LAJMI I FUNDIT:

Konflikti mbi identitetin maqedonas dhe e drejta mbi trashëgiminë historike të Maqedonisë (1)

Ndjeshmëria e identitetit kombëtar

Në përpjekjet e një shoqërie që ta mbrojë apo ta dëshmojë ekzistimin e identitetit, në momentin kur shkaktohen përplasjet e argumenteve që hedh njëra apo pala tjetër, lindin konfliktet që do të ndikojnë jo pak jetën politike të një shteti. Njeriu si qenie sociale-biologjike ka një identitet personal, në të njëjtën kohë ai mund të ketë identitete tjera si: identiteti qytetar, kombëtar, etnik, fetar, apo shtetëror. E kaluara e dëshmoi që megjithatë identiteti kombëtar është pak sa më i ndjeshëm për dallim nga identitetet tjera të njeriut.


Gjatë viteve të fundit jo vetëm Maqedonia, por gati në përgjithësi tërë Evropa Juglindore është ngërthyer nga problemet e shumta, polemikat dhe replikat e pafundme që shpesh edhe kanë kaluar limitet e të konsideruarit vetëm probleme politike. Shumë nga problemet që dolën në sipërfaqe viteve të kaluara, ishin ngrirë artificialisht nga sistemi i të kaluarës dhe koha dëshmoi që nuk ishin zgjidhur.

Përderisa në kontinentin e vjetër shfaqen hapa në drejtim të proceseve integruese dhe një evropianizimi, gjithashtu në rrethana të ndryshme nxiten edhe struktura konkurruese identitetesh dhe një garë e afirmimit etnik ndërmjet grupeve shoqërore apo entiteteve shtetërore. Në gadishullin ballkanik por edhe në shumë vende të ish Bashkimit Sovjetik kjo ka ditur të prodhojë një klimë konfliktesh të shprehur edhe në luftë të hapur, kurse në versionet më të buta në armiqësi politike, kriza diplomatike apo edhe probleme ndërkulturore.

Megjithatë, përkundër teorive që sot hidhen shpesh edhe pa mbështetje shkencore, një sociologji e pandikuar nga politika ditore, jo vështirë do të gjejë termin “Homoballkanas” apo “Njeriu Ballkanik”, duke aluduar këtu në shumë elemente të përbashkëta që popuj të kësaj pjese të Evropës mund ti kenë ndërmjet tyre. Kurse në një shëtitje nëpër retrospektivën historike, mahnitemi me mbresën që krijojnë faktet, jo rrallë të fshehura për hir të qëllimeve politike.

Mozaiku shumetnik i Maqedonisë

Përtej kufijve të shtetit të sotëm i cili në historinë moderne për herë të parë si subjekt politik u krijua në fund të luftës së dytë botërore, e vendosur në një pjesë strategjike të gadishullit ballkanik, Maqedonia në kuptimin gjeografik dhe historik të saj, me ndryshimet e krijuar me kohë, vazhdon të mbulojë përafërsisht atë sipërfaqe që në vazhdën e luftërave për dominim dhe zgjerim të perandorive, duhej kontrolluar ushtarakisht dhe politikisht. Pa e arritur këtë, as romakët nuk do të mund të realizonin Via-Egnatian që lidhte Adriatikun dhe Detin e zi e më tej, por as sllavët gjatë dyndjeve të tyre të shekullit të VII-të nuk do të mund të vazhdonin më tutje vendosjen e tyre më në jug në pjesët e sotme të Greqisë qendrore. Kjo traditë në lidhje me këtë territor shumë kohë më pas ndonëse në rrethana krejtësisht tjera, do të zë po të njëjtin vend dhe në një moment do të arrijë të alarmojë dhe tërheq vëmendjen e te gjitha fuqive duke filluar nga Perandoria Britanike, Franca e deri te Rusia.

Përveç famës që emri Maqedoni krijoi në kohën e Lekës së madh, në kohën kur ushtria e kësaj mbretërie të fuqishme kishte arritur të depërtoj deri në Indi, një specifikë e dallueshme e Maqedonisë së shekujve të fundit, padyshim mbetet pasuria e saj shumetnike. Sllavët, shqiptarët, turqit, grekët, vllahët, romët, hebrenjtë me praninë e tyre krijuan imazhin real të një shoqërie të vërtetë shumetnike ku secili nga këta popuj shënoi ngjarje historike e kulturore që për të ardhmen do të shërbejnë si referencë e pakontestueshme mbi rëndësinë e këtij territori. Qendra të rëndësishme si Selaniku me portin e tij detar dhe kapacitetet tregtare që ishte shndërruar në “kryeqytetin” e pashpallur të hebrenjve sefardik të cilët për ti shpëtuar inkuizicionit në gadishullin Iberik gjetën strehë në Perandorinë Osmane, apo Manastiri si një vatër e kulturës shqiptare dhe së fundit vend i lindjes i vet alfabetit shqip, janë vetëm disa nga shembujt e një mozaiku specifik. Pikërisht këtu në disa qytete të Vilajeteve të Manastirit dhe Selanikut, po krijoheshin bërthamat e para të Komitetit të bashkimit dhe përparimit, që historiografia e sotme i njeh si turqit e rinj, nga ku do të formësohen proceset që do të sjellin ndryshimet kushtetuese në Perandorinë Osmane, më vonë edhe krijimin e Republikës Turke dhe vetë fundin e perandorisë që për afro pesë shekuj kishte vë në kuadër të saj gjithë popujt e kësaj pjese të kontinentit të vjetër.

