LAJMI I FUNDIT:

Ju sjell pak poezi nga Gjakova

Ju sjell pak poezi nga Gjakova

Prej një kohe që nuk e kam shumë të qartë, sa herë që largohem nga Shqipëria, qoftë jashtë vendit tim, pra kur udhëtoj në vende të ndryshme nga imi, qoftë edhe kur udhëtoj në Kosovë, që është në një farë mënyre vendi im, por jo habitati im, kam ndjesinë se po largohem nga çmendina. Madje, në qoftë se dita e udhëtimit është e premte, siç më ndodhi mua këtë herën e fundit, kjo ndjesi jo vetëm që thellohet dhe të shtyp, por ti fillon ta besosh me të vërtetë që prej shumë kohësh jeton në një çmendinë.

Pra, të premten, më 9 maj, së bashku me bashkëshorten time, ishim të ftuar në “Mitingun e 50 të Poezisë” që mbahet në Gjakovë. Unë, së bashku me mikun tim dhe studiuesin e dalluar nga Prishtina, Agim Vincën, do të flisnim për kritikën letrare shqiptare në seancën jubilare të këtij aktiviteti.


Kam pasur edhe një rast tjetër që të përshkruaj emocionet e mia nga udhëtimi në Kosovë, por këtë radhë, një lloj mosdëshire, një lloj apatie, më kishte mbërthyer të tërin dhe kur dita e nisjes po afrohej, disa herë thashë me vete se ndoshta do të ishte më mirë që të mos shkoja, sepse unë jetoj në një vend që poezinë e ka varrosur prej kohësh; unë jetoj në një vend që zotërohet i tëri nga një mjegull e trashë dhe nga re të zeza që janë gati të lëshojnë nga ora në orë shiun e dendur të llumit të sharjeve e fyerjeve; unë jetoj në një vend që ka vetëm një formë të paraqitjes së botës, që është ajo që i tregohet publikut një herë në javë, ditën e enjte në Parlamentin shqiptar dhe pastaj përditë në ekrane televizive e në faqe gazetash; unë jetoj në një vend që si formë të vetme komunikimi ka vetëm ligjërimin politik që ndërtohet me metafora të asgjësimit luftarak me shpata e jataganë, ku tregohet e përshkruhet vetëm një realitet, ai i luftës me fjalët më të ndyra, me sharje e etiketime, me kërcënime e shantazhe që opozita e sotme, e udhëhequr nga rapsodi fantazmagorik, i përcjell orë e minutë armiqve të tij që i kanë marrë apo i kanë “xanun” kullën e qeverisë.

Ne, prej më shumë se njëzet e ca vjet, po e vërtetojmë thuajse përditë atë thënien fatale që hedh një gur në lumë një budalla dhe ne të gjithë kemi njëzet e ca vjet që nuk po e gjejmë dot. Me këtë ndjesi po udhëtoja në Gjakovë edhe për të takuar ish-studentin tim të viteve 1984-’87, poetin Muharrem Kurti, që ishte në krye të klubit poetik “Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës.

Kisha një lloj kurioziteti edhe cinik paksa se çfarë do të gjeja në këtë veprimtari. Isha përgatitur prej disa kohësh për atë që do të flisja aty, por sa herë që hapja kompjuterin dhe shënoja titullin e ligjëratës që do të mbaja, e kisha të pamundur të shkruaja qoftë edhe një radhë. Titullin e shkrova disa herë, por sapo nisja reshtin e parë, sapo doja të shkruaja togfjalëshin kritika letrare, fjalia më ngecte dhe nuk vijoja dot.

Më pështilleshin në mendje shumë ide e imazhe të kundërta, por sidomos ndjesia e çmendinës më pushtonte të tërin dhe më krijonte një frenim të tillë që e kisha të pamundur të shkruaja qoftë edhe një fjalë të vetme. Mua po më ftonin në një veprimtari që i kushtohej tërësisht poezisë dhe kjo se si më dukej. Ndieja edhe njëlloj keqardhjeje për ata njerëz që besonin ende se poezia është një art i bukur, që të josh. Doja të sillja në përfytyrim imazhin e poetit të sotëm që ta përqasja me atë figurë që ruajmë në imazhin kolektiv për poetin, por e kisha të pamundur. Ndaj shfletoja disa libra dhe përpiqesha që të ndërtoja një tekst që më shumë do të justifikonte gjendjen time përballë poezisë sesa do të tregonte realisht se në cilën fazë është kritika letrare sot.

