LAJMI I FUNDIT:

Kharchenko: Nuk përjashtoj mundësinë e krijimit të “Shqipërisë së madhe”

Kharchenko: Nuk përjashtoj mundësinë e krijimit të “Shqipërisë së madhe”

Në raundin e ri të bisedimeve në mes të Beogradit dhe Prishtinës në Austri nuk pres ndonjë depërtim, mirëpo ekzistojnë disa gjasa për përparim nëse pala shqiptare i kthehet logjikës normale, që fillimisht të arrihet marrëveshja për bisedimet për statusin, ndërsa më pastaj të diskutohen çështjet e pas-statusit, ka deklaruar përfaqësuesi rus në Treshen ndërkombëtare, Alexander Kharchenko, në një intervistë për gazetën serbe Blic.

Ai po ashtu ka thënë se, “nëse gjërat dalin nga kontrolli”, ai nuk përjashton mundësinë e krijimit të ‘Shqipërisë së madhe’, që do të ishte rezultat i “bashkimit të territoreve të populluara me shqiptarë”.

Lidhur me atë se cila është vija e kuqe e Moskës në këto bisedime, Kharchenko ka përsëritur frazën tashmë të zakonshme ruse se, “vija e kuqe e Moskës është miratimi i rezolutës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për statusin e Kosovës, ekskluzivisht në bazë të zgjidhjes së arritur në bisedime, në mes të Beogradit dhe Prishtinës”.

Kharchenko, në këtë intervistë po ashtu ka thënë se raporti i Treshes, nuk do t’i dorëzohet, e as nuk do t’i prezantohet zyrtarisht sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, para vizitës së Treshes në rajon, që pritet të ndodhë më 3 dhjetor.


“Kjo vizitë është pjesë e protokollit, mandati i tashëm i Treshes merr fund. Mirëpo nuk është më e rëndësishmja të themi ‘faleminderit’ dhe ‘ditën e mirë’, por që takimet në Beograd dhe Prishtinë, do të jenë edhe një shans që të arrihet ndonjë përparim”, ka shtuar ai.