LAJMI I FUNDIT:

Këtë ua kemi borxhe fëmijëve tanë

Këtë ua kemi borxhe fëmijëve tanë

Sot dhjetë vjet më parë, më 9 dhjetor 2003, në Kombet e Bashkuara u mblodhën më shumë se 100 përfaqësues shtetesh nga e mbarë bota për të nënshkruar Konventën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit.

Përmes këtij akti, shtete të ndryshme demonstruan gatishmërinë e një mobilizimi të përbashkët si asnjëherë më parë përtej kufijve nacionalë për të vendosur rregulla, parime dhe principe të cilat sot e asaj dite janë në betejë kundër të keqes së quajtur Korrupsion.


Masat e kësaj konvente të cilat bazohen mbi parimet e ligjshmërisë, ndershmërisë, transparencës, llogaridhënies dhe demokracisë, janë një udhërrëfyes i shkëlqyer për të gjitha shtetet të cilat duhet të nxjerrin rregulla dhe marrin masa konkrete nëpër territoret e tyre, në përpjekje për ta shpëtuar shoqërinë e vetë nga humnerizimi i së ardhmes dhe i zhvillimit.

Ndonëse Kosova, për shkak të statusit të saj politik që ka në OKB nuk ka arritur që të nënshkruajë këtë Konventë, por është anëtare vëzhguese e punimeve vjetore të saj, shumë obligime që dalin prej saj veçse i ka zbatuar, duke themeluar të gjithë mekanizmat shtetëror që e luftoj dhe parandalojnë korrupsionin.

Por, a mjafton kjo?

Disa ditë më parë, raporti vjetor i organizatës prestigjioze që merret me trendët e nivelit të Korrupsionit nëpër botë – “Transparency Internationale”, TI, Kosovën pothuajse e pasqyrojë “si të pa fytyrë”.

Kjo duhet të na shqetësojë të gjithëve për faktin se shteti që na takon të gjithë neve pasqyrohet me nivelin e lartë të korrupsionit aty në mesin e shteteve afrikane, që ne i shohim nga larg si vende ku nuk respektohen rregullat ligjor, por ato fisnore e klanore. Në fakt, notimi i studimit të TI-së, Kosovën e rangon në mesin e tyre.

Në perspektiven e brendshme, gjatë këtij viti Agjencia kundër Korrupsionit ka bërë një punë të madhe në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.

Agjencia si mekanizëm kryesor i zbatimit të Ligjit për Konfliktin e Interesit, gjatë këtij viti ka hetuar më shumë se 200 raste, duke parandaluar kështu konfliktin e interesit në të gjitha rastet e trajtuara.
Një aktivitet i suksesshëm i Agjencisë është edhe parandalimi i veprimeve të mundshme korruptive të aktiviteteve tenderuese, nëpër të gjitha institucionet e Republikës, si në nivel qendror, në atë lokal, mekanizmat e pavarur dhe ndërmarrjet publike. Kjo ka ndodhur përmes një angazhimi sistematik të monitorimit të proceseve dhe procedurave të 25 aktiviteteve tenderuese.

Jam i lumtur të përmendi se këtë vit deklarimi i pasurisë nga ana e zyrtarëve të lartë publikë ka qenë 99.3 për qind, rast pozitiv ky që nuk është shënuar në as një shtet të botës. Ky fakt reflekton masat strikte dhe këmbëngulëse që u vendosën në Kodin Penal të Kosovës, ku mos deklarimi i pasurisë është i paraparë si vepër penale. E pra, duke u nisur nga ky shembull konkret i rezultatit, të dalë nga masat e rrepta, do të ishte ideale sikur autoritete e drejtësisë të gjejnë metodat e duhura për të adresuar me vullnet e përkushtim kallëzimet penale si vepra të dyshuara korruptive që automatikisht do të reflektohet si sukses edhe tek luftimi i korrupsionit, pjesa më problematike që po i jep imazh të keq shoqërisë tonë.

Në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit, unë u bëj thirrje të gjithëve që të mos na lënë të vetëm, të bashkohen me ne, që gjithë së bashku ta japim maksimumin për ta luftuar korrupsionin, shkatërruesin e të ardhmes prosperuese.

Konventa ndërkombëtare kundër korrupsionit tani ka bashkuar 168 shtete dhe kombe për të vetmin qëllim: fitoren e përbashkët kundër të keqes.

Duke marrë si shembull që shtete, e kombe nga kontinente të ndryshme kanë arritur të mobilizohen, atëherë pse ne të mos e bëjmë të njëjtën gjë, sepse fundja mobilizimi dhe angazhimi i të gjithëve shënon rezultate në të mirë të shtetit dhe përmirësimit të imazhit të shoqërisë tonë. Këtë e meritojnë qytetarët e Kosovës – aleati më i fortë i Agjencisë.

Këtë ua kemi borxhe fëmijëve tanë!

(Autori është Drejtor i Agjencisë kundër Korrupsionit)