LAJMI I FUNDIT:

Investimet e jashtme 250 milionë euro

Investimet e jashtme 250 milionë euro

Investimet e jashtme të drejtpërdrejta gjatë vitit 2007, krahasuar me një vit më parë, janë rritur me 70 për qind, apo me 246 milionë euro, por kjo nuk duhet të na gëzojë shumë për shkak se shumica prej tyre janë siguruar nga procesi i privatizimit dhe shitja e ndërmarrjeve shoqërore.

“Investimet e Huaja Direkte (IHD) në vitin 2007 janë rritur me 70.1% (245.7 milionë euro), duke qenë kryesisht rezultat i të hyrave nga privatizimi dhe fitime të riinvestuara, të cilat në vitin 2007 kanë arritur shumën e tërësishme 42.9 milionë euro”, thuhet në raportin vjetor të Bankës Qendrore të Kosovës.

Në total keto investime llogariten në 418 milion euro.

Procesi i privatizimit të Ndërmarrjeve në Pronësi Shoqërore (NPSH), në fund të vitit 2007, arriti të grumbullojë 405 milionë euro.


Të ardhurat totale nga privatizimi të pranuara nga AKM-ja deri tani kanë arritur në 362 milionë euro, ndërsa rreth 43 milionë të tjera do të pranohen ndërkohë.

Gati 93 milionë euro është shuma e shitjeve me anë të Spin-Off Special.

Shuma kumulative për të cilën është zotuar se do të investohet është 191 milionë euro, ndërsa shuma aktuale e investimeve është përafërsisht 91 milionë euro.

Nëpërmjet procesit të privatizimit, Kosova tërheq për çdo vit që nga viti 2004 rreth 75.5 milionë euro kapital të huaj. Qarkullimi i kapitalit të huaj në procesin e privatizimit gjatë vitit 2007 ka qenë rreth 60%.

Prej këtyre, kapital vendor është 25.6 për qind ndërsa kapitali i shqiptarëve që punojnë emigrantë zë 14.9 për qind./Telegrafi/