LAJMI I FUNDIT:

Kotësia e ligjeve kundër blasfemisë

Kotësia e ligjeve kundër blasfemisë

Nga: Kenan Malik / The Guardian (Titulli origjinal: Blasphemy law is no answer to bigotry in the wake of Denmark’s Qur’an burnings)
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

A do të duhej që qeveritë ta ndalojnë “trajtimin e pahijshëm të objekteve të rëndësisë domethënëse fetare të një komuniteti fetar”? Kjo është ajo që sugjeron qeveria daneze – me një ligj të ri që shpalli gjatë javës së kaluar – e që për dy vjet shkelësit mund t’i dënojë me burg. Ndalesa e propozuar vjen pas një serie të incidenteve në Suedi dhe në Danimarkë, ku librat e Kuranit publikisht janë djegur, duke provokuar kështu protestat në mbarë botën myslimane.


Përgjigja ndaj kësaj pyetjeje është e thjeshtë dhe komplekse. Është e thjeshtë, sepse është i papranueshëm dhe se duhet kundërshtuar çdo ligj që në çfarëdo mënyre blasfeminë e nxjerr si të paligjshme. Pasi shfuqizoi ligjin e blasfemisë në vitin 2017, ajo që Danimarka kërkon të rifusë në formën e re paraqet një akt regresiv.

Megjithatë, është komplekse, sepse në qendër të polemikave qëndrojnë dy çështje: nga njëra anë liria e fesë dhe e fjalës dhe, nga ana tjetër, fanatizmi anti-mysliman. Duke mbrojtur të parën, duhet kundërshtuar edhe të dytën.

Ligjet e blasfemisë janë të kundërshtueshme jo vetëm sepse kërkojnë të imponojnë normat fetare ndaj atyre që nuk besojnë, ose që besojnë në një zot tjetër, por edhe sepse duke vepruar kështu ato shërbejnë gjithashtu për ta mbrojtur pushtetin politik.

“Rendi i shenjtë”, siç vërejti filozofi marksist polak që u kthye në krishterim, Leszek Kołakowski, “nuk ka pushuar kurrë, në mënyrë implicite apo eksplicite, që të shpall se ‘kështu janë gjërat, se nuk mund të jenë më ndryshe’”. Qoftë në shtetet teokratike apo brenda komuniteteve pakicë në demokracitë liberale, akuza për blasfemi ndihmon për të forcuar fuqinë e udhëheqësve dhe të institucioneve fetare dhe për të heshtur kritikët dhe kundërshtarët.

Megjithatë, nga konteksti i djegies së librave, çështja është e ndërlikuar. Djegia e një libri, argumentojnë mbështetësit e ligjit danez, nuk është formë e shprehjes. Prandaj, ndalimi i kësaj praktike nuk është çështje e fjalës së lirë, veçanërisht kur ndalimi kërkon të frenojë aktivitetet e fanatikëve të ekstremit të djathtë.

Të gjitha djegiet e librave që mbaj mend, janë të pakuptimta, qofshin ata pastorë të krishterë që djegin librat për LGBTQ+ apo trans-aktivistët që djegin kopjet e Hari Poterit. Në rastin më të mirë janë përpjekje të vrazhda për ta nxjerr në pah ndonjë qëndrim politik. Po ashtu, nuk duhet harruar historinë e gjatë të djegieve të librave, me nxitje të shtetit, që synonte mbështetjen e sundimit tiranik dhe që shpeshherë në cak kishte grupet e cenueshme sociale.

Megjithatë, djegia e objekteve simbolike, qofshin libra apo flamuj, prej kohësh ka qenë pjesë e traditës së protestës, ndërsa në epokën kur vazhdimisht kufizohet e drejta për të protestuar – edhe brenda demokracive liberale – nuk është diçka që duhet anashkaluar. Në çdo rast, ligji i propozuar danez synon të kriminalizojë jo thjesht djegiet e librave, por gjithë “trajtimin e pahijshëm të objekteve me rëndësi domethënëse fetare” – një ndalim i gjerë për blasfeminë.

Liria fetare është jetike për komunitetet pakicë. Fanatizmi anti-mysliman shpeshherë shprehet përmes mohimit të së drejtës së myslimanëve për të praktikuar besimin e vet, nga thirrjet për ndalimin e Kuranit e deri te armiqësia ndaj ndërtimit të xhamive. Sfidimi i fanatizmi të tillë kërkon që ne t’i kundërshtojmë kufizimet e lirisë fetare, jo t’i përforcojmë ato.

