LAJMI I FUNDIT:

Humori i zi i akademikëve maqedonas

– Problemet me identitetin –

Akademia e Shkencave e Maqedonisë promovoi një publikim i cili pretendon të jetë enciklopedi por, sipas shumë autorëve të huaj, ajo më tepër ngjanë me një libër ideologjik, përmbledhje përrallash dhe një përpjekje për të arnuar një identitet për të qenë për shtetin i cili mbi këmbë të qelqta herë pas here i lejon vetes të rrah hap ushtarak nëpër kalldrëmet e Ballkanit.


Ajo që ngjalli zemërim te një pjesë e opinionit publik, veçanërisht atij shqiptar, provokoi një valë të tërë reagimesh dhe promovimesh nacionale në taborin shqiptarofon, më tepër meritonte një nënqeshje ironike të dhimbshme për fqinjët të cilët nuk po arrijnë të gjejnë vetveten e humbur, identitetin e lëkundur pas rrënimit të RSFJ, ku ata kishin një rol dhe rëndësi në luftën kundër të gjithë fqinjëve.

Aq më keq, ende nuk janë përcaktuar se ku ta kërkojnë identitetin e vet të humbur. Pas rrënimit të ish – Jugosllavisë, dhe socializmit, ideologët e shtetit nacional maqedonas mbeten të hutuar në udhëkryqin, jo vetëm ballkanik. Pa arritur të ndërtojnë identitetin qytetarë të Maqedonisë, ata e humbën rrugën në të kaluarën e largët. Dhe nuk është aspak e lehtë, që tash nga kjo perspektivë të përpiqesh të ndërtosh themele në të kaluarën, nëse ato nuk i ke trashëguar. Për ideologët e kombit maqedonas nuk paraqitet aspak e lehtë e tërë kjo çështje.

Të kthehesh në antikë dhe të promovohesh si popull antik, çka edhe mund të jetë e vërtetë, atëherë po i heq vetes elementin sllav, sepse historianët tashmë pajtohen se sllavët kanë ardhur në këto hapësira shumë pas mbretërisë së Aleksandërit të Madh i cili është krye heroi i cili ngjallë emocione të fuqishme të krenarisë kombëtare te maqedonasit.

Të përcaktohen si sllav, çka po ashtu mund të jetë e vërtetë, edhe kjo i ka problemet e veta, sepse atëherë duhet shtrirë dorën grekëve dhe duhet pranuar se s’ka Maqedoni dhe maqedonas antik dhe se duhet krijuar një retorikë krejtësisht tjetër në arsyetimin e ekzistencës së një shteti për të cilin grekët thonë se është artificial, po ashtu edhe bullgarët, serbët dhe një pjesë e shqiptarëve.

Kur kihen parasysh këto dy probleme kyçe identitare, të cilat e de-mitizojnë skajshmërisht lashtësinë historike të këtij identiteti , i cili pretendon që maqedonasit janë një popull antik, një popull sllav dhe një popull ortodoks.

Mungesa e një elite moderne intelektuale dhe politike e cila do të krijonte një identitet integrues për Maqedoninë si shtet, ku përzihen kulturat dhe hapen rrugët e komunikimit të tyre, ka bërë që të harxhohet buxheti i shtetit të brishtë, për projekte të rrezikshme të cilat synojnë pikërisht ndarjen e Maqedonisë dhe prishjen e boshtit të ri properëndimor Ankara – Sofje – Shkup – Tiranë.

Humori i zi akademikësh

Reagimi i shqiptarëve në Maqedoni në këtë shkallë dhe me këtë intensitet ishte i panevojshëm, aq më tepër ishte krejt e panevojshme që kjo çështje akademike të kalohet në rrugë dhe në rrafsh politik.

Kjo në fakt do të thotë të pranosh lojën. Historinë e shqiptarëve nuk e shkruajnë të tjerët dhe nuk ka hapësirë për të ngritur mbi këtë bazë një lëvizje populliste. Kur bien trumbetat nacionale, atëherë argumentet peshohen nga gjeneralët e jo nga shkencëtarët.
Ajo që dukej si material i nxjerrë nga ndonjë revistë e humori të zi, në fakt shitej në publik si botim i një institucioni i cili ka emër pretencioz dhe financohet nga buxheti i Shtetit.

