LAJMI I FUNDIT:

Islanda çertifikon ANP-në

Islanda çertifikon ANP-në

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës (ANP), sot është çertifikuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil Islandez (ICAA). Me marrjen e kësaj çertifikate e cila i ka kushtuar kompanisë 50 milionë euro, ANP-ja dëshmon se plotëson të gjitha kushtet e të qenurit aeroport ndërkombëtar.

Për të ardhur deri tek çertifikimi ANP-ja është dashur ti plotësoj kushtet e përcaktuara nga ICAA, siç janë rishtresimi i pistës që ka kushtuar mbi 14 milionë eurove, ndriçimi i pistës në shumën prej rreth 6 milionë euro, rrugën dhe rrethojnë perimetrike si dhe shumë projekte të tjera, për të përshkruar punën e madhe që është bërë në këtë kompani.

Gjithashtu duhet kujtuar që kjo shumë e madhe e investimeve është realizuar kryesisht nga buxheti i kompanisë ndërkohë që përveç projekteve kapitale, vetëm personeli I ICAA-së është për katër vite është paguar rreth 20 milionë euro.

Çertifikimi i ANP-së, paraqet një arritje të madhe jo vetëm për aeroportin por edhe për Qeverinë e Kosovës duke marrë parasysh përgatitjet për partneritetin publiko – privat, u tha në ceremoninë e çertifikimit.


Me rastin e marrjes së licencës, drejtori menaxhues i ANP-së, Agron Mustafa është shprehur se ANP-ja fillimisht në vitin 1999 kishte karakterin e aeroportit ushtarak, por në të njëjtën kohë mundësonte edhe fluturimet civile komerciale.

“Pas ndërrimit të statusit të aeroportit i cili u bë përmes një marrëveshje me KFOR-in, kompania është obliguar që të fillojë përmbushjen e standardeve dhe praktikave për aeroporte civile siç parashihen në dokumentet e lëshuara nga ICAA me seli në Monteral të Kanadasë”.

Drejtori Mustafa po ashtu tha se çertifikimi i ANP-së pritet të rrisë aktivitetin para investitorëve potencialë të cilët mendojnë të investojnë kapitalin e tyre në këtë kompani.

Në anën tjetër ministri i Transportit dhe Post Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, theksoi se është bërë një punë e mirë nga stafi drejtues i Aeroportit Prishtina, andaj rezultatet janë të vazhdueshme. Ministri Limaj, premtoi mbështetje institucionale për aeroportin në fushën e transportit ajrorë.

Ndërkaq, drejtori i aviacionit civil të Islandës, Peter Mack, theksoi se për të ardhur deri në këtë ditë ANP e ka dëshmuar me punë dhe investime të shumta.
ANP-ja, në vitin 2006 ishte zgjedhur aeroporti më i suksesshëm në rajon dhe atë me më pak se 1 milion udhëtarë. /Telegrafi/