LAJMI I FUNDIT:

KEK arrin rekorde sa i përket inkasimit

KEK arrin rekorde sa i përket inkasimit

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), me anë të një komunikate të lëshuar për shtyp, ka njoftuar se ka arritur nivele rekorde sa i përket inkasimit. Për nëntë muajt e parë të vitit, KEK-u ka inkasuar mbi 94 milionë euro, me një mesatare prej më tepër se 10 milionë euro në muaj.

KEK-u ka njoftuar se inkasimi nga muaji në muaj ka ardhur duke u rritur. Kështu, gjatë muajit të fundit të përbyllur, pra në shtator, inkasimi arriti në 12.9 milionë euro, që është më i larti në historinë e Korporatës.

"Në bazë të projektimeve aktuale, inkasimi do ta tejkalojë shifrën prej 125 milionë eurove, që është bindshëm më e larta e shënuar në vitet e pasluftës dhe tejkalon objektivat e parapara për këtë vit. Caku tani është të inkasohen 130 milionë euro këtë vit".

Me këtë rast Arben Gjuka, u.d. i drejtorit menaxhues të KEK-ut është shprehur se, synim i menaxhmentit të KEK-ut është që ta bëjë Korporatën të vetëqëndrueshme financiarisht.


"Rritja e vazhdueshme e inkasimit dhe thyerja e rekordeve e dëshmojnë këtë. Jemi të përkushtuar të vazhdojmë tutje si në përmirësimin e pozitës financiare, ashtu edhe në furnizimin me energji elektrike për konsumatorët në mënyrë sa më kualitative”.

Ndërkohë sa i përket humbjeve teknike dhe komerciale KEK-u ka njoftuar se janë ulur për 5.41 për qind gjatë tetë muajve të parë të këtij viti, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2007. Shprehur në vlera monetare, menaxhmenti aktual i KEK-ut ka arritur të shmangë humbjen e së paku 6 milionë eurove, në 8 muajt e parë të vitit.

“Këto rezultate janë arritur si rezultat i angazhimit maksimal të të gjithë punëtorëve në KEK dhe bashkëpunimit të shkëlqyshëm në mes të divizioneve të Korporatës”, ka pohuar Gjukaj. /Telegrafi/