LAJMI I FUNDIT:

Koncepte historiografiko-letrare në vështrimin e Ernest Koliqit

Koncepte historiografiko-letrare në vështrimin e Ernest Koliqit

Nga: Gazmend Krasniqi

Ernest Koliqi përmend kontributet e Justin Rrotës, Eqrem Çabejt, Zef Skiroit apo të Namik Ressulit, por kërkon që të mos ua shohim të gjitha ekzigjencat, sepse para përpilimit të historisë së letërsisë duhen studiuar imtësisht e gjerësisht autorë e qendra letrare me rryma, ndikime të brendshme e të jashtme. Pa monografi mbi autorët dhe shfaqjet e rrymave letrare nuk mund të kemi një historishkrim të letërsisë, sepse më parë duhen të derdhen në lum kombëtar burime e shena letrare veçuese e të veçanta.[1] Sipas tij, çdo kontribut duhet të gjejë vendin dhe peshën e vërtetë, pa anësi, me një rend kronologjik, pa marrë parasysh kritere gjeografiko-historike – toskë, gegë, arbëreshë, kosovarë janë pjesëtarë të një përpjekjeje letrare (ai kujton se këtë kriter kishte ndjekur në punimin Antologia della lirica albanese, Milano 1963.

Koliqi i vihet shtjellimit të konceptit të shkollave letrare: konkretisht, asaj jezuite dhe asaj françeskane, që i dhanë letërsisë shqipe njëra Ndre Mjedjen e tjetra Gjergj Fishtën. Ai shpjegon që në fillim se fjalën shkollë e përdor në kuptimin rrymë. Pra, flasim për dy rrymba letrare të ndryshme, secila me theorina të caktueme të veta.[2]


Me këtë shtjellim Koliqi realizon disa afirmime, të cilave nuk mund t’u shmanget një historian i letërsisë shqipe:

1. Afirmimi i konceptit të shkollës letrare jezuite.

Duke pohuar se dallimet mes tyre janë relative, Koliqi merret me shtjellimin e veçorive, duke gjetur te shkolla jezuite (Xanoni, Mjedja, Thaçi) tonin e stilin e lartë dhe ndjekjen e modeleve të autorëve që bota i mban si shembuj përsosjeje letrare. Autorët e kësaj shkolle synonin:

– Prej gjuhës së palëvruar, të arrinin në lartësitë e hartimit letrar ku u kapën kombet e tjera.

– Duke lënë pas dore trajtat popullore dhe frazeologjitë e zakonshme, ata shkruanin për një elitë të zgjedhur.

– Argumentet i merrnin nga librat (duke gjetur aty edhe frymëzimin nga dijet e tyre kulturore dhe historia e lashtë e Shqipërisë). Edhe kur shkruan Andrrën e jetës, ngjarjet e përditshme të një katundi shqiptar Mjedja nuk i pasqyron me frazeologjinë e vendit, por me trajta të rralla e të çmueshme nëpër të cilat lëvizë atmosfera e hollë i nji arti epruer.[3]

Siç thotë Koliqi: Shkolla e Jezuitvet solli në letrësin kombëtare dishiplinën e artit, kultin e trajtës, kërkesën e fjalve të rralla e të çmueshme ndër teksta të vjetër dhe në fjalorë.[4]

Meqë kjo poezi nuk është e popullarizuar, ia vlen të përdorim ilustrimin që bën Koliqi, pra, përkthimin e eklogës së parë të Virgjilit nga Xanoni:

O plak fatbardh! Njiktu ndër luma t’njoftun
Ndër gurra shejte, nëpër hije flladin
Ke per t’a gzue. N’kët anë, i skajit afër
Gardhi, pada kur me i a thith’ vijnë bletat
Fluturim shelqes lulen, shpesh ma t’ambla
Fershellima për gjum‘ ty ka me t’ndjellun.
Ilustrimin e plotësojnë edhe këto vargje origjinale të Thaçit:
Arbnori i lum jetoi: me t’shugurumen
Gjalm’ t’rreligjionit ndër kuvise i lidhun,
Ku veç mbretni për t’larta punë dishiri,
Ti i ndishe fjal’t tue ligjirue si mjalta;

2. Afirmimi i konceptit të shkollës letrare françeskane

Krejt ndryshe prej kësaj të folmeje – pa trajta të zakonshme e frazeologji popullore – do ta bëjë Koliqi përcaktimin e shkollës së dytë: Gjuha shqipe sikur asht e pasun me skaje e fraza ku idhnimi e mënija shfrejnë me ma të madhën gjallni, ashtu ka mundësi të lakohet e të përkulet në shprehje dy kuptimesh, ku xixëllon ironija edhe ku fjala në gjinin e vet, qi duket i mitun, përmban thumbin ma shporues. Kush njef kuvendet e Malsorvet t’onë, din deri ku arrin zotsija e tyne me derrmue parashtresat e njaj kundërshtari me gjuhë që therë e pret. Kët krypë të bisedës shqiptare Françeskajt e derdhën në letrat t’ona.[5]

Ose: Shkolla e Françeskajvet i a hapi dyert e letrësis s’onë visarit shprehës populluer, i fali tharmin e krenìs shqiptare, gjuhën e ndiesive burimore e fisnike të malevet.[6]

De Martino, paraprijës i kësaj shkolle, shkruan:

Pra, mos t’dhimbet nji fërlik,
Për dashtni t’ka ardhë ky mik
Me t’ba nderë e jo me t’fik’.
Si t’kesh mish, venë e raki,
Mrapa, ishalla, për dhunti
Na çon Zoti nji tepsi.

