LAJMI I FUNDIT:

Ischinger: Treshja përgatit propozimin për një “status neutral” të Kosovës

Ischinger: Treshja përgatit propozimin për një “status neutral” të Kosovës

Treshja ndërkombëtare për statusin e Kosovës po përgatitet t'u paraqesë palëve një propozim të ri të quajtur "status neutral", që synon normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit, ka deklaruar në Washington përfaqësuesi evropian në Treshen diplomatike, Wolfgang Ischinger.

Ischinger tha se propozimi i ri mund të çonte në një marrëveshje që do të normalizonte marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë por ku nuk do të thuhej asnjë fjalë e vetme për statusin. "Marrëveshja për ‘statusin neutral’ do të ishte një ofertë ndaj të dyja palëve për të krijuar marrëdhënie, pavarësisht se çfarë mund të vendoset sot ose nesër për statusin e Kosovës”.

“Mes Serbisë dhe Kosovës sot nuk ekzistojnë marrëdhënie pasi Kosova është nën administrimin e OKB së ndërsa Serbia e konsideron Kosovën si pjesë të territorit të saj, pra mes tyre nuk ekzistojnë përpjekje bashkëpunimi për asgjë", ka thënë Ischinger në një intervistë për "Zërin e Amerikës".

Ischinger tha se Treshja ka qenë e suksesshme në punën për përgatitjen e këtij propozimi por, shtoi se është e paqartë nëse propozimi do të ketë dritën jeshile nga kryeqytetet përkatës. Nëse po, atëherë ai do t’u paraqitet palëve.


Megjithëse hollësitë përfundimtare nuk janë përpunuar ende, tha Ischinger, por shtoi se kjo do të ishte një marrëveshje bashkëpunimi dhe konsultimi në një numër aspektesh, si ekonomia, tregtia dhe parandalimi i krimit. Në marrëveshje do të përcaktoheshin detyrime për Kosovën që ajo të konsultohej me Serbinë për çështjen e pakicave dhe të kufirit të përbashkët, gjëra që janë në interesin e të dyja palëve.

"Mendoj se do të ishte shumë në interes të Serbisë, sidomos të serbëve në Kosovë, që të merrnin obligime nga autoritetet e Kosovës për mirëqenien e tyre. Ky ishte vetëm një shembull, por mendoj se ka interesa të rëndësishëm që mund të plotësohen përmes një marrëveshjeje të tillë të statusit neutral. Ajo që nuk mund të bëjë një marrëveshje e tillë është se nuk zgjidh mosmarrëveshjet mbi statusin. Por ne do të shikojmë se si do të reagojnë palët ndaj këtij propozimi", ka thënë ai.

Ischinger pranon se ndërmjetësimi mes Prishtinës dhe Beogradit ka qenë një proces i vështirë dhe deri tani të gjitha propozimet janë hedhur poshtë. "Ne si treshe e kemi për detyrë të shqyrtojmë bashkë me palët, me Serbinë dhe me shqiptarët e Kosovës, çdo alternativë të mundshme. Nëse modeli i Hong Kongut, siç u quajt ai, është i pranueshëm për të dyja palët, atëherë shumë mirë. Për fat të keq, deri tani, të gjitha propozimet interesante ose janë hedhur poshtë nga të dyja palët ose nga njëra palë dhe kjo e ka bërë shumë të vështirë punën tonë si negociatorë", tha diplomati gjerman.

Ischinger tha se ndërsa në dy muajt e parë të bisedimeve shtesë propozimet kanë ardhur nga vetë palët, tani janë ndërmjetësit ata që po dalin me ide të reja. Por siç tha, propozimet duhet të jenë të peshuara mirë dhe të kenë shanse për sukses, përndryshe pozita e ndërmjetësuesve ndërkombëtarë do të dobësohej.

Ischinger tha se nuk dëshiron të shprehë hamendje se çdo të ndodhë nëse përpjekjet e ndërmjetësimit dështojnë. "Kemi edhe plot një muaj përpara dhe unë nuk jam pa shpresë se mund ta zgjidhim këtë çështje. Mendoj se do të ishte mjaft në interes të Serbisë, të Kosovës, të Bashkimit Evropian dhe të Rusisë që çështja të zgjidhet me bisedime".

Një konflikt i zgjatur, tha Ischinger, nuk është as në interes të Rusisë, duke kërkuar nga Rusia që t’i bëjë presion Serbisë. "Pikëpamja ime është se nëse duam ta zgjidhim këtë çështje, duhet t’u bëjmë presion të dyja palëve. Pa presion nuk do ta zgjidhim dot", shprehet në fund Ischinger në këtë intervistë.

Në trend Lajme

Më shumë
Të shtëna me armë zjarri në Prishtinë, dyshohet për një të vrarë - pesë të plagosur dërgohen në QKUK

Të shtëna me armë zjarri në Prishtinë, dyshohet për një të vrarë - pesë të plagosur dërgohen në QKUK

Kronika e Zezë
Mysafirët nga Serbia e njoftojnë Kurtin: Beogradi po planifikon zhvendosjen e serbëve të Kosovës për në Sanxhak

Mysafirët nga Serbia e njoftojnë Kurtin: Beogradi po planifikon zhvendosjen e serbëve të Kosovës për në Sanxhak

Siguri
Vrapi me pengesa i turizmit në Shqipëri: Rritja e pajustifikuar e çmimeve la shezlongët bosh

Vrapi me pengesa i turizmit në Shqipëri: Rritja e pajustifikuar e çmimeve la shezlongët bosh

Lajme
Brenda dy javëve, mjekët duhet të vendosin nëse do punojnë në spitalet publike apo private

Brenda dy javëve, mjekët duhet të vendosin nëse do punojnë në spitalet publike apo private

Lajme
“Nuk jam takuar me Putinin prej dy vitesh”, Musliu nxjerr

“Nuk jam takuar me Putinin prej dy vitesh”, Musliu nxjerr "bllof" Vuçiqin për deklaratat në Pragë

Siguri
Trupat italiane të KFOR-it dislokohen në Kosovë, të gatshëm të reagojnë ndaj çdo zhvillimi të situatës së sigurisë

Trupat italiane të KFOR-it dislokohen në Kosovë, të gatshëm të reagojnë ndaj çdo zhvillimi të situatës së sigurisë

Lajme
Kalo në kategori