LAJMI I FUNDIT:

Kosova duhet të jenë zëri edhe i Luginës së Preshevës

Në delegacionin e Prishtinës për bisedime me Beogradin duhet të ketë edhe përfaqësues nga krahina shqiptare e mbetur nën administrimin e Serbisë

Të gjithë duhet ta kuptojmë se Prishtina pas 17 shkurt të vitit 2008 është dashur dhe duhet të ndërroj kursin ndaj shqiptarëve që jetuam në ish-ngrehinën të quajtur Jugosllavi , veçmas me theks ndaj Krahinës shqiptare të mbetur nënë administrimin e Serbisë. Kartën që e ka në dorë Prishtina në bisedimet me Beogradin nuk është ditur të shfrytëzohet ashtu si duhet. Shqiptarët shumicë në Komunat Medvegjë, Bujonac dhe Preshevë, që ne po e quajmë Krahina shqiptare, përbën një kartë shumë të fuqishme që duhet të dijë Prishtina të mbrohet që mos të pranoj të drejta majorizuese për serbët lokal të Kosovës.


Parashtrohet pyetja e pashmangshme kush i përfaqëson interesat dhe i mbron të drejtat e kësaj krahine? Si përfaqësohen këto interesa? A ka obligim moral, institucional dhe kombëtar që institucionet e Prishtinës të flasin për të drejtat, jo vetëm të kësaj krahine shqiptare, por edhe shqiptarëve në Mal të Zi dhe gjithandej në ish-federatën e quajtur ngrehina artificile Jugosllavi? Si përfaqësohen këto interesa , nga kush dhe cila instancë? Nëse Prishtina dhe Tirana nuk interesohen, a thua kush duhet të brengoset për këto troje të hapësirës sonë etnike? Në këto përgjigje duhet të veprohet dhe të marrin vendim institucionet e Prishtinës. Prandaj për t’i ditur nevojat dhe ballafaqimet që për çdo ditë sfidohen shqiptarët, qeveri dhe Parlamenti Kosovës në këtë legjislaturë duhet t’i marrë masat e duhura. Së pari të shtrohen diskutime intensive në nivel parlamentar. Nëse nuk hapet diskutimi i mirëfilltë, i gjerë në të gjitha instancat shtetërore të Prishtinës shumë më vështirë do ta kemi në bisedimet me Beogradin. Koha nuk pret, është paralajmëruar se nisja e bisedimet është çështje javësh, prandaj edhe ne të fillojmë.

Presim që kjo përbërje e parlamentit dhe të qeverisë së Republikës Kosovës ka borxh dhe obligim ta shtroj në këto instanca. Duhet të ketë Prishtina një platformë të ndërtuara dhe mbështetur mbi gjendjen dhe rrethanat e krijuara atje që të ketë edhe një strategji në politikën e jashtme që do të udhëheqë. Jemi të njohur nga 75 vende të botës prandaj, në një numër të këtyre kemi edhe Ambasada dhe Konsullata, ku duhet t’ju japim direktiva të mbështetura për qëndrimin shtetëror ndaj kësaj krahine.

Të formohet një ministri për diasporë, një departament apo agjenci për Krahinën shqiptare. Në kuadër të ministrisë për diasporë apo migracion të jetë një departament apo agjenci që ekskluzivisht do të merret me problematikën e Shqiptarëve në ish-hapësirat e ngrehinës së quajtur Jugosllavi. Në kuadër të Parlamentit të Kosovës të ngrihet dhe formohet një Komision parlamentarë për çështjen e banorëve nga kjo krahinë shqiptare. Fatkeqësisht kjo ende nuk ka filluar e as që po duket. Në kuadër të Ministrisë të Punëve të Jashtme të jetë një person jo vetëm nga ajo pjesë, por edhe që e njeh problematikën mirë. Kush dhe si përfaqësohen interesat në parlament dhe qeveri të Kosovës? Zëri, interesat shqetësimet dhe preokupimet e kësaj krahine duhet të ngrihen në Parlament, të diskutohet në qeveri të Kosovës.

Të miratohet:
– Një rezolutë për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve nga kjo pjesë dhe
– Të përgatitet një deklaratë nga parlamenti nacional i Prishtinës dhe i Tiranës.

