LAJMI I FUNDIT:

Jo fer zoti Dell

Tri ditë më parë, diplomati më i lartë amerikan në Prishtinë bëri një deklaratë të pazakontë për një diplomat. Duke shfaqur hapur mbështetjen për një nga subjektet e reja politike, të sapokrijuara, që mëtojnë të hyjnë në Kuvendin e Kosovës, ai po kaq hapur shfaqi antipatinë e tij për një subjekt tjetër, lëvizjen "Vetëvendosje".
Simpatia dhe antipatia për subjekte politike janë gjëra normale sa kohë që je një qytetar i thjeshtë, mirëpo kur këto ndjenja apo vlerësime manifestohen nën petkun e një diplomati, atëherë situata ndryshon. Ambasadori i vendit më të fuqishëm në botë, natyrisht e di mirë këtë, dhe pikërisht për këtë arsye me deklaratën e tij u përpoq që këtë influencë ta përdorë për votuesit e Kosovës, të cilët zakonisht dëgjojnë gjithë veshë se çfarë thotë një ambasador amerikan.

Deklaratë që mund të konsiderohet ndërhyrje në fushatën zgjedhore


Nuk do të merrem me arsyet e ambasadorit amerikan të artikuluara publikisht në raport me lëvizjen "Vetëvendosje" apo partinë FER, por një gjë është e sigurt. Deklaratat e tij mund të konsiderohen ndërhyrje në fushatën zgjedhore.
Personalisht e them që në fillim, do të kisha parapëlqyer një “ndërhyje” të ambasadorit amerikan në fushatën zgjedhore; në këtë fushatë e cila pritet të jetë nga më të ashprat, por dhe më vendimtaret për fatin e Kosovës. Do të doja që ky ambasador kaq i rëndësishëm për shkak të postit që mban, të ndërhynte fuqishëm dhe të dërgonte mesazhe që të nguliteshin mirë në mendjet e qytetarëve të Kosovës dhe të klasës politike. Do të doja që ai të përdorte gjithë pushtetin që i jep përfaqësimi i një vendi si SHBA-ja, e cila admirohet dhe falënderohet nga qytetarët e Kosovës për kontributin e dhënë për lirinë dhe pavarësinë, për t’u thënë stop disa fenomeneve që po ia rrënojnë themelet e sapohedhura këtij shteti të brishtë.

Cilat do të mund të ishin këto mesazhe?
Tri prej tyre po i rreshtoj unë për zotin ambasador. Të tjerat le t’i mendojë ai vetë.

Së pari, një mesazh për femrat

Unë personalisht, por jam e bindur se edhe të gjitha femrat që kanë marrë përsipër të futen në garën e vështirë politike, do të donin të kishin dëgjuar nga zoti Dell një mesazh të fuqishëm drejtuar gjithë votuesve të Kosovës, mesazh që do t’i ftonte ata që të na mbështesnin, që të tejkalonin paragjykimet e një shoqërie gati patriarkale se gruaja nuk bën për politikë, që të çrrënjosnin një herë e mirë sterotipet e të menduarit se femra në Kuvendin e Kosovës “shërben për dekor” (se meshkujt na paskan qenë të gjithë brilantë në atë kuvend), se femrat edhe kur hyjnë në politikë duhet të angazhohen për çështje më të lehta si ato gjinore apo sociale, se punët e mëdha si siguria apo buxheti u takon meshkujve.

Është ky një sterotip i të menduarit, të cilin secili prej nesh e ka dëgjuar me qindra herë. Personalisht pata rastin ta dëgjoj sërish vetëm tri ditë më parë, në një tubim me banorët e një fshati në Suharekë, ku pas një prezantimi të programit të “Vetëvendosjes” për fushën e drejtësisë dhe transparencën, një gazetar i pranishëm bëri komentin se megjithëse isha femër fola, dhe për fusha të tilla të rëndësishme si drejtësia, siguria etj. Këtë komente ai bëri me qëllim dashamirës, pa e kuptuar se mënyra e të menduarit të tij ishte tipike e kësaj shoqërie.

