Nga: Khalil Gibran
përktheu nga arabishtja: Jahja Hondozi
Ju keni Libanin tuaj dhe unë kam timin.
Libani juaj është politik dhe ka problemet e tij.
Libani im është natyral në tërë bukurinë e tij.
Ju keni Libanin tuaj me programe dhe konflikte.
Unë kam timin me ëndrrat dhe shpresat e tij.
Jini të kënaqur me Libanin tuaj ashtu siç jam i kënaqur edhe unë me vizionin tim për një Liban të lirë.
Libani juaj është një nyjë e ngatërruar politike të cilën koha kërkon ta zgjidhë.
Libani im është një zinxhir kodrash dhe malesh që ngrihen me respekt dhe madhështi nga qielli.
Libani juaj është një problem ndërkombëtar i cili ende nuk është zgjidhur.
Libani im është një luginë paqësore, e magjepsur, me kambanat e kishës dhe përrenjtë gurgullues.
Libani juaj është një garë midis kundërshtarëve nga perëndimi dhe atyre nga jugu.
Libani im është një lutje me krahë që rri pezull në agim kur barinjtë i çojnë kopetë e tyre në kullotë dhe, përsëri, në mbrëmje kur fshatarët kthehen nga livadhet dhe nga vreshtat.
Libani juaj është një listë me koka të parëndësishme.
I imi është një mal i kthjellët që qëndron midis detit dhe fushës, si një poet midis njërës dhe tjetrës përjetësi.
Libani juaj është një mashtrim dhelpre kur takohet me një hienë dhe një dinakëri hiene kur ajo takon një ujk.
Libani im është një kurorë kujtimesh të vajzave që klithin nga gëzimi dhe virgjëreshave që këndojnë midis lëmit dhe shtypësit të verës.
Libani juaj është një lojë shahu midis një peshkopi dhe një gjenerali.
Libani im është një tempull ku shpirti im gjen parajsën kur lodhet nga ky qytetërim që vrapon mbi rrota të kërcitura.
Libani juaj është dy burra: njëri që paguan taksat dhe tjetri që i mbledh ato.
Libani im është ai që mbështet kokën mbi dorën e tij nën hijen e Kedrit të Shenjtë, duke harruar gjithçka përveç Zotit dhe dritës së Diellit.
Libani juaj janë portretet, zyrat postare dhe tregjet.
Libani im është një ide e largët, një dashuri e zjarrtë dhe një fjalë hyjnore të cilën toka e pëshpërit në veshin e hapësirës.
Libani juaj janë zyrtarë, nëpunës dhe drejtorë të emëruar.
Libani im është rritja e rinisë, vendosmëria e pjekurisë dhe urtësia e pleqërisë.
Libani juaj janë përfaqësitë dhe bordet.
Libani im është shoqërimi dhe mbledhja rreth vatrës në netët e stuhishme kur errësira zbutet nga bardhësia e borës.
Libani juaj janë partitë dhe sektet.
Libani im është rinia e cila beson në lartësitë shkëmbore, shkel nëpër përrenj dhe endet nëpër fusha.
Libani juaj janë fjalimet, ligjëratat dhe debatet.
I imi është këndimi i bilbilave, takimi i degëve në pyll, jehonat e fyellit të bariut në lugina.
Libani juaj janë maskimet, idetë e huazuara dhe mashtrimet.
Libani im është një e vërtetë e thjeshtë dhe lakuriqe.
Libani juaj janë ligjet, rregulloret, dokumentet dhe aktet diplomatike.
I imi është në kontakt me sekretet e jetës që ai i njeh pa dijeninë e vetëdijshme; Libani im është një përmallim i cili me kulmin e tij të ndjeshëm arrin në skajin e së padukshmes dhe beson se është një ëndërr.
Libani juaj është një plak i zymtë i cili e ledhaton mjekrën e tij dhe mendon vetëm për veten.
Libani im është një i ri që rri pingul si një kullë, i cili buzëqesh si agimi dhe mendon për të tjerët ashtu siç mendon për veten e tij.
Libani juaj kërkon të ndahet dhe të jetë i bashkuar me Sirinë në të njëjtën kohë.
Libani im as nuk bashkohet e as nuk ndahet, as nuk zgjerohet e as nuk tkurret.
Ju keni Libanin tuaj, unë kam timin.
Ju keni Libanin tuaj dhe bijtë e tij, dhe unë kam timin dhe bijtë e tij.
Por, cilët janë bijtë e Libanit tuaj?
Më lejoni t’ju tregoj realitetin e tyre:
Ata janë të tillë, shpirtrat e të cilëve kanë lindur në spitalet e Perëndimit, mendjet e të cilëve zgjohen në prehrin e lakmitarëve që luajnë rolin e njerëzve bujarë.
Ata janë si degë të mbështjella që përkulen herë në të djathtë e herë në të majtë. Ata dridhen në mëngjes dhe në mbrëmje, por nuk janë të vetëdijshëm për dridhjen e tyre.