Kësaj mënyre të shkruari Fishta do t’i shtonte nervin karakteristik, qoftë në epikë, qoftë në satirë. Vargjet e mëposhtme të Fishtës, që mbartin këtë “krypë” të bisedës shqiptare, janë të njohura për shumëkënd:

Po shka, Zot – ka Mashi sot,
Qi n’a vra – e nuk po ban za?

3. Afirmimi i konceptit të autorit “dytanak”

Për të bërë historinë e letërsisë shqiptare, vazhdon ai, duhen studiuar gjerësisht autorë e qendra letrare, me rryma e ndikime të brendshme e të jashtme, duke sqaruar se kjo nuk bëhet për qëllime ndarjeje, por për sqarime fazash. Thamë se shembullin tipik të autorëve “dytanakë”, i cili më tepër është fenomen i historisë letrare, sesa i historisë së letërsisë, Koliqi e gjen te Kolë Thaçi. Ai e shikon atë si dishepullin ma besnik të Anton Xanonit dhe librit të këtij të fundit Prisi në lamë të Letratyrës, ndërsa veprat e tij si pasqyra ku virtytet dhe të metat e shkollës që përfaqëson spikasin më qartë se kudo, mbasi qi në to mund të shohim e kundrojmë deri ku i ban gjuha shqipe disa hire retorike, të rëndomta ndër gjuhë të mëdhaja.[7]

Sepse Thaçi i çeli shtegun me stil poetik të vetin të zgjedhun e të përpunuem mundësis së përkthimit të veprave të mëdha klasike (Homeri, Virgili etj.). Si poet nuk la emën, si pionier i naltësimit të shqipes në mjet t’aftë për çdo provë të lartë artistike duhet të zajë nji vend të shënueshëm.[8]

Ky është përcaktimi që i bën Koliqi si njeri i letrave: Rrallë përsosmnija metrike, mjeshtria vargëtuese, lakimi i hapët e i zhdërvjellët i fjalive, qi ndeshim në Thaçin, gjendet ndër vargëtarë tjerë, përveç se në Mjeden e ndoshta në Lasgushin e Zef Skiroin.[9]

Koliqi përfundon: Me at pregatitje teknike letrare e gjuhsore, po t’a kishte rrëmbye flatra e një përftimi poetik të fuqishëm, edhe Mjeden do t’a kapërcente.[10]

Afirmimi i koncepteve pastërtish letrare po bëhej përballë një historiografie letrare tejet të politizuar dhe ideologjizuar, sepse ndodhi ajo që mund ta kishte frikësuar Koliqin: përgatitësit e punimit Historia e letërsisë shqipe I – II, Tiranë 1959 do t’i shanin punimin Shkrimtarë shqiptarë I – II 1941 (për të cilin vetë Koliqi shprehej mirë), me argumentin se vepra u karakterizua nga një frymë e shtrembër ideollogjike dhe politike[11]. Në fakt, vetë punimi që shante, hapej me dy-tri faqe elozhe për Partinë e Punës të Shqipërisë dhe përgatitjen marksiste-leniniste të kuadrove që do të bënin këtë punë, para se të arrinte në shpërfaqjen e kritereve të veta.[12] Siç do të bënte edhe botimi tjetër, Historia e letërsisë shqiptare (1983), që harron të përmendë kritere, por nuk harron të përmendë se në bazë të gjithë kësaj pune qëndrojnë mendimi teorik i PPSH dhe veprat e shokut Enver…[13]

Disa nxjerrje e futje shkrimtarësh për interesa të ngushta, te një letërsi që për herë të parë i kishte mbledhur shqiptarët në një organ kulturor rreth vitit 1900 (Albania 1897-1909), do të ishin vetëm të dëmshme, pasi e përçudnonin në mënyrë të pariparueshme objektin nga duhej të dilte historishkrimi letrar shqiptar. Si pasojë e ideologjizimit dhe politizimit të skajshëm, si dhe ngatërrimit metodologjik, botimi me titull Historia e letërsisë shqiptare të realizmit socialist (Akademia e Shkencave, IGJL. Tiranë 1978), do të bënte ikjen më të skajshme nga mendimi i traditës. Kriteri i saj kryesor – ai tematik – do të ndihmonte për fshirjen e plotë të teksteve e emrave që nuk i përgjigjeshin hullisë kryesore, duke e çuar studimin shqiptar në një rrugë pa krye.[14]

