LAJMI I FUNDIT:

Informatat kadastrale, tani përmes internetit

Informatat kadastrale, tani përmes internetit

Me qëllim avancimin dhe zhvillim të mëtutjeshëm të e-qeverisjes si edhe të sistemit Kadastral në Kosovë, Agjencia Kadastrale e Kosovës (AKK), do të fillojë me implementimin e projektit mbi Sistemin e Informatave Kadastrale të tokave të Kosovës-SIKTK, projekt ky i cili shënon fillimin e e-kadastrit në Kosovë.

“Nëpërmjet të këtij sistemi i cili do të fillojë me implementim të enjten më 15 Janar, të dhënat e kadastrit (dokumentet) lidhur me tokën, ndërtesat dhe banesat; të drejtat mbi pronën e paluajtshme; vlerën e pronës, përdorimin e tokës dhe kufizimet mjedisore etj. mund të jenë në dispozicion të të gjitha palëve me interes në sektorin publik dhe privat dhe në një masë të caktuar edhe për qytetarët. SIKTK është një program kompjuterik i bazuar në WEB dhe i plotëson standardet përkatëse, kështu që informacionet mund të shfrytëzohen nga më shume kërkues në internet”, thuhet në komunikatën për media të Agjencisë Kadastrale të Kosovës.

Projekti do të fillojë të implementohet në dy Zyra Komunale Kadastrale (Podujevë dhe Istog) dhe deri në fund të qershorit të këtij viti ai do të instalohet për përdorim në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. /Telegrafi/