Është fakt i njohur se përfshirja e një numri më të madh femrash në politikë dhe veçanërisht në vendimmarrje do të thotë përmirësim i qeverisjes. Studimet anekënd botës kanë treguar se femrat kanë cilësi që konsiderohen si avantazhe në raport me meshkujt, si psh fakti se janë shumë më pak të komprometuara, menaxhere më të mira, punëtore më të mëdha, kanë aftësi komunikimi më të mira dhe janë dëgjuese më të mira për hallet e njerëzve.
A nuk i nevojiten politikës në Kosovë pikërisht këto cilësi, në kushtet kur korrupsioni ka rënë si murtaja në gjithë institucionet, në kushtet e keqmenaxhimit të parasë dhe posteve publike, në kushtet e një hendeku të papranueshëm për çdo vend demokratik, mes qytetarëve dhe klasës politike?
Unë personalisht besoj fuqishëm në këtë dhe kjo është arsyeja se pse kam vendosur t’i hyj kësaj beteje. Ndaj një mesazh në vesh të votuesve në përkrahje të femrave do të ishte shumë më i vlefshëm sesa shprehja e qëndrimeve pro apo kundër ndonjë subjekti politik.

Përkrahja medieve

Një kontribut po kaq i çmuar zoti ambasador do të ishte përkrahja juaj nëse atë do t’ia jepnit medias. Sot ajo ndihet më e kërcënuar se kurrë nga politika. Fushata zgjedhore thuajse ka filluar dhe kthetrat e politikës po i shohim kudo, nëpër faqe gazetash që i bëjnë jehonë qeverisjes së "mirë", në marketingun që kushtëzon përmbajtjen editoriale në kushtet e një tregu të varfër, në fytyrat që parakalojnë nëpër ekranet televizive e që shpërndajnë mjegull, në vend që të zbardhin të vërtetat.

Një vizitë në redaksi gazetash do të ishte një mesazh i qartë për të gjithë ata që i kanë zgjatur duart e presionit drejt tyre, për të gjithë ata gazetarë që punojnë në kushte vështira dhe kërcënohen edhe me jetë vetëm e vetëm pse marrin guximin të publikojnë me emër e mbiemër shkelësit e ligjit.

Raporti më i fundi i Reporterëve pa Kufij për lirinë e medias ku Kosova u rrokullis jo pak, por plot 17 vende më poshtë krahasuar me një vit më parë, do të ishte një pikënisje e mirë për t’i dhënë mbështetje të ashtuquajturit “pushtet të katërt”. Largimi i një gazetareje nga puna për shkak se bëri pyetje “të papërshtatshme” është kambana e alarmit që po bie për ata që kanë veshë. E mbështetja për një media të pavarur në këtë fazë, kur de fakto ka nisur fushata elektorale dhe rreziku nga presionet dhe manipulimet merret me mend se është shumë më i lartë, do të ishte shumë më e vlefshëm se vizita në selinë e një partie, cilado qoftë ajo.

Dhe një mesazh për mosvjedhje votash

Një mesazh i tretë, por mbase edhe më i rëndësishmi për proceset politike nëpër të cilat po kalon Kosova do të ishte pikërisht ai për një proces zgjedhor të ndershëm e të pamanipuluar. Thënë shkoqur, për mosvjedhje votash. Një mesazh i artikuluar qartë nga ambasadori me peshë, se nuk do të ketë njohje të zgjedhjeve, në rast të manipulimit të votave do të ishte gjëja më e çmuar në këto momente, kur disa parti po thurin plane ditë e natë se si t’u futen në hise partive të tjera.

Dihet fare mirë se këtë se kanë për herë të parë, se në zgjedhjet e kaluara pati manipulime të mëdha, mjafton të kujtojmë se rreth 9% të votave u shpallën si të pavlefshme si pasojë e manipulimeve me shkarravina stilolapsash nëpër fletëvotime, nga vetë komisionerët e shumë marifeteve të tjera, e se në disa komuna u votua edhe nga tre herë.

E drejta e votës është një nga parimet bazë të demokracisë dhe manipulimi do të thotë deformim i saj. Kosova ka nevoje të kalojë testin e demokracisë me këmbët e veta, jo t’i jepet notë pozitive për hir të proceseve diplomatike.

Ndaj ky shkrim është një ftesë për zotin Dell. Meqë e ka fuqinë e fjalës në këtë vend le ta përdorë atë për të mbështetur procese shumë më të rëndësishme për funksionimin normal të shtetin të ri i cili duhet thënë se nuk është larg dështimit, kështu si po shkojnë punët. Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se kemi nevojë për leksione demokracie nga vendi me demokraci më të madhe në botë, siç është SHBA-ja. Mirëpo gjithçka tjetër do të shndërrohej në bumerang.

(Autorja është kandidate e Lëvizjes "Vetëvendosje" për Kuvendin e Kosovës. Qëndrimet në këtë shkrim janë personale)