Ata janë si një anije pa direk dhe kiç kur godasin dallgët. Dyshimi është kapiteni i saj, kurse porti i saj është një shpellë ujku. A nuk është çdo kryeqytet i Evropës një shpellë ujku?
Këta bij janë të fortë dhe elokuentë mes vete, por të dobët dhe memecë mes evropianëve.
Ata janë reformatorë të lirë dhe të zellshëm, por vetëm në gazeta dhe në foltore.
Ata kuakin si bretkosat dhe thonë: “Ne po e heqim qafe armikun tonë të vjetër”, ndërkohë që armiku i tyre i vjetër fshihet në veten e tyre.
Ata marshojnë në një ceremoni funerali duke kënduar e trumbetuar, por përshëndetin ceremoninë e dasmës mbi kuaj duke vajtuar dhe grisur rrobat e tyre.
Ata nuk dinë për urinë derisa ta ndiejnë atë në xhepat e tyre. Kur takojnë dikë që është i uritur shpirtërisht, ata e shmangin atë dhe e tallin, duke thënë: “Ai është vetëm një fantazmë që ecën nëpër botën e fantazmave”.
Ata janë sikur skllevërit, të cilët, meqë kanë zëvendësuar prangat e ndryshkura me ato me shkëlqim, e konsiderojnë veten të lirë.
Këta janë bijtë e Libanit tuaj. A ka ndonjë prej tyre aq i fortë sa shkëmbinjtë e Libanit, aq i ëmbël dhe i kthjelltë si ujërat e Libanit, aq i pastër dhe i freskët sa flladi gjallërues i Libanit?
A ka ndonjë prej tyre që mund të pohojë se jeta e tij ishte një pikë gjaku në venat e Libanit ose një lot në sytë e tij ose një buzëqeshje në buzët e tij?
Këta janë bijtë e Libanit tuaj. Sa të mëdhenj janë ata në sytë tuaj, e sa të vegjël në sytë e mi!
Dhe tani më lejoni t’ju tregoj bijtë e Libanit tim:
Ata janë fshatarë të cilët tokat me gurë i shndërrojnë në pemishte e kopshte.
Ata janë barinj të cilët i çojnë kopetë e tyre nga njëra luginë në tjetrën në mënyrë që të rriten dhe të shumohen për t’ju dhënë mishin e tyre për ushqim dhe leshin e tyre për veshje.
Bijtë e Libanit tim janë vreshtarët të cilët shtrydhin rrushin dhe bëjnë verë të mirë.
Baballarë të cilët rritin pemët e manit dhe ata që tjerrin mëndafshin.
Burra që korrin grurë dhe gra që mbledhin duaj.
Ata janë muratorë e poçarë, endës dhe shkrirës të kambanave të kishave.
Ata janë poetë e këngëtarë të cilët shpirtin e tyre e derdhin në vargje të reja.
Ata janë të tillët të cilët pa asnjë qindarkë u larguan nga Libani për në një vend tjetër me një vendim të zjarrtë në zemër për t’u kthyer me duar të mbushura dhe me një kurorë dafine të arritjes që zbukuron ballin e tyre.
Ata përshtaten me mjedisin e ri dhe vlerësohen kudo që shkojnë.
Këta janë bijtë e Libanit tim, pishtarë të pashuar dhe kripa që nuk mund të prishet.
Ata ecin me këmbë të forta drejt së vërtetës, bukurisë dhe përsosurisë.
Çfarë do t’i lini ju Libanit dhe bijve të tij për njëqind vjet nga sot?
Më thuaj, çfarë do të lini ju për të ardhmen, përveç arsyetimeve, gënjeshtrave dhe marrëzive?
A besoni se eteri do të pranojë frymët e vdekjes dhe frymën e varreve?
Mund ta imagjinoni dot trupin e tij me lecka që mbyt jetën?
Të vërtetën po ju them, pema e ullirit, e mbjellë nga një fshatar rrëzë maleve të Libanit, do të qëndrojë më gjatë se veprat dhe arritjet tuaja. Dhe një parmendë druri që e tërheqin dy qetë nëpër tarracën e Libanit do t’i tejkalojë shpresat dhe ambiciet tuaja.
Unë ju them edhe ndërgjegjen e kozmosit e kam dëshmitar, se kënga e mbledhësve të perimeve në shpatet e Libanit është më e vlefshme sesa llomotitja e personaliteteve tuaja të nderuara.
Mos harroni se jeni zero. Por, kur të kuptoni vogëlsinë tuaj, intoleranca ime ndaj jush do të shndërrohet në dhembshuri dhe dashuri. Sa keq që ju nuk e kuptoni këtë!
Ju keni Libanin tuaj, dhe unë kam timin.
Ju keni Libanin tuaj dhe bijtë e tij. Jini të lumtur me të dhe me ta nëse jeni të kënaqur me flluska boshe. Sa për mua, unë jam i lumtur dhe i kënaqur me Libanin tim, me ëmbëlsinë, kënaqësinë dhe qetësinë në respektin tim për të. /Revista “Akademia”/Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje