LAJMI I FUNDIT:

Kohezioni shoqëror si kusht i suksesit të shtetit

Kohezioni shoqëror si kusht i suksesit të shtetit
Fadil Sahiti (foto: Fahredin Spahija)

Me origjinë nga fjala latine ‘cohaereo’ (të kesh mbështetje dhe të jesh i lidhur me të tjerët), kohezioni shoqëror i referohet sensit të bashkësisë dhe solidaritetit të shfaqur nga njerëzit e një shoqërie. Uniteti mes njerëzve shihet si kushti thelbësor i zhvillimit të një shoqërie, kjo sepse brenda vetes përmban dy atribute: njëri është i natyrës ‘objektive’ (gatishmëria e individit për t’u lidhur me të tjerët dhe për të marrë pjesë në aktivitete politike dhe civile), si dhe tjetri i natyrës ‘subjektive’ (perceptimi ynë se mund t’u besojmë të tjerëve dhe se në rast nevoje mund të mbështetemi tek ta).

Te shoqëritë ku mbizotëron mendësia tribale, mekanizmi origjinal i kohezionit shoqëror bazohet në instinktet si frika, urrejtja, hakmarrja, lakmia etj. Ka qenë instinkti i frikës që shqiptarët – para dhe gjatë luftës – i ka mbajtur të bashkuar. Ishte armiku i jashtëm ai që promovonte kohezionin tonë, e që në fakt mbështetej në dy instinkte negative: në urrejtje dhe frikë. Edhe përmbajtja e patriotizmit shqiptar mbështetej pikërisht te këto dy sentimente: sa më shumë që e shpërfaqnim urrejtjen kundër armikut, aq më patriotë dukeshim. Tani që rreziku nga shfarosja nuk ekziston, duket qesharak një model i tillë i patriotizmit të bazuar në frikë dhe në urrejtje. Për më tepër, nuk del të jetë i dobishëm. Forca lëvizëse e patriotizmit tonë duhet të bazohet tjetërkund.


Nuk duhet të vazhdojmë të besojmë se është armiku i jashtëm ai që na mban kështu – si shoqëri e prapambetur e me probleme të mëdha. Nuk na rrezikon kush nga jashtë. E keqja gjenerohet nga brenda. Kjo sepse nga dy premisat negative që i përmenda më sipër, e kemi flakur të parën (frikën) dhe e kemi ruajtur të dytën (urrejtjen). Mirëpo, urrejtja nuk lidhet më me armikun e jashtëm (ndonëse ka të tillë që vdesin për të na bindur për këtë). Përveç kompetencës qeverisëse që mungon, është urrejtja ndaj njëri-tjetrit që e promovon prapambetjen tonë. Mjafton t’i shikojmë debatet televizive, në të gjitha kanalet me frekuenca nacionale, dhe do të bindeni për këtë. Shqiptarët me pasion e urrejnë njëri-tjetrin!

A mund të dalim nga kjo situatë?

Sigurisht që mundemi. Por, kjo nënkupton që krerët politikë, intelektualët, por edhe përfaqësuesit e komunitetit afarist të kuptojnë se nuk ka zgjidhje tjetër përveçse arritjes së një konsensusi nacional për çështjet madhore (e të tilla ka mjaftë). Mendimi im është se problemi më madhor, për sot, është përmbyllja e konfliktit me shtetin fqinj – Serbinë. Përmbyllja eventuale e këtij konflikti do të na mundësonte të lirojmë më shumë energji pozitive brenda trupit tonë e të fokusohemi në reformimin e jetës sonë (veçanërisht në arsim, drejtësi, shëndetësi dhe ndërmarrësi e ekonomi).

Nëse konflikti përmbyllet pa një kohezion minimal politik dhe shoqëror, efektet negative do të jenë të mëdha dhe afatgjate për të ardhmen tonë.

Është infantilizëm politik të besohet se do të shkojmë në dialog, porse nuk do të bëjmë koncesione. Nuk ka asnjë dyshim se ata që do ta ndërmjetësojnë këtë dialog, do ta kërkojnë këtë, sepse të lëshuarit pe e përbën thelbin e dialogut. Por, varet nga ne se cilat do të jenë këto koncesione dhe sa të dobishme apo të dëmshme do të janë ato për shtetin e Kosovës.

Sa më të bashkuar që do të shkojmë drejt aktit final të dialogut me Serbinë, aq më të fituar do të dalim (dhe anasjelltas). Ndryshe, nuk ka kuptim që pas dialogut të diskutohet faji, sepse faji do jetë i të gjithë neve. Por, do t’i faturohet të gjitha partive politike, nëse asetin kryesor vazhdojnë ta kenë urrejtjen ndaj njëri-tjetrit.