LAJMI I FUNDIT:

KEK, shpërndarja dhe furnizimi, vlera 500 milionë euro

KEK, shpërndarja dhe furnizimi, vlera 500 milionë euro

Fadil Ismaili, drejtor i KOSTT-it, thotë se nëse arrihet çmimi që është shitur shpërndarja dhe furnizimi në Shqipëri (OSSH), kompanisë çeke CEZ, do të ishte shumë i kënaqur. OSSH është shitur në Shqipëri për 102 milionë euro, 200 milionë euro investime ndërsa kompania çeke ka marrë përsipër edhe borxhet në shumën prej gati 150 milionë euro.

Qeveria e Kosovë ka marrë vendim për të filluar privatizimin e KEK-ut duke filluar me sektorin e shpërndarjes dhe furnizimit, me arsyetimin se në këtë kompani duhet të hyjë kapitali privat, dhe prej vitit të ardhshëm kjo kompani të mos marrë para nga buxheti i Kosovës.

Sipas ministrit të Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, deri më tani KEK-u ka marrë 1.1 miliard euro donacione, 600 milionë euro nga donatorët dhe 500 milionë euro nga buxheti i Kosovës.

“Së pari duhet të kryhet një studim komplet i të gjithë rrjetit, i cili mund të marrë kohë deri në dy vjet, për të ardhur deri në ditën finale për ta nxjerrë në shitje. Është një megastudim i cili duhet të kryhet nga ekspertët vendas dhe të huaj. Duhet të vlerësohet gjendja aktuale e sistemit, vlera e saj, pikat ku duhet investuar etj ”, tha për Telegrafi.com, drejtori i KOSST-tit, Fadil Ismaili.


Duke bërë krahasimin mes gjendjes së shpërndarjes në Shqipëri, borxheve dhe problemeve të tjera, Ismaili tha se edhe në Kosovë gjendja është pothuajse e njëjtë.

“Në pjesë të ndryshme të Kosovës rrjeti është shumë i dëmtuar, ndërsa në disa pjesë është mirë. Po ashtu edhe me borxhet jemi pothuajse njëlloj sikurse në Shqipëri. Do të isha i kënaqur nëse shpërndarja dhe furnizimi në Kosovës do të shiteshin për një çmim sikurse në Shqipëri. Kuptohet nëse realizohen investimet që i ka premtuar blerësi. Ky është një vlerësim hipotetik ”, tha tutje Ismaili. /Telegrafi/