Në Gjakovë gjeta një atmosferë tjetër. Ime shoqe ishte shumë e gëzuar nga pritja dhe klima njerëzore. Poetët që na prisnin aty, disa i shihja për herë të parë, disa i njihja. M’u duk vetja se isha në një komunitet me njerëz të urtë, si midis murgjish, që besojnë në një dogmë të lashtë e të patjetërsueshme. Ashtu ishin edhe ata.

Ora iku shpejt dhe në sallën ku do të mbahej veprimtaria u mblodhën shumë njerëz. Nisa të flas për kritikën letrare sot dhe e fillova duke kujtuar një citim që bënte kritiku i shquar shqiptar, Vangjel Koça, kur i përgjigjej Hekuran Lumit (pseud. i Vedat Kokonës), kur ky i fundit merrej dhe analizonte gjendjen e letërsisë në vitet ’30. Vangjel Koça i kujtonte atij se po i futej një rruge të vështirë, se kritika letrare është një punë e rëndë dhe me shumë paragjykime e krijon konflikte. Ai i kujtonte një anekdotë të lashtë, sipas së cilës thuhet se Shën Pjetri, një ditë e pa Jezusin që u ngrit nga varri dhe po bëhej gati për rrugë. “Ku shkon?”, e pyet Shën Pjetri? “Në Romë”, i përgjigjet ai, “që të kryqëzohem përsëri”.

Sot, në Shqipëri, nuk ekziston kritika letrare e mirëfilltë, në kuptimin që ka ky term. Pra, nuk kemi më kritikën recensionale që përcjell letërsinë që krijohet apo që vjen përmes përkthimit. Nuk kemi më një organ të specializuar, siç ishte “Drita” dikur. Kritika letrare, siç vuri me të drejtë në dukje Agim Vinca në këtë takim, kur bëhet për miqtë shkrimtarë është një panegjirik i lodhshëm, kur bëhet për armiqtë letrarë është një pamflet kinez i mbushur me denigrime e përjashtime.

Në gjithë këta vite ne kemi ndërtuar figurën e kritikut politik pamfletist dhe poeti nuk është më figura që i imponohet shoqërisë. Sot, modeli i shoqërisë është bërë ai që Umberto Ekoja e pat vënë re që në vitet ’60, kur në Itali u shfaq Majk Bonxhiorno dhe televizioni komercial. Në atë kohë, Ekoja shënoi i parë se tani modelin artistik apo mediatik të shoqërisë e zë mediokri i vetëkënaqur, që nxit dhe shtyn përpara mediokritetin kolektiv dhe popullsinë e telenovelave.

Në vendet e zhvilluara poezia nuk u mbyt tërësisht, nuk u asgjësua. Ajo iu ngjit këngës dhe kantautorët e famshëm, duke bërë bashkë poezinë dhe muzikën, u bënë modele më të fuqishme ndonjëherë sesa starët mediokër të televizioneve. Në një farë mënyre, ata e ndryshuan shoqërinë e tyre qoftë duke iu modifikuar shijet, qoftë edhe duke iu treguar shtigjet nga të projektoheshin.

Në Shqipëri, poezia u ndrydh dhe u struk në grupe të vegjël poetësh dhe turbofolku, ringjallja e kulturës së ahengut e shkalafiti muzën e ndrojtur poetike. Në Shqipëri nuk ka kantautorë që të jenë modele për të drejtuar shijet e një brezi. Pat bërë një përpjekje të mirë Pirro Çako me dy disqe që ndërtoheshin me poezitë e T. Kekos. Mbaj mend se ato u bënë hite shumë shpejt, por edhe Pirroja ra në avujt e ngrohtë të turbofolkut dhe humbi bashkë me dy disqet e famshme.

Vinca bëri një paraqitje më analitike dhe më të detajuar të kritikës letrare sot. Ai, me skrupulozitetin e studiuesit e paraqiti këtë panoramë me të gjitha ngjyrat dhe detajet. Konkluzioni i tij se kritikës sonë i mungon profesionalizmi dhe etika sidomos ishte përfundimi më i drejtë.

Në sallën e madhe me rreth 700 vende, vazhdoi pjesa e dytë e veprimtarisë. Kur Muharremi më tha se mund të jenë rreth 500-600 vetë që do të dëgjojnë poezi, unë nuk e besova. Kur hymë në atë sallë dhe kur ajo nisi të mbushej ngadalë, po habitesha dhe po mendoja se si do të silleshin gjithë ata njerëz me poetët që do të recitonin nga një poezi në skenë. U ngjitën të gjithë bashkë me ta dhe miku im, gazetari dhe poeti Aleksandër Çipa, dhe duke u përzier herë me ndonjë këngë apo herë me ndonjë paraqitje tjetër, poetët nisën të recitonin poezitë e tyre.

