LAJMI I FUNDIT:

Kompania Enel, mbijetesë e vështirë në tregun italian të energjisë

Kompania Enel, mbijetesë e vështirë në tregun italian të energjisë

Në Itali ka nisur lufta e tarifave të energjisë elektrike mes kompanive që e ofrojnë këtë shërbim. Ish-monopolistja në këtë treg, shoqëria Enel, do ta ketë të vështirë që të mbijetojë përballë hyrjeve të reja. Bëhet fjalë për tre kompani gjigande në fushën e energjetikës si: Edison, Eni dhe E.on.

Mediat italiane njoftojnë se konkurrenca me kompanive po bëhet pikërisht në çmim. Kjo edhe pse matja e faturës mujore për çdo familje nuk është kaq e lehtë.

Kompanitë e reja në tregun italian të energjisë, Edison dhe Eni, propozojnë një ulje të garantuar të tarifave, në përputhje edhe me rregullat e vendosura nga Autoriteti në fuqi. Shoqëria Edison ofron një ulje të çmimit të energjisë me 20 për qind, ndërsa Eni një reduktim në masën 5 për qind. Një tjetër ofertë e kësaj të fundit është edhe ulja e çmimit në 10 për qind, me kusht që të blihet edhe gazi.

Nga ana tjetër, qëndrojnë propozimet e kompanive E.on dhe Enel, të cilat ofrojnë çmime fikse të energjisë për një periudhë 2-vjeçare. Në këtë mënyrë mund të shmanget rreziku i rritjes së tarifave, si pasojë e shtrenjtësimit të naftës në bursa. Kjo edhe pse parashikimet e fundit tregojnë se tashmë, prej shumë kohësh, kuotimet e arit të zi në tregjet financiare ndërkombëtare janë në rënie.


Por oferta e bërë nga kompania Enel, duket se nuk po sjell përfitimet e pritura te konsumatorët italianë. Shumë prej tyre shprehen se e kanë të vështirë që të përllogarisin kursimin që bëhet nga kjo mënyrë pagesë. Kështu, p.sh kompania Enel bën publicitet për ulje të rëndësishme të çmimit për konsumatorët që kanë pranuar ofertën e bërë në korrik të vitit 2007.

Por mediat italiane njoftojnë se janë të shumtë qytetarët që pretendojnë të kundërtën. Ata pohojnë se kanë paguar edhe më shumë sesa tarifat e përcaktuara nga Autoriteti. Në këto kushte, nuk mbetet veçse që Shoqatat e Mbrojtjes së Konsumatorëve të hetojnë mbi këtë çështje, me qëllim që të zbardhin të vërtetën.