LAJMI I FUNDIT:

Kosovari që mbikëqyrë paratë e Suedisë

Kosovari që mbikëqyrë paratë e Suedisë

Deputeti i Parlamentit të Suedisë, Adnan Dibrani po qëndron këto ditë në Kosovë, si pjesë e delegacionit të udhëhequr nga kryeparlamentari suedez, Urban Ahlin.

Ai, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Fjala ka vlerësuar se Kosova po vlon nga korrupsioni në të gjitha nivelet. “Ligjet janë të shkruara mirë në letër, por askush nuk i zbaton pasi është në pyetje korrupsioni e shumë elemente tjera. Kur ta shohësh ti thua ëëë sa mirë, por kur nuk zbatohen i bie se korrupsioni është aty. Këtë e dinë të gjithë. Ka korrupsion në Kosovë. Ka në të gjitha nivelet. Edhe nëse ke nevojë të shkosh tek mjeku duhet të paguash deri në nivelin më të lartë”, thotë deputeti që kryeson Komisionin për Financa në Parlamentin e Suedisë.

“Korrupsioni këtu është ngulitur për shkak të interesave individuale. Dikush nuk do, dikush nuk di e dikush do me e mbajt këtë gjendje. Krejt Evropa e ka një problem, popullsia evropiane po plaket gjithnjë e më shumë dhe po iu duhen të rinjtë. Kosova e ka të kundërtën, bash këtë resurs e ka më të mirin, pasi ka të rinj dhe të gatshëm për punë. Por duhet t’u ndihmohet këtyre të rinjve. Sot u kam thënë disa herë që nëse doni ti mbani të rinjtë këtu dhe nëse doni ti keni si përparësinë më të madhe atëherë duhet të investoni në ekonomi”, tha Dibrani për Gazetën Fjala.


“Por, askush nuk dëshiron të investojë në Kosovë kur nuk funksionin rendi e ligji?”, shton kosovari me karrierën më të bujshme politike në Evropën Perëndimore.

Ai, gjatë intervistës për Gazetën Fjala tërhoqi vërejtjen se Kosova ka disa probleme, të cilat duhet adresuar dhe të zgjidhen sa më shpejt të jetë e mundur.
“Nëse nuk i adreson Kosova dhe populli këto punë, kurrë s’do të mund të shkojmë përpara. Ama shancet i kemi të mëdha, për shkak të lokacionit në zemër të Evropës dhe qasjes proevropiane”, thotë Dibrani.

Ai e do fort Kosovën. “Kosova është vendi im dhe është gjithnjë ndjenjë e mirë të jem këtu. Edhe kur jam në Suedi, dëshira ime është ta shoh vendin tim mirë. Kosova po ecën përpara, por dukuritë negative duhet luftuar”, thotë kosovari që merret si shembull i suksesit.
“U takova me shumë të rinj këto ditë. Jam kënaqë. Por, shumë thanë se donë me ikë. Porosia ime është se të rinjtë duhet të rrinë dhe të ndryshojnë gjendjen, t’i adresojnë të gjitha këto çështje. Janë të rinjtë ata që duhet dhe mund ta dërgojnë Kosovën përpara. Këta që janë edhe pak u ka mbet dhe shkojnë”, thekson Dibrani.

Ai vlerëson se duhet të ndryshojë klasa politike “Kosovës i duhet një gjeneratë e re sa më shpejt që është e mundur për ta ndryshuar këtë gjendje. Nuk duhet lejuar që ata të hyjnë në këto sisteme të korrupsionit. Ata sa më shpejtë duhet të integrohen në një sistem tjetër që sjellë ndryshime për të mirë. Do të mundohem edhe unë t’iu ndihmoj. Natyrisht, nuk dua të përgjithësoj, pasi ka edhe nga gjeneratat e vjetra njerëz të mirë”.

Ka vërejtje edhe tek të tjerët, pos klasës politike vendore “Edhe në institucionet ndërkombëtare ka humbur besimi dhe kanë të drejtë qytetarët që nuk iu besojnë në disa aspekte pasi kanë dalë informacione se ata nuk janë duke i kryer punët si duhet. Kështu populli e humb besimin si në qeveri, si në EULEX dhe nuk di më kujt t’i besojë”.

Ai, në intervistën për Gazetën Fjala foli edhe për eksodin e fundit.
“Shumica po ikin prej gjendjes së rëndë ekonomike, skamjes. Por rren është se nëse ikë prej Kosove do t’i kesh kushtet më të mira. Kush e thotë këtë rren? Së pari as Gjermania, as Suedia apo ndonjë vend tjetër nuk të pranojnë, pasi nuk ke kurrfarë arsye të kërkosh azil si qytetar i Kosovës, edhe ata të kthejnë. Kështu, veç i kanë humbur të gjitha ato që i kanë pasur këtu”, tërheqë vërejtjen deputeti i vendit më të populluar skandinav. I kuptoj që donë të ikin, por nuk është zgjidhje kur e dinë se nuk mund të marrësh azil e as nuk mund të jetosh i lirë. Më mirë është me njëjtë në vendin tënd dhe me lëviz i lirë se sa të rrish atje dhe gjatë tërë kohës të ruhesh”, shton përfaqësuesi i legjislativit të njërit nga vendet më të zhvilluara të botës.

Ai tha se aq sa është i informuar, të gjithë ata që janë aktualisht në Suedi ose janë duke qëndruar në të zezë ose janë duke u përgatitur për t’u kthyer, pasi nuk mund të bëjnë asgjë tjetër atje dhe nuk kanë pse rrinë.
Por, nuk e sheh çdo gjë zi.
“Unë dua ta shohë Kosovë shumë shpejtë si Suedia. Por nëse ecët me këtë ritëm do të marrë shumë kohë pasi po ecën shumë ngadalë. Megjithatë, çdo vit që po vijë po e shoh se ka përmirësime të vogla të cilat brenda nuk vërehen, por nga ne që vijmë prej jashtë shihen si përmirësime. Kur banon këtu, duket se asgjë nuk ndodhë”, tha Dibrani.