LAJMI I FUNDIT:

Kombëtarja, një imazh më shumë

Kombëtarja, një imazh më shumë

Këtë javë do të zhvillohet ndeshja Shqipëri-Serbi e vlefshme për eliminatoret e Evropianit që do të zhvillohet në Francë. Tetori dhe përkatësisht data 8 e tij, ndoshta do të kujtohen në ditë me një kujdes të posaçëm ose ndoshta do të mbahen mend të dyja pra, edhe tetori edhe data 8, si ngjarje që nuk sjellin mbarësi.

Është shumë interesant të vështrosh se cilët janë ata që vendosin shenjueshmërinë e një date në kujtesën kolektive. Këtu ndahen popujt mitomanë, folklorikë me popujt racionalë. Të parët ia lënë veten në dorë asaj që ata nuk e njohin dhe e shpallin fatin si një shenjë të paravendosur nga lart, të dytët e pranojnë ashtu siç vjen dhe e shënjojnë atë datë me atë vlerë që ajo ka në të vërtetë.


Shqipëria, më datën 8 tetor, mund të shënojë një datë të rëndësishme. Ekipi i saj kombëtar i futbollit, nëse fiton kundër Serbisë, siguron një përparësi të madhe për t’u kualifikuar në Evropianin e Francës. Nëse Danimarka barazon ose humbet me Portugalinë dhe ne fitojmë, atëherë data 8 tetor do të hyjë në memorien kolektive si dita që shënoi hapin e madh që bëri futbolli shqiptar, sepse, për herë të parë, mori pjesë në një garë ndërkombëtare futbolli, siç është Kampionati Evropian i Futbollit.

Është për t’u përmendur një fakt tjetër që në këtë rast i kapërcen kufijtë e arsyetimit logjik dhe e vendos rrëfimin tonë në kufijtë e ngjarjeve të parathëna apo të ndërtuara si me dorë nga një forcë që është jashtë nesh. Përse kjo datë dhe kjo ngjarje na ka vënë përballë Serbinë? Këtu të gjithë kanë të drejtë të lëshojnë fantazinë dhe të kullosin mendjen dhe imagjinatën e tyre atje ku ata ndihen më të sigurt. Këtu është i justifikuar folklori, miti, e mbinatyrshmja. Këtu fantazia ballkanike është në të drejtën e saj që të ndërtojë mite, të ngrejë legjenda e të thurë folklor gjithë ditën e lume, siç mund të shprehej ndokush. Por edhe ai më racionali, më i ftohti, nuk do të mund t’i shpëtonte ngasjes dhe do ta kishte të vështirë të mos pyeste, vërtet, si ka mundësi që kjo ndeshje qëlloi që të luhej kundër Serbisë?

Paralele që priten

Në shumë shkrime apo analiza, sa herë që është përmendur apo analizuar marrëdhënia e serbëve me shqiptarët, është marrë si e ngjashme me këto marrëdhënie ajo e gjermanëve me francezët. Si tipologji, kjo marrëdhënie mund të shtrihet edhe në konflikte të tjera etnish, por megjithatë, vështirë të gjesh një të tillë si kjo e shqiptarëve me serbët. Një nga arsyet pse kjo marrëdhënie nuk ngjet me të tjerat është koha. Shqiptarët dhe serbët janë ende në kohën historike. Më keq akoma, serbët jetojnë në dy kohë edhe të projektuar në kohën etnologjike, pra në mitin e tyre të krijimit, por edhe në kohën historike. Sipas tyre, historia i ka dënuar ata dy herë, sepse herën e parë i çnderoi në Betejën e largët të Fushë-Kosovës dhe herën e dytë u dërrmoi mitin e gjenezës, duke ua shkëputur me dhunë Kosovën.

Serbët dhe elitat e tyre janë ndër kombet e rralla që ende sot kërkojnë dhe janë gati të nxisin modelin e vdekjes për të ringjallur përmasat e mitit. Ndërsa shqiptarët, për hir të së vërtetës, qoftë për mirë, qoftë për keq, kurrë nuk i kanë kaluar kufijtë e tyre etnikë për të marrë territore të tjera. Shqiptarët, në rrymë të shekujve, nuk kanë pasur asnjë mit të gjenezës që të kërkonin ta ruanin apo ta zgjeronin. Për fat të keq, shqiptarët asnjëherë nuk kanë qenë të bashkuar rreth një miti apo rreth një besimi. Tipar i thelbit të tyre ka qenë gjithmonë individualizmi i thellë dhe filozofia e egocentrizmit.