Nëse gjithë besimtarët duhet të jenë të lirë të praktikojnë besimin e vet, në mënyrë të barabartë dhe jobesimtarët – ose ata kuptimi i besimit të të cilëve ndryshon nga normat e imponuara – duhet të jenë të lirë të pretendojnë të drejtat e veta. Shumë grupe që luftojnë për drejtësi dhe barazi – gra, homoseksualë, jobesimtarë – duhet të luftojnë kundër kufizimeve të bazuara në besim dhe kjo nuk është asgjë tjetër pos blasfemi. Teksa fanatikët racistë mund ta djegin Kuranin, ata që luftojnë represionin e imponuar në emër të Islamit, këtë e bëjnë jo për të nxitur urrejtjen, por për të sfiduar mungesën e tolerancës fetare.

Artistja daneze me origjinë iraniane, Firoozeh Bazrafkan, është kundërshtare e zëshme e regjimit teokratik të Iranit; e ka prerë Kuranin si pjesë e artit të saj të performancës. Një tjetër artiste me origjinë iraniane, Sooreh Hera – që jeton në Holandë – fotografoi dy të mërguar homoseksualë iranianë duke mbajtur maskat e profetit Muhamed dhe të dhëndrit të tij, Aliut, e që u censuruan nga Gemeentemuseum-i në Hagë, sepse, sipas fjalëve të drejtorit të muzeut, “disa njerëz në shoqërinë tonë mund ta perceptojnë si fyese”. Të dy artistet mund të burgosen, sipas ligjit të propozuar danez.

Po kështu mund të dënohet edhe Andres Serrano për Krishtin e tij në urinë. Ose Chris Ofili për pikturën e tij të Marisë, virgjëreshës së shenjtë. Ose i ndjeri John Latham, po të ishte ende gjallë, për veprën e tij Zoti është i Madh. Të gjithë nga besimtarët u panë si denigrues të besimit të tyre, si keqtrajtues të objekteve dhe simboleve fetare dhe si nxitës të urrejtjes.

Dikush mund të debatojë nëse këto vepra arti janë të vlefshme apo të zgjuara, por shoqëria nuk do të jetë liberale nëse artistëve ose aktivistëve ua mohon të drejtën për ta trajtuar fenë në këtë mënyrë.

Nëse djegia e Kuranit në raste të caktuara është formë e “goditjes me grusht”, duke pasur cak të dobëtit dhe të shtypurit, ligjet e blasfemisë janë edhe më të rënda. Ka marrëdhënie pushteti brenda komuniteteve myslimane, si dhe midis myslimanëve dhe shoqërisë më të gjerë, dhe tabutë fetare ndihmojnë në ruajtjen e fuqisë shtrënguese brenda atyre komuniteteve.

Udhëheqësit myslimanë dhe organet si Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OIC), janë shumë selektive në armiqësinë ndaj fanatizmit. Ata kanë nxitur tërbimin për djegien e Kuranit, por mezi thanë një fjalë për fatin e një milion ujgurëve të mbyllur nga Kina, shumë nga të cilët janë torturuar dhe vrarë. Në të vërtetë, shtetet islamike dhe OIC-ja në mënyrë aktive kanë mbështetur Pekinin.

Gjatë një vizite në Kinë në vitin 2019, princi i kurorës saudite, Mohammed bin Salman, llomotiti propagandën kineze, duke u shprehur për politikat ujgure të Pekinit: “Respektojmë dhe mbështesim të drejtat e Kinës për të marrë masa kundër terrorizmit dhe deekstremizmit për të mbrojtur sigurinë kombëtare”. Shumë vende me shumicë myslimane, përfshirë Pakistanin, Iranin, Arabinë Saudite, Turqinë dhe Egjiptin, kanë arrestuar ose kanë ekstraduar ujgurët në Kinë.

Udhëheqësit e tillë as që kanë folur diçka për politikat daneze të imigracionit, të cilat viteve të fundit janë bërë gjithnjë e më joliberale. Danimarka u bë vendi i parë evropian që deportoi refugjatët sirianë dhe që u përpoq, për një kohë, të negocionte skemën e vet të dëbimit në Ruandë (megjithëse kjo u braktis në favor të një politike evropiane).

Politikat e tilla degradojnë jetën e pakicave dhe të myslimanëve, si dhe në shkallë më të gjerë legjitimojnë idetë ekstremiste – më shumë sesa një grusht fanatikësh që ndezin Kuranin. Ata që tërbohen për djegien e Kuranit, nuk janë të interesuar të mbrojnë myslimanët përballë terrorit dhe brutalitetit të vërtetë, por thjesht përpiqen të merren me çështjen që është e dobishme për të mbështetur fuqinë e tyre politike.

Për të kundërshtuar fanatizmin anti-mysliman, ne gjithashtu duhet të kundërshtojmë kufizimet e blasfemisë. Duke mbrojtur fjalën e lirë, ne duhet të jemi edhe kundër fanatizmit, kudo që ai shfaqet. Të bësh njërën, por jo tjetrën, kjo do të thotë se nuk je serioz për asnjërën. /Telegrafi/