rugovës flasin ndrojtshëm përtej tribunave të LDK-së edhe ata që ushtrojnë pushtet në emër të kësaj trashëgimie.

Realiteti i egër dhe idealiteti sipëror për Kosovën i synuar prej tij ndeshen sërish, pa Rugovën fizik. Rugova i frymës, i urtisë, i maturisë, i durimit, i guximit, i qëndresës, i virtytit, i moralitetit, i paqes, i lirisë, i demokracisë dhe i pavarësisë – Rugova i përjetshëm – mbetet burrë i pacenueshëm. Por, ku ndryhet trashëgimia e tij sot?

Trashëgimia e Rugovës si kundërhelm ndaj lëngatës së Kosovës

Pyetja që shtrohet vetiu është: ku gjendet Kosova dhjetë vjet mbas Rugovës? Trashëgimia e tij është e gjallë, pa kujdesin institucional-shtetëror ose përkundër kujdesit të paktë të trashëgimtarëve të tij ideorë, më shumë për oportunizëm. Kosova sot është vend në proces shtetndërtimi, kryesisht falë politikës së Rugovës, por me ngecje që shfaqen nga mungesa e vizionit strategjik tek autoritetet që mbajnë mbi supe barrën e Republikës së Kosovës në marrëdhënie me shtetasit e vet dhe me botën, që ende nuk e njeh universalisht shtetin tonë.

Republika e Kosovës ka vegjetuar në periudhën e paspavarësisë, mbas një shkrepjeje të shkurtër afirmimi ndërkombëtar në vitet 2008-2009, kur fitoi njohjet kryesore që ka deri sot, duke përfshirë anëtarësinë në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar, si dhe verdiktit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në korrik të vitit 2010, fitores së fundit të Kosovës në ndeshje me Serbinë. Rezultatet e dialogut politik me Serbinë në vitet 2013-2015, që sollën tëhollim të pavarësisë së Kosovës nga Serbia, dhe mospranimi i Kosovës në UNESCO në vjeshtën e vitit 2015, janë humbje që mbajnë vulën e autoritarizmit e të protagonizmit të Hashim Thaçit, udhëheqësit më të fuqishëm politik të Kosovës mbas vdekjes së Rugovës. Por gjithsesi edhe shenjën e zvetënimit të Republikës së vlerave autoktone që mishëronte politika e Rugovës, të cilat s’kanë mundur t’i çojnë përpara rugovistët utilitarë brenda LDK-së. Këta që hynë si partner i vogël në Koalicionin e madh PDK-LDK-pakicat të dhjetorit të vitit 2014, mbasi kishin bërë be e rrufe në fushatë njëvjeçare se kurrë s’do të hynin në qeveri me PDK-në e Thaçit e të SHIK-ut. Me pafuqi apo pa dashje për të çuar përpara vizionin strategjik rugovist – ndoshta duke e menduar si zgjidhje më oportune sesa qëndrimin në opozitë – kryetari i LDK-së Isa Mustafa me bashkëpunëtorë hynë në qeverisje me PDK-në që parapolitikën e bëri politikë. Ku janë vlerat rugoviste në qeverinë aktuale, në kulturë, në arsim, në ekonomi, në diplomaci? A shihen përparime në ndonjërën nga këto fusha jetike për vendin? Ka mbijetesë; dikund rrëgjim në palcën kurrizore të shtetit tonë. Nja njëqind mijë kosovarë që e lëshuan vendin e vet në fillim të vitit 2015, me një shpengim të pakuptimtë për shumëkë –

sidomos për ata që mbajnë mend kthimin e përmasave epike të kosovarëve në atdheun e vet të porsaçliruar në verën e vitit 1999 – janë dëshmi e katandisjes morale të Kosovës, jo pa fajin e Qeverisë dhe të atyre që ikën, me përjashtim të fëmijëve të gjorë që u traumatizuan në këtë fushatë eksodi nga vendlindja.

Qysh e pse kjo rënie? Sepse në këtë dhjetëvjetësh ka pasur zgjedhje negative personash në instancat kyçe të shtetit, në Presidencë, në Qeveri, në Gjykatë Kushtetuese, në Universitetin e Prishtinës, në universitetet publike që mbinë si kërpudha në rajone, në agjenci të pavarura. Ndonjëra kishte nisur edhe për të gjallë të Rugovës, herë për arsye pragmatike (zgjidhja më pak e keqe në krye të qeverive të koalicionit pas zgjedhjeve të para dhe të dyta nacionale) herë jopragmatike, në fushat me peshë identitare për vendin tonë (kulturë, arsim); poashtu, edhe zgjedhja e njerëzve të rangut lokal në struktura të larta të LDK-së. Profili i mangët kulturor, politik e moral, është bërë tani shenjë klasifikuese e kriter kualifikues për pjesën më të madhe të njerëzve në detyrat më të larta në shoqëri e shtet, me njëfarë pajtimi popullor me fatin, sepse mungon vizioni strategjik e guximi i prijësit që merr vendime edhe jopopullore, por meritokratike, në të mirë të vendit. Me një pleksje fati e merite, Fatmir Sejdiu e pasoi Rugovën në Presidencë. Por aty shkelën edhe Jakup Krasniqi (si ushtrues detyre, nga pozita e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës), Behgjet Pacolli e Atifete Jahjaga, të zgjedhur presidentë me votë nga Kuvendi. Çfarë farse! Po të zgjidheshin me lotari zor se në krye të Republikës sonë do të vinin njerëz më jotrashëgimtarë të Rugovës së urtë.

Mbas një procesi rënieje graduale – pjesë e të cilit është bërë objektivisht edhe LDK-ja postrugoviste mbas çarjes së saj në Kuvendin e 2006-ës, qoftë në pushtet, qoftë në opozitë – s’dihet ende nëse Kosova ka prekur fundin, që do t’i jepte shansin e fillimit të ringritjes së ngadalshme, të mundimshme, por gjithsesi frymëzuese.

Me shpresë se ka prekur (ose do ta prekë) fundin pa dëmtime të pariparueshme në konstitucionin e saj, Kosova duhet të nisë rrugën e gjatë të rimëkëmbjes. Lehtë thuhet, por vështirë bëhet kjo. Ndoshta rinisja duhet të bëhet nga LDK-ja, sigurisht jo si më 23 dhjetor 1989, sepse është kohë tjetër tani. As Rugovë tjetër s’ka e s’mund të ketë, sepse ai dhe rrethanat kur u shfaq janë të papërsëritshme, por ka një frymë e kulturë që ka lënë ai, që, të kultivuara me kujdes, mund të hapin horizonte për Kosovën njëmend të pavarur e demokratike, vend ku njeriu ynë të dojë të jetojë e të vdesë.

Njeriu ikën, por lë gjurmët e asaj që ka krijuar. Rugova ka lënë trashëgiminë e vet që pret kujdesin për t’u aktualizuar e rivendosur në themele të shoqërisë e të shtetit tonë. Kombet e civilizuara i kujtojnë etërit e vet. Sidomos në kohë hutimi e krize, si kjo jona.

(Marrë nga libri Kujtesa e Rugovës, botuar nga Fondacioni Ibrahim Rugova, Prishtinë, 2016)