LAJMI I FUNDIT:

Këto janë veturat e zyrtarëve shtetërorë të Kosovës

Këto janë veturat e zyrtarëve shtetërorë të Kosovës

Agjencia kundër Korrupsionit ka publikuar të hënën pasdite në faqen zyrtare të saj në internet regjistrat e deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë së zyrtareve të lartë publik, në pajtim me Ligjin për Deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë, dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave.

Si edhe çdo vit tjetër, pasuria e shumicës së zyrtarëve të shtetit është rritur. Përveç që kanë shtëpi, banesa, para të deponuara në bankë e janë aksionarë në kompani, ata kanë edhe vetura tejet të shtrenjta.

Portali tesheshi.com ka vëzhguar formularët e pasurisë së disa prej zyrtarëve të lartë të shtetit dhe është marrë në veçanti me veturat që posedojnë që nga presidentja, kryekuvendari, ministrant dhe deputetët.


Kampion për ‘veturë më të shtrenjtë’, është ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, funksionar i lartë i LDK-së. Hyseni mund të mburret pasi posedon veturën më të shtrenjtë nga kolegët. Ai ka veturë të tipit Audi në vlerë 45 mijë euro, të cilët thotë se e ka blerë nga kursimet në vitin 2012. Me të vërtetë, Hyseni sipas deklarimit duket të jetë edhe një kursimtar shumë i madh, në të kundërtën nuk do ta kishte këtë veturë luksoze.

Opozitari Fatmir Limaj, kryetar i partisë Nisma për Kosovën, ish ministër i Transportit dhe Telekomit të Kosovës, ka markë të njëjtë të veturës, Audi (A6), e cila kushton hiç më pak se 30 mijë euro. Limaj, në formularin e deklarimit të pasurisë ka shkruar se këtë veturë e ka blerë nga shitja paraprake e veturës, por nuk e ka cekur se çfarë veture ka shitur dhe se çfarë vlere ka pasur.

Teuta Rugova, vajza e ish presidentit Ibrahim Rugova, po ashtu ka një veturë tejet te shtrenjtë edhe pse nuk dihet se çfarë tipi është ajo. Vetura e saj kushton 25 mijë euro, derisa thotë se e ka blerë nga kursimet në vitin 2012.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka deklaruar dy vetura: një në pronësi personale dhe një në pronësi të gruas. Veturës së tij, të cilës nuk ia ka treguar markën, i ka vënë vlerën 18 mijë euro, të cilën thotë e ka blerë me kredi dhe ndërrim të veturës paraprake. Kurse, veturën e bashkëshortes, që po ashtu nuk ka treguar çfarë tipi është, kushton 8500 euro duke thënë se e ka blerë po ashtu me kredi dhe ndërrim të veturës paraprake.

Lutfi Zharku, ministër i Infrastrukturës, funksionar i lartë i LDK-së, siç duket i pëlqen tej mase vetura e tipit Mercedes. Ai, për t’ia plotësuar dëshirën vetës, ka shpenzuar hiq më pak se 17.800 euro për ta blerë një veturë Mercedes ML 320.

Presidentja Atifete Jahjaga, në vitin 2011 kur ishte bërë presidente, kishte deklaruar për herë të parë veturë të tipit Golf 2, në vlerë rreth dymijë euro. Por, situata ka ndryshuar tërësisht pas katër vitesh. Ajo më nuk e posedon Golfin, por veturë tejet, Shkoda New Octavia 1.6 TD në vlerë 16.500 të cilën thotë ta ketë blerë me kontratë financiare me afat 60 muaj.

Kryekuvendari Kadri Veseli ka deklaruar një veturë xhip në vlerë 16.300 euro, në pronësi të bashkëshortes së tij, të cilën thotë se e ka blerë në vitin 2014 ngas kursimet.

Ministri i Jashtëm dhe kreu i PDK-së, Hashim Thaçi, sipas deklarimit të pasurisë nuk ka veturë personale, Ai ka deklaruar një veturë të tipit Pasat në vlerë 13 mijë euro, në pronësi të bashkëshortes së tij, të cilën ka shkruar se e ka blerë nga kursimet në vitin 2010.

Ministrja pa portofol, Edita Tahiri, gjithashtu posedon një Opel Astra në vlerë 12 mijë euro të cilën e ka blerë në vitin 2007.

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, është një tjetër zyrtarë i LDK-së që ka blerë një veturë. Opel Zafira është vetura 10 mijë euro që e ka blerë Demolli.

Për dallim nga kolegët ministra, Blerand Stavileci ministër i Zhvillimit Ekonomik posedon një veturë shumë më të lirë. Ai ka deklaruar në pronësi veturë të tipit Opel Astra në vlerë 5000 euro.

Veturë edhe më të lirë ka deklaruar ministri i Diasporës, Valon Murati, i cili posedon makinë Citroen që kushton vetëm 3000 euro të cilën e ka blerë në vitin 2006.

Ministri i Administratë Publike, Mahir Yagxhilar, ka deklaruar veturë të markës Renault Modus që kushton 6000 euro, të cilën e ka blerë me kredi në vitin 2012.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka deklaruar veturë xhip Land Rover në vlerë 7000 euro.

Ish kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, edhe këtë vit, si në vitin e kaluar, ka deklaruar veturën Chevrelet të cilën ka shkruar se e ka dhuratë nga vëllai.

Si ministrat, ashtu edhe shefat e Grupeve Parlamentare të partive politike kanë vetura tejet të shtrenjta dhe luksoze.

Shefi i GP të PDK-së, Adem Grabovci, ka deklaruar veturë BMW, e blerë në vitin 2013 (siç e ka shkruar: nga sigurimi kasko i Mersedesit pas aksidentit dhe nga kursimet).

Kryetari i GP të LDK-së, Ismet Beqiri, posedon veturë në vlerë 6000 euro të cilën e ka blerë në vitin 2012, por nuk ka treguar markën e saj.

Shefi i GP të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca, ka veturë më të shtrenjtë se Beqiri, pasi kushton 7300 euro, të cilën thotë se e ka blerë nga kursimet ne vitin 2015. /tesheshi.com/