Kishin ardhur edhe dy poetë nga Katalonja e Spanjës, poezia e të cilëve ishte vërtet një art që jetonte shekullin XXI, një poezi që mungon në viset tona.

Recituan të gjithë dhe salla e mbushur me rreth 600 vetë dëgjonte me vëmendjen më të madhe. Unë mbeta i mahnitur nga kjo sjellje. I ardhur nga një çmendinë e njohur botërisht siç është habitati im, po të ma kishin thënë se në Gjakovë, në një sallë kinemaje mblidhen aq shumë njerëz dhe dëgjojnë për më shumë se dy orë poezi, në heshtje dhe i duartrokasin ato, nuk do ta kisha besuar.

Natyrisht, për çmendinën e Tiranës kjo shfaqje mund të jetë një manifestim populist dhe një maratonë e shijeve jo të ngritura. Mund të jetë edhe ashtu. Por, manifestimi, shfaqja, marrëdhënia që shqiptarët e Gjakovës ruajnë me poezinë dhe kërkojnë të identifikohen me të është një shenjë pozitive. Duke parë sallën plot të Gjakovës, më shkonte mendja te sallat bosh në Shqipëri që mbushen vetëm kur afrojnë zgjedhjet e radhës dhe turmat e eksituara ulërasin si në ekstazë për vdekje të kundërshtarit politik. Pastaj, në sallone të mbyllura mund të mblidhen sekte të caktuara që talentin dhe artin e tyre e kanë të stërvitur në pamflete kundër armiqve letrarë dhe në zdërhallje e panegjirike për shokët dhe shoqet e tyre shkrimtarë a poetë.

Ditën tjetër nisemi nga Gjakova në Prishtinë. Aty kalojmë drekën, pastaj pimë një kafe në Prizren dhe kthehemi. Sapo kemi kaluar një nga fshatrat e Mirditës, ime shoqe që kontrollon përmes celularit të saj lajmet nga Shqipëria, më thotë se qenka kapur një avion në Divjakë. Mos, i them, vetëm avion jo. Po, po, madje dyshohet se vinte për të marrë drogë, se më tej është kapur edhe një fouristradë me 460 kilogramë kanabis. Jo, mos, hajde kthehemi i them. Shiko rrugën më thotë ajo se do të na hedhësh. Po kush e jep lajmin? Është zyrtare më thotë. Mos, jo, avion, drogë, çmendinë.

M’u kujtuan kronikat e “Kronikës” së Kadaresë. Prit kur të dëgjojmë tani se Berisha është me barrë… jo, mos, drogë, Divjakë, avion sportiv, avionë britanikë dhe avionë grekë dhe një avion mbi Kalanë e Rozafës. Po futeshim në Tiranë, po hynim në çmendinë…

(Marrë nga: Gazeta Shqip)

Në trend

Më shumë
Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute

Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute

Boks
Demografia evropiane - cili shtet ka natalitetin më të lartë dhe ku qëndron Kosova?

Demografia evropiane - cili shtet ka natalitetin më të lartë dhe ku qëndron Kosova?

Evropa
Mospërfshirja e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE, reagime të ashpra ta deputetëve gjermanë – kritikojnë qeverinë e tyre

Mospërfshirja e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE, reagime të ashpra ta deputetëve gjermanë – kritikojnë qeverinë e tyre

Lajme
“Vuçiq paguan paraprakisht në rast të fitores së Trumpit”, mediat botërore shkruajnë se si dhëndrit të ish-presidentit amerikan iu shit ndërtesa e Shtabit të Ushtrisë Serbe

“Vuçiq paguan paraprakisht në rast të fitores së Trumpit”, mediat botërore shkruajnë se si dhëndrit të ish-presidentit amerikan iu shit ndërtesa e Shtabit të Ushtrisë Serbe

Serbia
Gjithçka çfarë duhet të dini për meçi mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk: Koha, titujt, rekordet dhe pesha e tyre

Gjithçka çfarë duhet të dini për meçi mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk: Koha, titujt, rekordet dhe pesha e tyre

Boks
Projekti më i mirë, Piramida e Tiranës fiton çmimin e madh për Evropën Juglindore

Projekti më i mirë, Piramida e Tiranës fiton çmimin e madh për Evropën Juglindore

Lajme
Kalo në kategori