LAJMI I FUNDIT:

Komunat e Kosovës të pakënaqura me buxhetin që ua jep Qeveria

Komunat e Kosovës të pakënaqura me buxhetin që ua jep Qeveria

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim buxhetin prej 3 miliardë e 212 milionë euro për vitin 2023, ku 660 milionë i dedikohen qeverisjes lokale dhe komunave, me një rritje për rreth 100 milionë euro nga 560 sa ishin në vitin 2022. Megjithatë, me këtë ndarje janë shprehur të pakënaqur disa nga drejtuesit e komunave.

Për Projektligjin e Buxhetit fillimisht ankesa kishte Asociacioni i Komunave të Kosovës, ku kanë thënë se në vitin 2020 komunat kanë pranuar 21.7 për qind të mjeteve buxhetore nga buxheti qendror. Në vitin 2021, 22.1 për qind kurse në vitin 2022 kjo ka rënë në 19.6 për qind, ndërsa në vitin 2023 do të jetë 20.5 për qind.

Lidhur me këtë Projektligj, Qeveria është akuzuar nga Asociacioni i Komunave dhe partitë politike edhe sa i përket autonominë financiare të komunave, pasi është paraparë që mjetet e pashpenzuara nga viti paraprak të bëhen pjesë e Fondit të Kosovës. Kjo është vlerësuar edhe në kundërshtim me Ligjin e Financave të Pushtetit Lokal.


Me buxhetin që planifikohet t’i ndahet komunave, këto të fundit thonë se e kanë të pamundur t’i plotësojnë nevojat dhe kërkesat e qytetarëve.

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri ka shprehur pakënaqësi me ndarjen e buxhetit për vitin 2023 për komunën që drejton, pasi thotë se qyteti i Pejës është anashkaluar prej buxhetit të këtij viti nga Qeveria.

“Të hyrat vetanake i përmbyllin një pjesë të investimeve, këtë herë si për çudi Qeveria për Komunën e Pejës ka ndarë shumë pak, është viti i dytë që për Komunën e Pejës nuk ka mbi 40 mijë euro investime. Ndërsa, komunat e tjera janë shumëfish më të mëdha, më shumë investime, kemi menduar që kjo praktikë do të hiqet me ardhjes e kësaj qeverisë së re, por po shohim që po vazhdon i njëjti avaz. Peja është total e anashkaluar prej buxhetit të këtij viti të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, tha Muhaxheri.

Edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati është shprehur i pakënaqur me ndarjen e buxhetit nga Qeveri për vitin 2023. Ai tha se do kërkojnë nga niveli qendror që ky buxhet të rritet, në mënyrë që të plotësohen kërkesat dhe nevojat e qytetarëve.

Kastrati tha se përkrahjen buxhetore e kanë orientuar rreth një Malisheve Urbane.

“Buxheti i Komunës së Malishevës, që është pjesë integrale e buxhetit të Republikës së Kosovës përmes granteve të qytetarëve, mirëpo edhe përmes të hyrave vetanake. Kur të dyja këto i bëjmë bashkë nuk mjaftojnë që të realizohen të gjitha kërkesat dhe nevojat që ka infrastruktura e Malishevës, por edhe qytetarët njëkohësisht. Prandaj, po bëjmë përpjekje maksimale që gjatë vitit 2023 të kërkojmë edhe nga niveli qendror që ky buxhet të rritet dhe në këtë mënyrë të plotësohen kërkesat dhe nevojat e qytetarëve. Po ashtu, përkrahjen buxhetore për vitin 2023 e kemi orientuar që komuna jonë të fokusohet më shumë rreth Malishevës Urbane, sepse tashmë Malisheva e ka kohën e vet që të urbanizohet dhe të ketë një plan më të denjë”, tha Kastrati.

Smajl Latifi, kryetar i Rahovecit tha se kjo komunë ka nevojë për përkrahej nga Qeveria e Kosovës. Marrë parasysh inflacionin, Latifi tha se rritja e buxhetit vetëm për mbi dy milionë euro, krahasuar me vitin e kaluar nuk është se zgjidh ndonjë problem.

“Ne i kemi pas në dorë edhe qarkoren e parë buxhetore dhe qarkoren e dytë buxhetore. Buxheti për Komunën e Rahovecit është sipas qarkores së dytë buxhetore dhe sipas asaj që është miratuar edhe në Kuvendin e Komunës, është mbi 17 milionë euro. Ky pastaj është i shpërndarë në mallra, shërbime e investime kapitale, paga, mëditje, subvencione e transfere dhe shërbime komunale. Gjithsesi, Komuna e Rahovecit ka nevojë për shumë më shumë përkrahje edhe në investime publike, pra kapitale por edhe në mallra dhe shërbime, ka nevojë të rritet buxheti edhe për faktin se kemi rritje enorme të çmimeve, kjo rritje e cila ka ndodhur për 2 milionë e gjysmë më shumë këtë vit, nuk është se zgjidh ndonjë problem serioz, shkak inflacioni”, tha Latifi.

Nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Lulzim Aliu tha se buxheti i ndarë për Komunën e Ferizaj, është i pamjaftueshëm për t’i plotësuar nevojat e qytetarëve.

Ai tha se pjesa më e madhe e buxhetit do të investohet në infrastrukturë. Aliu shton se kanë kërkuar nga Qeveria ta bëjnë grantin e katërt, siç e ka premtuar qeveria në pushtet, por shtoi se nuk ka lëvizur asnjë hap në këtë drejtim.

//

“Nuk ka komunë e cila mundet përmes buxhetit që e ka t’i përmbush të gjitha nevojat që i ka. Secilin vit kërkesat shtohen, sidomos Ferizaj është një prej qyteteve që ka një zhvillim të hovshëm, një shtim mekanik të popullatës, do të thotë ka shumë qytete tjera që banorët e tyre dhe po vendosen në qytet dhe sigurisht për neve është i pamjaftueshëm, përkundër asaj që për dallim të vitit të kaluar, buxheti në përgjithësi është i rritur… Pikat kryesore që kemi kushtuar rëndësi buxhetit janë, gjelbërimi, krijimi i parqeve të reja dhe vazhdimi i infrastrukturës në qendër të qytetit, këto projekte na marrin 10 milionë për tri vitet e ardhshme, prandaj është e pamjaftueshme sepse janë projekte të rëndësishme për qytetin dhe është e pamjaftueshme. Marrë parasysh që qyteti Ferizaj është qyteti i dytë për nga zhvillimi ekonomik, buxheti duhet domosdoshmërisht me qenë më i madh. Kemi kërkuar ta bëjmë grantin e katërt siç e ka premtuar kjo qeveri që është tash në qeverisje por nuk ka lëvizur asnjë hap në këtë drejtim”, tha Aliu.

Edhe Riad Rashiti, drejtor për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjilanit, tha se nevoja për investime është më e madhe se buxheti i miratuar.

Rashiti ka treguar edhe fokusin e investimeve për vitin 2023, në këtë komunë.

“Buxheti komunal i miratuar për vitin 2023 është 32,599,281.00 euro, apo 3.5 milionë euro më i lartë se sa vitin aktual 2022. Prej këtij buxheti janë planifikuar 8,435,158.00 euro për investime kapitale apo 1.8 milion euro më shumë se viti aktual. Sigurisht që nevoja për investime janë shumë më të mëdha se sa buxheti i miratuar, duke pas parasysh edhe obligimet e mëdha të trashëguara nga qeverisja e kaluar me rreth 12 milionë euro. Ku gjatë këtij viti kemi paguar vetëm borxhe mbi 4 milionë euro, duke na pamundësuar realizimin e projekteve kapitale të planifikuara për ketë vit. Aktualisht kemi 7.5 milionë euro borxhe të mbetura dhe me këtë buxhet është problem që ngecë investimet. Fokusi ynë për investime në vitin e ardhshëm është në projektet në infrastrukturë, rrugë, trotuare, ujësjellës, kanalizim mirëmbajtje të rrugëve, ku janë planifikuar mbi 4.2 milionë euro për nevoja të shpronësimeve (borxhet e trashëguara) janë planifikuar 2.5 milionë euro, investime në arsim fusha sportive, laboratorë dhe projekte tjera në vlerë prej 454 mijë euro, në shëndetësi për ndërtimin e dy ambulantëve të reja, objektin për fëmijët për shërbime rezidenciale, laboratorë të rijnë, etj, në vlerë prej 650 mijë euro, për bashkëfinancim të projekteve të zhvillimit ekonomik, kemi planifikuar 1.55 milion euro”, tha Rashiti.

Kuvendi i Kosovës javën e kaluar me 64 vota pro, ka miratuar në parim Projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2023.

Kryeministri Albin Kurti duke konsideruar se viti që po lëmë pas ka qenë vit i suksesshëm sa i përket të hyrave buxhetore, theksoi se viti fiskal 2023, do të ketë konsolidim shumë më të mirë të financave publike.

Kurti specifikoi se në buxhetin e këtij viti linjat buxhetore do të adresojnë kategorinë e pagave dhe mëditjeve, investimeve në mallra, shërbime dhe subvencione, në kategorinë e transferove dhe në shpenzimet tjera kapitale.

Po ashtu, ai tregoi se me buxhetin e vitit 2023 do të shtohen pozita të reja pune për inspektorë të punës, të shëndetësisë, të tregut dhe sektorit tatimor. /KP/