LAJMI I FUNDIT:

INSIG “rrënohet”, humb 1.2 milion dollarë në 5 muaj

INSIG “rrënohet”, humb 1.2 milion dollarë në 5 muaj

Kompania e Sigurimeve “Insig” , e cila operon edhe në Kosovë që nga viti 2000, ka pësuar një humbje prej 1.2 milionë dollarë në treg, vetëm për 5 mujorin e parë të këtij viti.

Bazuar në të dhënat e publikuara në ueb faqen Shekulli, kompania shtetërore, “Insig” e cila është në prag të privatizimit zë vetëm, 9.8 për qind të tregut duke u renditur kështu si kompania e 5-të në Shqipëri.

“Kompania shtetërore “Insig”, është rrënuar në prag të privatizimit. Vetëm në 5 muaj, jo vetëm që ka humbur 1.2 milionë dollarë të ardhura, por nga vendi i tretë që ishte vitin e kaluar sa i përket të ardhurave në treg, ka kaluar në vend të pestë. Tashmë përpara kompanisë shtetërore të “shtrydhur” dhe gati për privatizim renditen “Sigal”, “Sigma”, “Atlantik” dhe “Interalbanian”.

Humbja që ka pësuar kompania “Insig”, gjatë këtyre 5 muajve llogaritet të jetë 26 për qind e tregut të sigurimeve, duke treguar edhe krizën e saj.


“Vetëm “Insig”, ka pësuar rënie gjatë kësaj periudhe”.

Ndryshe Qeveria shqiptare ka parashikuar që privatizimi i “Insig”-ut të mbyllet brenda këtij viti.

“Praktikisht ne kemi bërë njoftimin publik për shprehjen e interesit në “Financial Times” kështu që, presim që brenda datës 20 gusht të marrim ofertat dhe të shikojmë se çfarë interesi ka për privatizimin e “Insig”-ut, ka deklaruar, zv/ministri i Financave, Sherefedin Shehu.

Paratë që do të sigurohen nga privatizimi i “INSIG”-ut do të shkojnë kryesisht për financimin e rrugës Durrës-Kukës. Deri në fund të këtij muajit, pritet që kompania audituese “KPMG” të dorëzojë raportin për vlerësimin e aseteve të “INSIG”. Mbi bazën e këtij raporti, qeveria do të përcaktojë një nivel minimal dhe maksimal për shitjen e kompanisë, të cilët do të shërbejnë si çmime reference.