LAJMI I FUNDIT:

Investitorë italianë kërkojnë të marrin me koncesion kaskadën e Shkumbinit

Investitorë italianë kërkojnë të marrin me koncesion kaskadën e Shkumbinit

Përfaqësues të grupit italian Caraglio, i njohur në Itali dhe jashtë saj në fushën e prodhimit të energjisë dhe pajisjeve elektrike, u takuan sot me kryeministrin Sali Berisha. Në këtë takim grupi italian shoqërohej nga Ambasadori i Italisë në Tiranë, Saba D`Elia.

Përfaqësuesit e grupit Caraglio i prezantuan Kryeministrit Berisha dy projekte për ndërtimin e 23 hidrocentraleve të vegjël në kaskadën e lumit Shkumbin.

Kryeministri vlerësoi përfaqësuesit e grupit italian për kurorëzimin e idesë së mëparshme me projekte konkrete për investime në Shqipëri. Ai i garantoi përfaqësuesit e grupit Caraglio për transparencë të plotë dhe vlerësim profesional të projekteve të tyre në garat e organizuara për kaskadën e Shkumbinit.

“Projekti i parë parashikon ndërtimin e nëntë HEC-eve në zonën e Orenjës, me fuqi totale 15 megavat, ndërsa projekti i dytë përmban ngritjen e 14 HEC-eve në zonat e Slabinës dhe Qukësit me fuqi totale 17 megavat dhe prodhim energjie 390 milionë kilovat/orë në vit”, – thanë për agjencinë e lajmeve NOA, burime nga grupi Caraglio.


Përfaqësuesit e grupit konfirmuan se kanë dorëzuar tashmë në Ministrinë e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës projektet për të marrë pjesë në garat e hapura për kaskadën e Shkumbinit.