Në ekipin për bisedime për çështje teknike duhet të përfaqësohet edhe interesi dhe zëri i kësaj krahine shqiptare në Serbi. A ka kush të na ndal në këtë? Ne themi JO. Beogradi në ekipin e tij në listë të par për të ulur në tryezë të bisedimeve, sigurisht do ta emëroj Oliver Ivanoviqin, i ashtuquajturi Sekretar shtetëror i Beogradit për Kosovën. Ne nga e kaluara ndoshta kemi marrë mësime, klasa politike dhe institucionale e Prishtinës përveçqë që nuk kanë njohuri dhe sikur hezitojnë të mbrojnë këtë krahinë shqiptare. Pse edhe Prishtina nuk i fton që në bisedimet me Beogradin të jetë dikush nga kjo krahinë shqiptare? Është më shumë se një gabim nëse kësaj herë nuk do të jenë në ekipin shqiptarët nga komuna e Medvegjës, Bujonacit dhe Preshevës. T’ju përkujtojmë një ngjarje që është shumë me rëndësi për opinion: Një delegacion i nivelit të lartë nga Qeveri dhe Parlamenti i Malit të Zi vitin e kaluar vizituan Prishtinën duke kërkuar dhe protestuar për një grusht të minoritetit malazias që jeton në Kosovë.

Kurse gabimi më fatal i Tiranës vitin që e lama pas ishte kur ish Zëvendëskryeministri Ilir Meta brenda një viti ishte dy herë për vizitë në Beograd dhe nuk u kujtua të thotë të vërtetën për mungesën e të drejtave individuale dhe kolektive të kësaj krahine shqiptare. Të marrim mësime nga këto veprime politike dhe diplomatike. Pse nuk mund dhe nuk përfaqësohet askush në qeverinë e Kosovës. Banorët e Krahinës shqiptarë të mbetur nënë administrimin e Serbisë kërkojnë dhe presin që në këto bisedime të përfaqësohen edhe shqiptarët nga kjo krahinë. Gabimi është bërë në kohën kur filluan bisedimet për gjetjen e statutit të Kosovës në mesë të Beogradit dhe Prishtinës nuk është ngritur çështja e pazgjidhur të shqiptarëve nga kjo krahinë. Grupi i unitetit apo herë i quajtur si ekipi negociatorë ka bërë gabim që nuk e ka shtruar në tavolinën e bisedimeve. Beogradi nuk mundë ta ndal delegacionin e Prishtinës të ketë edhe përfaqësues edhe nga kjo krahinë shqiptare. Prandaj, bëjmë apel që në delegacionin e Prishtinës me Beogradin të jenë së paku tre përfaqësues:

– Një nga Komuna Medvegjës,
– Një nga Komuna e Bujonacit dhe
– Një përfaqësues nga Komuna Preshevës .

Kush duhet t’i emëroj këto përfaqësues nga kjo krahinë, është shumë lehtë pasi tri Kuvendet komunale kanë edhe Këshillin e këshilltarëve komunal shqiptarë. Kjo instancë duhet të thirret dhe të propozohet dhe votohen këto tre përfaqësues. Ky forum i këshilltarëve e ka legjitimitetin që të emëroj nga kjo përbërje apo jashta saj .

Ne nuk duhet t’ia “arsyetojmë” Beogradit ta heshtë problemin kolonial të shqiptarëve në Medvegjë, Bujonac dhe Preshevë. Prishtina dhe Tirana nuk duhet të heshtin këtë çështje të kësaj krahine. Kësaj here në bisedimet duhet të shtrohet edhe kjo problematikë, e cila po pret për një zgjidhje. Duhet të shkruhet dhe ngrihet zëri në nivele të qeverisë dhe parlamentit të Kosovës.

– Jo , të heshtet por të aktualizohet
– Jo , të mos shkruhet, por të shkruhet edhe në faqe, ballina e tituj të gazetave anekënd hapësirave tona etnike, në media të shkruara dhe ato elektronike,
– Jo, të mos bisedohet, por të jetë temë së pari e strukturave më të larta të politikës së brendshme dhe asaj të jashtme.
– Mos të jetë vetëm për konsum të opinionit të brendshëm, por edhe në programin e qeverisë, parlamentit dhe pastaj edhe në politikën e jashtme.
– Prishtina të drejtat e individual e dhe kolektive duhet t’i ngreh dhe mbroj edhe në OSBE, parlament të Evropës, OKB, NATO dhe instance më të larta ndërkombëtare.
– Prishtina pas 17 shkurt të vitit 2008 është dashur të ndërroj kursin ndaj kësaj krahine shqiptare, fatkeqësisht kjo ende nuk ka filluar e as që po duket .

Në bisedimet në mesë të Prishtinës dhe Beogradit është momenti i fundit që parlamenti dhe qeveri e Kosovës duhet të dinë si përfaqësohen dhe kush i përfaqëson interesat e kësaj krahine shqiptare nën Serbi.

(Autori është Prof. i Ekonomisë, publicist i pavarur nga Krahina shqiptare e mbetur nën administrimin e Serbisë)