Ambiciet politike dhe civilizuese të shprehura aty, përkundër faktit se janë irrituese dhe ngjallin frikë te një pjesë e shqiptarëve, nuk janë për të dramatizuar, duke marrë parasysh potencialin e vogël destabilizues që kanë akademikët maqedonas dhe vet nacionalistët agresiv maqedonas, të cilët duke kopjuar në përpjekje dhe qëllime kolegët e tyre nga SANU, organizuan një spektakël të lodhët promovimi.

Tendenca e acarimit të marrëdhënieve ndëretnike dhe loja me identitetin e shqiptarëve të Maqedonisë në fakt, duket sikur tenton të kompensoi konfuzionin, tashmë të padurueshëm për maqedonasit e thjesht, lidhur me mospasjen e një identiteti të tyre të qartë, pra si maqedonas.

Sidoqoftë, publiciteti i dëshiruar nga promovuesit e enciklopedisë u arrit, dhe u internacionalizua madje, kur në këtë lojë u fut pashkathtë edhe diplomacia ndërkombëtare e përfaqësuar në Shkup, pra kur reaguan ambasada të huaja duke shprehur mospajtim me këtë dokument me të cilin do të duhej të merreshin institucione të krejt tjetër natyre.

Ata reaguan lidhur me këtë botim, duke u futur krejt panevojshëm në fushën e diskutimeve akademike, me gjithë qëllimet e tyre të mira. Arsyeshmëria e këtij reagimi, mund të kuptohet vetëm duke pasur parasysh lidhjen e dyshuar të akademikëve maqedonas me akademikët serb dhe qarqet anti- reformë në Serbi dhe Maqedoni, anti-NATO, por prapëseprapë reagimi është dashur të bëhet në kanale diplomatike.

Reagimi i subjektit politik dhe intelektual shqiptar, po ashtu doli të jetë i zhurmshëm , i vrullshëm dhe me shumë vrer të panevojshëm. Në fakt, grindavecët nga të dyja anët tashmë kanë bërë aq zhurmë, sa pakkush është duke e lexuar materialin fillestarë, duke analizuar arsyet e vërteta të fillimit të kësaj loje dhe të këtij humori të zi akademik, por janë kyçur në grindjen dhe sharjet reciproke, primitive të cilat nuk sjellin kurrfarë perspektive.

Kush është autori i barsoletës se quajtur Enciklopedi?

A qëndron pushteti i Republikës së Maqedonisë mbrapa MANU-së dhe prapa këtij projekti? A është MANU (Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve) aq autonome sa të punoi në një projekt të tillë duke e injoruar plotësisht pushtetin? Cilat forca politike, kulturore, apo të biznesit qëndrojnë prapa kësaj? Kush synon që përmes këtij projekti të ndërtoj të vërtetën e njëanshme në Maqedoni, e cila përmes institucionit të Akademisë synon të bëhet e vërtetë oficiele dhe të filloi diferencimet tradicionale mbi këtë bazë?

Vështirë mund të besohet që pushteti maqedonas, sidomos koalicioni aktual qeverisës të jetë sponsor i këtij botimi i cili në fakt rrënon bazat e tij. Më afër mendsh duket teza se prapa qëndron ish koalicioni, i cili edhe synonte ndarjen e Maqedonisë dhe këtë duke rrënuar besimin e krijuar, marrëdhëniet pak a shumë të relaksuara mes dy popujve, përmes një kontestimi të gjithë asaj që është arritur me negociata.

Analistët serioz tashmë e kanë të qartë se nacional-socialistët serb me ndikim të fuqishëm në ushtri, polici, qarqet intelektuale e ka projektuar strategjinë e rishikimit të tri marrëveshjeve kyçe të cilat e krijuan gjendjen ekzistuese në Ballkan dhe i dhanë kahe proceseve që ndërtuan konjukturë e cila më nuk bazohet në sllavët dhe ortodoksinë. Marrëveshjet e Dejtonit, Kumanovës dhe Ohrit, e thyen strategjinë e nacionalizmit agresiv serb i cili synonte një kreaturë tjetër shtetërore me Serbinë në qendër, përkundër procesit të integrimeve evropiane.

