LAJMI I FUNDIT:

Konferencë për parandalimin e krimit financiar…

Konferencë për parandalimin e krimit financiar…

Në organizim të Zyrës së Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe me mbështetjen e Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, të mërkurën, në Prishtinë, organizohet konferenca me temën “Parandalimi i krimit financiar, korrupsionit dhe pastrimit të parasë në Kosovë”.

Fjalën kryesore në këtë konferencë do ta mbajë kryeministri Hashim Thaçi, ndërsa me një fjalë rasti do të paraqitet edhe shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Renzo Daviddi.

Në konferencë do të flasin edhe ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti dhe përfaqësues të autoriteteve përkatëse, përgjegjëse për zbatimin e Programit qeveritar për parandalimin e ekonomisë joformale në Kosovë, bëhet e ditur në një njoftim të Qeverisë së Kosovës.

Me nismën e kryeministrit Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës ka krijuar Programin qeveritar për parandalimin e ekonomisë joformale në Kosovë për vitet 2008-2009, me ndihmën e Ekipit të Projektit të BE-së, përgjegjës për zbatimin e projektit “Fuqizimi i kapacitetit kosovar për të luftuar pastrimin e parave dhe korrupsionin”.


Programi paraqet bazën për parandalimin e ekonomisë joformale dhe korrupsionit në Kosovë dhe është edhe një sinjal i qartë për qytetarët e Kosovës dhe bashkësinë ndërkombëtare se Qeveria e Republikës së Kosovës është e zotuar për të luftuar korrupsionin, krimet tjera të rënda financiare dhe ekonominë joformale në përgjithësi. /Telegrafi/