Ky tipar i tyre është shfaqur në shekuj dhe sot e gjithë ditën me karakteristika të tilla si trimëria, mosnënshtrimi dhe guximi i pashoq ashtu si gjaknxehtësia dhe aventura. Shqiptarët e kanë kapërcyer herët kohën historike dhe sot ata shfaqen më shumë si pararendës të kohës modernë në Ballkan, në kuptimin që shqiptarëve u interesojnë më shumë shenjat nacionale, përmbajtja e këtyre shenjave dhe lartësimi folklorik i tyre. Nga kjo pikëpamje, ndeshja me Serbinë në imazhin kolektiv të të dy popujve ka mundësi të përjetohet si dyluftim mes atyre dy modeleve që përmenda më sipër

Xhani De Biazi dhe Gjergj Elez Alia

Ne kemi një fat këtë herë, se në krye të kombëtares shqiptare të futbollit është një italian që nuk e ka ngarkesën historike apo folklorike të shqiptarëve. Ai është profesionist dhe vjen nga një shkollë futbolli që në fushë i beson racionalitetit dhe jo entuziazmit apo patetizmit. Pjesa më e madhe e futbollistëve shqiptarë janë nga anët e Kosovës dhe kjo është një adrenalinë më shumë që ata të jenë super të motivuar dhe ta përfytyrojnë hyrjen në stadium si pjesëmarrje në një betejë. Mund të jetë dhe ashtu, sepse, sporti dhe futbolli sidomos, apo shfaqjet e tjera sportive që realizohen në stadiume kanë në themel edhe diçka nga ndeshja e gladiatorëve.

Në fund të fundit, siç thonë edhe filozofët e komunikimit dhe Bart, sidomos, njerëzit që shkojnë në stadium dhe milionat që ndjekin 22 sportistë që vrapojnë pas një topi, e bëjnë këtë, veç të tjerash, se pas çdo ndeshjeje të tillë është gara, sfida, pra dikush fiton dhe dikush mundet, ashtu si te ndeshja me gladiatorë. Vetëm se në ndryshim prej tyre, gjithë kjo ndeshje, gjithë ky dyluftim, tani kuptohet si lojë, si spektakël, pra si një sikur. Ndaj dhe ndeshja jonë me Serbinë do të ishte mirë që të kuptohej si një lojë, si një sikur dhe jo si një betejë. Këtu do të marrë një rol të posaçëm edhe figura e trajnerit italian të Kombëtares Shqiptare. Fati ynë është se ai nuk e projekton veten si Gjergj Elez Alia dhe se ai vjen nga një shkollë që futbollin e ka të konsoliduar si një lojë.

Por, nuk duhet të harrojë se 11 lojtarët që ai do të hedhë në fushë e ndiejnë veten si heroi i legjendës sonë dhe ata, në më të shumtën e rasteve, nuk do të hyjnë në fushë për të bërë një lojë, por janë të motivuar që të hyjnë në një betejë, nga e cila po të qe e mundur të jepnin edhe jetën. Jo. Ne nuk e duam këtë. Ne të gjithë dëshirojmë që ata të hyjnë në fushë që të zbaviten dhe ta fitojnë atë duke vënë në shërbim më parë mendjen sesa zemrën. Emocionet dhe zemrën mund ta shtinë në punë pas ndeshjes, atëherë kur, në qoftë se do kemi fituar, folklori, mitologjia dhe gjithçka që ruan imagjinata e një populli ballkanas do të lëshohen pa asnjë lloj kufizimi. Atëherë të gjithëve na shkon të bëhemi pak folklorikë dhe karikatura të fatit që na solli si dhuratë pikërisht serbët në ditën e triumfit tonë futbollistik.

Urime, djem! /Gazeta Shqip/

Në trend

Më shumë
Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute

Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute

Boks
Demografia evropiane - cili shtet ka natalitetin më të lartë dhe ku qëndron Kosova?

Demografia evropiane - cili shtet ka natalitetin më të lartë dhe ku qëndron Kosova?

Evropa
Mospërfshirja e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE, reagime të ashpra ta deputetëve gjermanë – kritikojnë qeverinë e tyre

Mospërfshirja e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE, reagime të ashpra ta deputetëve gjermanë – kritikojnë qeverinë e tyre

Lajme
“Vuçiq paguan paraprakisht në rast të fitores së Trumpit”, mediat botërore shkruajnë se si dhëndrit të ish-presidentit amerikan iu shit ndërtesa e Shtabit të Ushtrisë Serbe

“Vuçiq paguan paraprakisht në rast të fitores së Trumpit”, mediat botërore shkruajnë se si dhëndrit të ish-presidentit amerikan iu shit ndërtesa e Shtabit të Ushtrisë Serbe

Serbia
Gjithçka çfarë duhet të dini për meçi mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk: Koha, titujt, rekordet dhe pesha e tyre

Gjithçka çfarë duhet të dini për meçi mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk: Koha, titujt, rekordet dhe pesha e tyre

Boks
Projekti më i mirë, Piramida e Tiranës fiton çmimin e madh për Evropën Juglindore

Projekti më i mirë, Piramida e Tiranës fiton çmimin e madh për Evropën Juglindore

Lajme
Kalo në kategori