LAJMI I FUNDIT:

Ju pëlqeu kafja, zotëri ministër?!

Në Tetovë, në stinën e verës rrugët e qytetit janë të stërmbushura me të rinj të cilët kanë dalë të flasin dhe të bisedojnë për tema të ndryshme. Por, mbi të gjitha nëpër tavolinat e tyre mbizotërojnë fjalët për krizën ekonomike, papunësinë, krimin dhe korrupsionin! Këto fenomene e kanë prejardhjen nga keqmenaxhimi i qeverive që deri tani në Maqedoni nuk kanë bërë gjë tjetër veçse janë promovuar dhe kanë humbur kohë me bisedimet historike për kontestin e emrit me Greqinë. Asgjë më shumë! Partitë shqiptare kanë qenë dekor me veshje elegante ngjyrë të zezë, ndërsa kravatën patjetër duhet ta kenë të kuqe për të treguar ndjenjat patriotike. Dy dekada patetike!

Dua të shpjegoj fenomenin e papunësisë në Maqedoni, te studentët që e kanë kryer fakultetin dhe tani presin rend për punë.


Ishim të ulur në një tavolinë e cila ishte shumë afër tavolinës të një ministri i cili ishte qendër e vëmendjes për stafin e kafenesë. Kafja bile i erdhi më shpejt se neve, edhe pse ai erdhi më vonë. Kamerier ishte një djalë i ri të cilin e njihja dhe e dija se e ka mbaruar fakultetin, me meritë! U habita nga sjellja e tij me mysafirin e tavolinës tjetër, i përulej në mënyrë klasike. Nuk mund të kuptoja këtë sjellje derisa nuk mu kujtuan edhe pozicionet që kanë në shoqëri: mysafiri ishte ministri dhe kamerieri ishte studenti që nuk kishte mundur të gjejë punë për profesionin që kishte. Përulja duke i bërë shërbim ministrit, për kamerierin ishte metodë për të qenë sa më afër punës së dëshiruar!

Më erdhi keq për bashkëbiseduesin tim pasi mbeti duke e shikuar telefonin, pasi e kishte kuptuar se unë nuk isha atypari për të biseduar. Isha i fokusuar në atë çka ndodh para meje: një skenë tragjike ku viktimë ishte integriteti dhe krenaria e njeriut. Ministrit nuk i bënte shumë përshtypje sjellja e kamerierit, pasi ai ishte mësuar të jetë një shkallë më lartë se ata me të cilët rrinte. E mendova veten në lëkurën e kamerierit dhe u binda se asnjëherë nuk do të veproja si ai, për shkak se në atë situatë ministri është vetëm një mysafir si të gjithë tjerët! Arsyeja e dytë sigurisht se fati im tani si i papunë është në duar të Zotit e jo në telefonatën e ministrit. Nuk mund ta duroja qëndrimin përulës, por gjithashtu nuk mund të bëja asgjë, përveç se të bindja veten mos të jem si ai, dhe të shkruaj, se ndoshta ndonjë i ri si puna ime do të bindet të mos veproj njëjtë.

Të papunë si kamerieri në fjalë ka plotë nëpër listat e partive të cilat me bujari përpilohen nga funksionarë lokalë në prag të zgjedhjeve. Listat janë të arta për ata që e kanë qëllim punën në administratë. Është interesant fakti se administrata shtetërore është punëdhënësi më i madh në Maqedoni, ndërsa kemi me mijëra raste të pa zgjidhura që e njëjta administratë i neglizhon për shumë arsye, duke nisur nga mosdija.

Pasi e pash atë skenë tragjike në kafenenë e cila vlerësohet si më luksozja në periferi të qytetit, filluam ta komentojmë me shokun tim. E kishte kuptuar brengën time dhe më tha se atë sjellje kamerieri e bënte nga halli, pasi ai e njihte më mirë. U shtanga! Nuk e fajësoja më kamerierin, sepse është ky shtet i poshtër që ia ka ulur kokën…

Po, jetojmë në një shtet të poshtër ku një mjek paguhet pesë herë me pak se në Evropë dhe një student punësohet pesë vite pasi të mbaroj studimet. Jetojmë në një shtet ku ekzistenca është sfidë pasi gjëja e vetme të cilën nuk e paguajmë sa qimet e kokës është ajri. Si studentë paguajmë participim për universitete të cilët sot janë turp i botës nëpër ranglistat për arsim të lartë. Paguajmë edhe për rrugët në të cilët kalojmë për të shkuar në shkollë e rreziku për të humbur jetën në to është shumë i madh, si pasojë e lënies pas dore nga shteti.

Këto janë hallet që i ka çdo student i cili mbaron me shumë zell fakultetin dhe pastaj punon kamerier. Nuk jam duke e nënvlerësuar as atë e as punën e tij, pasi si kamerier kam punuar edhe vet, e ku i dihet ndoshta edhe do të punoj prapë, por assesi askujt nuk i përkulem për t’u bërë shembull i njëjtë me personazhin e këtij shkrimi.

Si kamerieri në fjalë ka plot të rinj dhe të reja të cilët enden nëpër korridoret e enteve për punësim për të marrë vesh ndonjë të re rreth statusit të tyre dhe për interesimin e ndonjë kompanie për profilin e tyre. Njëjtë si kamerieri, dikush punon në ndërtimtari e dikush punon në bastore sportive. Përballen me sfida që nuk i kanë merituar, e marrin rroga vetëm për të kaluar muajin. Është e kotë të mbarosh fakultet, thotë dikush, e dikush i kundërpërgjigjet: ani-ani le të rrijë se s’i dihet. Ky bashkë bisedim është patetik, njëjtë sikur partitë politike, njëjt sikur fjalimet e tyre për një jetë më të mirë dhe njëjt sikur sloganet parazgjedhore.

Në fund, kamerieri erdhi edhe tek ne, por me vonesë, për të na shërbyer pasi e kërkuam disa herë me radhë. Dukej i lodhur nga puna, por dukej edhe i gëzuar pasi ministri i la hapësirë dhe ky u ul aty afër. E ndjej, por edhe e ngushëlloj! Ndoshta ministri i ka premtuar ndonjë vend pune si për mëshirë, por sigurt ka qenë premtim, edhe pse këto muaj nuk do të kemi zgjedhje.

Ministri bëhej gati të ngrihet, ndërsa kamerieri e pyeti: a ju pëlqeu kafja zotëri ministër ?! Pa aprovuar asgjë i la 50 denarë dhuratë për shërbimin. Aq, përulje për një paketë cigare!

Këta tipa, 20 vite me radhë na kanë gënjyer dhe çdo herë, për çdo gjë i kanë fajësuar funksionarët maqedonas. Për mungesën e fuqisë në vendimmarrje i kanë fajësuar maqedonasit pasi është më lehtë para votuesve të shitesh viktimë sesa i paditur. Para dhe pas konfliktit të armatosur jemi të njëjtë, të pafuqishëm që të ndryshojmë të ardhmen tonë, përderisa e kaluara duket e hidhur. Sa keq, sa turp, sa gjynah. Zoti na udhëzoftë!