Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, të hënën ka ringjallur një ide për një formë të re të bashkëpunimit evropian të quajtur "komunitet politik evropian", që shkon përtej BE-së. E detajet se si do të funksiononte një mekanizëm i tillë mbeten të pasqaruara dhe të diskutueshme në opinion. 

Ky propozim, i paraqitur në një fjalim kryesor në Parlamentin e BE-së, ka shkaktuar tashmë polemika mbi perspektivën që mund t’i ofrohet Ukrainës dhe vendeve të Ballkanit, i cili propozim nga analistët vendor po shihet si një dritë e gjelbër për shtetet që të jenë pjesë e BE-së, por jo vend anëtar i saj.


Analisti politik, Dritëro Arifi në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se presidenti i Francës, Macron ende nuk është i bindur në zgjerimin e shpejt të BE-së.

Sipas tij, Macron edhe më herët ka treguar një skepticizëm për një zgjerim më të shpejt të BE-së.

arifi  1 Dritëro Arifi, analist politik

“Presidenti i Francës ende nuk është i bindur në zgjerimin e shpejt siç po e kërkojnë shumë shtete pas konfliktit me Ukrainën, dhe dëshirojnë të krijojnë një paradhomë që për vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe për Moldavinë, Gjeorgjinë Ukrainën të kenë një kohë që të unifikohen të gjitha rregullat, ligjet e BE-së në njëfarë mënyrë t’i lejnë në pritje këto shtete, por duke i zbatuar rregullat e BE-së. T'i jepet një dritë e gjelbër ‘që jeni pjesë, por jo anëtar të plotë’. Kjo po dëshmon që Franca ka probleme të brendshme, është një popullatë e ndarë".

"Presidenti Macron ka zgjedhjet e brendshme parlamentare dhe mund të jetë njëra prej hezitimeve. Mendoj që Macron edhe më herët e ka tregu një skepticizëm për një zgjerim më të shpejt të BE-së”, ka thënë ai.

Arifi tutje shtoi se duhet të ndryshohet traktati i BE-së, në mënyrë që anëtarësimi i shteteve që duan të hyjnë në BE të bëhet me shumicën e votave dhe jo me konsensus.

“Mendoj që pjesa kryesore është që të ndryshojë traktati i BE-së, që të eliminohet çështja e konsensusit, të bëhet anëtarësimi me shumicën absolute të votave. Që i bie edhe nëse disa shtete mund të jenë kundër zgjerimit të politikës së jashtme, atëherë BE-ja mund të procedojë me shumicën e votave. Por e shoh me një skepticizëm zgjerimin e vendeve të reja në një afat të mesëm nga BE-ja”, vlerësoi ai.

I pyetur nëse me këtë deklaratë, Macron dëshiron ta mbajë larg Ballkanin dhe shtetet tjera që duan të bëhen vende anëtare të BE-së, Arifi tha: “ Nuk mendoj që dëshiron ta mbaj larg, por me këtë ide dëshirojnë ta mbajë afër por jo brenda BE-së”.

Ndërsa, drejtori i institutit EPIK, Demush Shasha në një intervistë për Telegrafin tërhoqi një paralele për prioritet e presidentit të Francës, Macron karshi anëtarësimit të Ukrainës në BE, si dhe liberalizmit të vizave për Kosovën.

Demush Shasha Interviste foto Ridvan Slivova 5 1 Demush Shasha në një intervistë për Telegrafin

Shasha tha se edhe pse në Ukrainë lufta po merr jetëra njerëzish, Macron deklarohet se çështja e anëtarësimit të saj në BE merr kohë, e që sipas tij Kosova nuk është në prioritetet e tyre as për liberalizim të vizave.

“Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën është në atë listën e prioriteteve të Bashkimit Evropian ka rënë goxha poshtë. E marrim një shembull të luftës në Ukrainë dhe komentin e Macronit...përkundër jetëve të humbura dhe gjithçka që e bën në mënyrë heroike Ukraina, sot e atë ditë presidenti i Francës del me deklaratë ‘luftoni ju, vazhdoni të vdisni, por çështja e anëtarësimit në BE merr dekada’, pra ky e thotë për Ukrainën, por duhet ta kuptojmë nën rreshta se ku gjendemi ne në hierarkinë prioriteteve të Macronit”, u shpreh Shasha.

Ndryshe, deklarata e presidentit francez është komentuar edhe në Serbi.

Analistët në vendin fqinj e kanë cilësuar deklaratë shumë të guximshme dhe e rrezikshme, propozimin për krijimin e një komuniteti politik evropian për vendet në "dhomë pritjeje" që ndajnë vlerat evropiane, por që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian.

Analistët serbë thonë se paralajmërimi i tij para së gjithash i referohej Ukrainës, e cila së fundi ka aplikuar për kandidaturë, por është një problem i madh edhe për Serbinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që duan të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. /Telegrafi/