Për historianin letrar ngrihet pyetja: a janë të prerë plotësisht kufijtë midis këtyre dy shkollave, që veprojnë kaq pranë njëra-tjetrës? Fishta shkel “kufijtë” midis tyre, kur shkruan poezinë e famshme “Nji lule vjeshtet”, te e cila përdor atë varg të futur në letërsinë shqipe nga Xanoni – pra njëmbëdhjetërrokëshin e zbërthyer. Mjedja, në një farë mase, i shkel këto “kufij” kur shkruan Andrrën e jetës, te e cila kërkon të kapë frymën e thjeshtë të jetës shqiptare, duke e vënë dialogun e personazheve pranë gjuhës së folur.

Është vetë Koliqi që thotë: Mjedja për pregatitje e prirje e qëllime artistike asht ma afër Zef Skirojt se Fishtës dhe tjerve shkrimtarë shkodranë; Koliqi asht shumë ma afër Lasgush Poradecit se Prennushit e Bernardin Palajt; Shantoja në prozë asht shumë ma afër Konisës se Anton Harapit. Tue mos lanë mbas dore lidhjet e domosdoshme krahinore, shkaktue nga kushtet e kohës, të vëhen në dukje gjasimet e prirjeve stilistike dhe analogji në mes autorve e qendrash letrare të ndryshme.

Gjithsesi, është e rëndësishme, siç thotë Koliqi te punimi “Fryti i dy shkollave letrare shkodrane”, se: Lavrimi i gjuhës, mbledhja e shprehjeve nga goja e popullit, përpjekjet e parreshtuna stilistike, shembujt e letrësivet të hueja, influksi i trajtave ma moderne i a thyen ashpresìt dhe lakuen mjetin letrar në mënyrë qi çdo argument të mund të zhvillohet sot pa vishtirsi.[15]

Padyshim, për sa i përket çështjeve të lartpërmendura, Koliqi mbetet një pikë e fortë referimi për historiografinë letrare shqiptare. /Revista “Palimpset”/

[1] Koliqi, Ernest. Kritikë dhe estetikë. Apollonia. Tiranë 1999, fq. 20
[2] Po aty. Fq. 22
[3] Po aty. Fq. 26
[4] Koliqi, Ernest. Dy shkolla letrare shkodrane. Kisha e Shën Ndoit. Prishtinë 1988, fq. 81
[5] Koliqi, Ernest. Kritikë dhe estetikë. Apollonia. Tiranë 1999, Fq. 25-26
[6] Koliqi, Ernest. Dy shkolla letrare shkodrane. Kisha e Shën Ndoit. Prishtinë 1988, fq. 82
[7] Koliqi, Ernest. Kritikë dhe estetikë. Apollonia. Tiranë 1999. Fq. 188
[8] Po aty. Fq. 20-21
[9] Po aty. Fq. 188
[10] Po aty. Fq. 188-189
[11] Historia e letërsisë shqipe I, Botim i Institutit të Historisë e të Gjuhësisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës, Tiranë 1959. fq. XVI
[12] Të cilat ishin: E para, të përqendrohemi te auktorët e mëdhenj dhe më përparimtarë, për të cilët ishte bërë diçka edhe në të kaluarën; E dyta, të përpiqemi të vëmë në duke trashëgiminë e shëndoshë letrare, duke lënë një herë për një herë pas dore disa nga auktorët dhe problemet që paraqiten shumë kompleksë në studimin e tyre; E treta, të përpiqemi të vëmë në dukje disa nga auktorët dhe veprat përparimtare me një farë vlere artistike, që në regjimet antipopullore dhe fashiste ishin lënë në harresë dhe në errësirë. Po aty, fq. IX
[13] Historia e letërsisë shqiptare. Akademia e Shkencave. Tiranë 1983, fq. 3
[14] Poezia – këto fjalë mbajnë firmën e Ismail Kadaresë dhe i përkasin një interviste të dhënë në një organ letrar parisien – në të kundërt me atë që thonë shkrimtarët e ish-bllokut të Lindjes, që e prezantojnë si avangardë të letërsisë, ishte turpi i letërsisë. Pjesa më e turpshme, më deklarativja, më entuziastja, më socialistja, më komunistja, më idiotja. Të gjitha vendet komuniste mundohen të mbrojnë poezinë, të tërheqin antologji poemash nga qindra-mijëra ekzemplarë dhe… por nuk dua të flas, kjo ma pështiros të gjithën. Në fakt, mendoj se poezia është më fajtorja mes zhanreve letrare në bllokun e vjetër komunist. Ishte më agresivja, më pozitivja për sistemin. (Sipas Le magazine litteraire – Gazeta Shqiptare, 9 mars 2009)
[15] Po aty. fq. 82