Bashkëpunimi i elitës së re politike serbe , me Evropën dhe SHBA, i ka tronditë këto plane të opozitës nacional-socialiste në Serbi dhe vetëm një konflikt apo de – stabilitet rajonal, mundet të ndryshoi këtë konjukturë jo të favorshme për ish nacional – komunistët e Serbisë , Maqedonisë e pse jo edhe nostalgjikëve të tjerë të ex-JUGOSLLAVISË.

Akademitë e shkencave ne Ballkan azile pleqsh lakmitarë pa sens per globalizmin

Po aq sa akademikët maqedonas, edhe ata serbë, shqiptarë, kroatë, e boshnjakë, përkunden në ëndrra të bukura për rikthimin e të kaluarës, dhe bëjnë biznes me to, duke tentuar të promovojnë ide shtetmëdha dhe veten si etër kombëtar, duke synuar treg nacional dhe kulturë nacionale të mbyllura, në kohën e vjetrimit ekstrem të këtyre ideve.

Duke dalë si pararojë nacionale, edhe pse në të kaluarën në të shumtën e kohës ishin në bisht të angazhimeve çlirimtare, dhe ishin besnik të idesë jugosllave, ata bien në kundërshtim me proceset globale integruese dhe frymën moderne të bashkëpunimit dhe integrimit mes popujve dhe kulturave.

Të ndodhur para dilemës hamletiane, e të qenurit popull antik apo popull sllav, ku vet përcaktimi krijon probleme të mëdha, sepse ajo që nga akademikët maqedonas proklamohet si maqedonas në vetvete përmban kundërthënie të mëdha, ata e gjetën zgjidhjen e përkohshme në grindjen e sajuar me shqiptarët, për arsye të sajuara, krejt të paqena, duke e ditur se kështu prekin në boshtin e synuar strategjik të aleancës perëndimore.

Me grindjen e sajuar me shqiptarët zotërinjtë synojnë të orientojnë diskutimin rreth një teme më pak të diskutueshme dhe më pak të rrezikshme për ta . Në fakt, çfarëdo teme tjetër do të fuste përçarje në mesin e vetë maqedonasve.

Pozita strategjike e Maqedonisë në Ballkan e ka përcaktuar fatin e sajë në konjukturën e re në gadishull. Infrastruktura energjetike dhe rrugore me rëndësi ka bërë që zyrtarët maqedonas të ndihen të përkëdhelurit e ri të fuqive të mëdha. Kështu që krejt kjo detyrimisht do të përfundoi prapë si një furtunë e sajuar në një gotë me ujë, dhe sërish do të dal në sipërfaqe nevoja e ndërtimit të ri të identitetit shtetërorë të Maqedonisë, i cili duhet të jetë integrues dhe i bazuar mbi parime demokratike dhe me orientim evropian.

Maqedonia do të hyjë në NATO përkundër të gjitha destruksioneve

Aleanca me superfuqinë rajonale, Turqinë, do të jetë baza e re e pozicionimit rajonal të Maqedonisë, duke ndërprerë kështu boshtin pan sllav-ortodoks Moskë- Beograd –Athinë, i cili edhe ashtu politikisht është në degjenerim total.

Për këtë arsye, në fakt për këtë interes të fuqive perëndimore, e në rend të parë SHBA dhe Britanisë së Madhe, por edhe Evropës perëndimore, Maqedonia do të mbrohet me çdo kusht, kundër presioneve të jashtme, por edhe kundër të gjitha trysnive të brendshme të cilat rrezikojnë tërësinë territoriale të saj.

Përpjekjet e grupeve të interesit, kruzhokëve intelektuale, dhe partive politike për destabilizimin e vendit në këtë periudhë, e ato nuk janë vetëm shqiptare, kanë për synim pikërisht këtë interes antiamerikan dhe anti – NATO në regjion.

Edhe përplasjet e fundit në mes politikës greke dhe Rusisë sugjerojnë interesat kundërthënëse rreth trasesë tashmë të shtruar politikisht për infrastrukturën e naftës dhe rrugore nëpër Ballkan, të cilat herë pas herë po ashpërsohen me potencial të krijimit të krizave..

Derisa Serbia dhe Greqia ishin kyçur në projektet ruse të sponsorizuara nga gjiganti energjetik Gasprom, Turqia si nyje strategjike bashkë me aleatët e sajë në NATO, synojnë trasenë Turqi, Bullgari, Maqedoni, Shqipëri, duke faktorizuar kështu edhe politikisht maqedonasit dhe shqiptarët në kuadër të konjukturës së re.