Më vonë, si një hapësirë gërshetimesh të ndryshme etnike, gjuhësore, shto këtu edhe ndikimet e kishës serbe, bullgare dhe asaj greke, vetë Maqedonia do të jetë një nga arsyet kryesore të acarimeve që shpien në luftërat ballkanike. Në fakt, shtetet sllave të posa konsoliduara në atë kohë, përpiqeshin pak a shumë në mënyra të ngjashme të dëshmonin që popullsia sllave ishte pjesë e kombit të tyre shpesh edhe duke harruar faktin që popullsia sllave e Maqedonisë kishte arritur të krijoj disa veçori të saja gjuhësore por edhe një vetëdije të veçantë mbi përkatësinë si një refleksion ndaj pretendimeve të Serbisë dhe Bullgarisë, pavarësisht faktin se kjo mund të ketë ndodhur shumë vonë. Lufta e Greqisë ishte e një natyre tjetër, përderisa ishte e pakuptueshme të përpiqej të tregonte karakterin grek të një popullsia sllavofone, ajo u përqendrua në argumentet historike, në formën çfarë i prezantonte.

Teoritë shkencore dhe historia si peng i politikës ditore

Teoria e sotme mbi identitetin maqedonas e cila vjen nga Shkupi zyrtar, kuptohet që ka qëllim dëshmimin e vazhdimësisë historike të njësisë politike të quajtur Maqedoni, që nga koha e Lekës së madh. Megjithatë, dominimi i elementeve gati krejtësisht sllave në identitetin e maqedonasve të sotëm, shfaq në sipërfaqe faktin se kjo teori nuk ka arritur qartë të arsyetojë aspektin shkencor. Sidoqoftë, kjo teori sot është bërë pjesë e pandashme e politikës ditore në betejën që Maqedonia po e bën për njohjen e emrit të saj, por edhe për njohjen e vet emrit të kombit. Fatkeqësisht, një betejë kjo që po e lë vendin mbrapa dhe shumë larg synimeve të shprehura për integrime euro-atlantike.

S’do mend se prapa polemikave mbi identitetin maqedonas, shpeshherë në luftën që po bën politika ditore, lihen anash teoritë shkencore dhe sidomos teoritë që ekskluzivisht merren me origjinën e kësaj popullate, e kaluara e së cilës fshihet nën mjegullën e historisë si edhe tek shumë popuj tjerë evropian juglindor. Shpesh ky konflikt po humb kuptimin e vet si debat mbi historinë, duke lënë përshtypjen e një lufte të rëndomtë politike ndërmjet dy shteteve.

Qoftë të adaptohet varianti maqedonas se ata janë sllavë të përzier me autoktonët apo variant grek i cili flet mbi origjinën sllave të maqedonasve të sotëm, një gjë nuk duhet debatuar dhe këtu pajtohen të gjithë historianët dhe gjuhëtarët, maqedonasit e sotëm janë pjesë e kulturës që në këto anë nuk filloi të krijohet assesi para shekullit të VII-të dhe kjo ndërlidhet ngushtë me imigrimin e sllavëve. Nuk është e diskutueshme që pas këtij imigrimi, shumë fakte ripohojnë praninë e vazhdueshme të popullatës sllave, historianët këtë e lidhin me ekzistimin e gjuhës dhe kishën e vjetër sllave që në Maqedoni daton nga shekulli X-të.

Në të kaluarën autor të ndryshëm kanë ditur që shpesh edhe të japin përshkrime kontradiktore në lidhje me maqedonasit e sotëm. Kështu gjatë fillimit të shekullit të kaluar, William Zebina Ripley dhe Bertil Lundman e përshkruanin popullsinë sllave të Maqedonisë si bullgare duke u mbështetur në gjuhën e folur sllave në Maqedoni. Kurse autori H. Brailsford i përshkruan si serbë dhe bullgarë por pa një ndarje të qartë etnike mes tyre.

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë, ka pranuar teorinë se popullata e sotme maqedonase është rezultat i përzierjes së popullsive autoktone dhe sllavëve. Është teori e afërt me atë të etnografit bullgar Vasil Kancov i cili megjithatë popullsinë e quan bullgare. Ndërsa Gustav Weigand dhe Carletin Coon më tutje precizojnë se kur përmendën autoktonët të cilët së bashku me sllavët e ardhur u përzien në një etnos të përbashkët, në këtë rast bëhet fjalë për Grekët, Trakasit dhe Ilirët të cilët duke pranuar elemente sllave, iu përshtaten gjuhës së tyre kurse më vonë edhe vetë kulturës sllavo-bizantine.

Gjithsesi nuk duhet harruar që këto teori kanë gjetur vend në një kohë kur jo vetëm sllavët e Maqedonisë por në përgjithësi sllavët e jugut nuk kishin ndonjë demarkacion etnik të qartë ndërmjet tyre, por edhe nëse e kishin kjo në jo pak raste është ngatërruar me përkatësinë fetare, gjegjësisht të qenit anëtar i njërës apo tjetrës kishë.