Jo rastësisht, ish-presidenti Bush e kishte mbajtur takimin e tij me kryeministrat kroat, maqedonas dhe shqiptarë në Tiranë dhe po aq jo rastësisht një pjesë e akademikëve maqedonas synojnë të fusin mjegull dhe acar në marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Jo rastësisht krijohen probleme në periudhën kur Maqedonia do të hyjë në NATO , duke prishur kështu planet e jugo-nostalgjikëve të dëshpëruar.

Promovimi si një balonë testuese

Tashmë të gjithë e kanë të qartë se i vetmi popull në rajon i cili ka interes nga ekzistimi i kombit maqedonas janë shqiptarët, sado paradoksale të tingëlloi kjo në këtë situatë të zhurmshme të cilën e krijoi traktati “humoristik” i Akademisë së Shkencave të Maqedonisë.

Prandaj, liderët e urtë të shqiptarëve në Maqedoni, do të tregoheshin në nivelin e aspiratave integruese të popullit të vet, nëse shikojnë përtej gjithë kësaj loje për një përdorim, me vizionin e infrastrukturës së fuqishme që do të kaloj nëpër këto territore dhe e cila do të i shndërroi popujt shqiptarë dhe maqedonas në faktorë të rëndësishëm , të cilët do të jenë boshti i konjukturës së re në Ballkan, përkundër grekëve dhe serbëve të cilët patën fatin e keq të kenë liderë dritëshkurtër dhe dashakeq dhe të cilët nuk arritën të shohin përtej miteve të tyre piktoreske.

Urtia shqiptare do të duhej të jetë boshti integrues në Maqedoni dhe rajon, nëse nuk biem në grackat e ngritura në kontiunitet të strukturave konservative, antiglobaliste, anti demokratike dhe anti qytetare që ende gjallërojnë nëpër enklavat intelektuale apo biznesore në rajonin e ristrukturuar të Ballkanit.

Popujt, ende nuk e kanë të qartë por e ndiejnë, se Ballkani ka ndryshuar rrënjësisht, me themel, sepse etnia ka filluar të de faktorizohet si kuptim i shtetit dhe lirisë. Të gjithë ballkanasit shqetësohen për viza, për vlerat evropiane, dhe gjithnjë e më tepër ndihen evropian, të cilët po shikojnë përpara dhe shumë rrallë kthejnë në muze për të parë si dukeshin dikur kapelat e tyre tradicionale.

(Autori është drejtor ekzekutiv i Qendrës për Studime Ballkanike, në Prishtinë. Email: fadil@balkancenter.org)

Në trend

Më shumë
​Mbushet stadiumi në Greqi me shqiptarë, Rama: Jeni bota

​Mbushet stadiumi në Greqi me shqiptarë, Rama: Jeni bota

Lajme
Një grusht brutal dhe ai nuk mund të ngitej në këmbë, ish-portieri i Chelseat pëson humbje të rëndë në MMA

Një grusht brutal dhe ai nuk mund të ngitej në këmbë, ish-portieri i Chelseat pëson humbje të rëndë në MMA

Sportet Luftarake
Barcelona e sakrifikon yllin e skuadrës për të nënshkruar me Nico Williamsin

Barcelona e sakrifikon yllin e skuadrës për të nënshkruar me Nico Williamsin

La Liga
“Paguhen duke qëndruar në shtëpi” - Drejtoria e Arsimit në Graçanicë keqpërdor mbi një milion euro në vit për pagat e 250 punëtorëve

“Paguhen duke qëndruar në shtëpi” - Drejtoria e Arsimit në Graçanicë keqpërdor mbi një milion euro në vit për pagat e 250 punëtorëve

Jehona Hulaj
Nuk u lejua të futej në lojë për dy minuta, Messi gjen një kamerë anësore dhe shpërthen ndaj MLS-së

Nuk u lejua të futej në lojë për dy minuta, Messi gjen një kamerë anësore dhe shpërthen ndaj MLS-së

Ndërkombëtare
Vinicius Junior do të bëhet lojtari më i shtrenjtë në histori, gjiganti evropian përgatitë ofertë bombastike për asin brazilian

Vinicius Junior do të bëhet lojtari më i shtrenjtë në histori, gjiganti evropian përgatitë ofertë bombastike për asin brazilian

La Liga
Kalo në kategori