LAJMI I FUNDIT:

Histori mahnitëse: Kur shqiptarët ishin faktorë të rëndësishëm në politikën botërore

Histori mahnitëse: Kur shqiptarët ishin faktorë të rëndësishëm në politikën botërore

Recension: Noel Malcolm - Agents of Empire: Knights, Corsairs, Jesuits and Spies in the Sixteenth-Century Mediterranean World (Agjentët e Perandorisë: Kalorësit, Kusarët, Jezuitët dhe Spiunët në botë e Mesdheut të shekullit XVI)

Daut Dauti


Para dy dekadave Sir Noel Malcolm ishte mrekulluar kur kishte hasur në një informatë duke e lexuar një libër italian të shekullit XVI, që kishte të bëjë me Perandorinë Otomane, superfuqinë e asaj kohe. Në këtë libër, njëfar Antonio Bruni, shqiptar, përmendej si personalitet i madh dhe që kishte luajtur një rol po ashtu të madh në marrëveshjet dhe politikën e superfuqisë otomane me mbretëritë dhe principatat e Evropës. Nga ky moment Malcolm kishte vendosur t’i përcillte gjurmët e kësaj informate dhe pas 20 viteve punë nxori aspekte të shumta të një historie të panjohur deri sot.

Natyrisht, libri i sapo botuar është duke u vlerësuar lartë nga historianët dhe kritikat e shtypit e cila gjë ia rikonfirmon Malcolm-it vendin sipëror të historianit.

Deri te dalja e librit në dritë është ditur se në Ulqin ka ekzistuar një familje e quajtur Bruti. At Guiseppe Valentini në veprën e tij të përkthyer edhe në shqip më 2007, me titull ‘E drejta e komunitetve në traditën juridike shqiptare’, shënon se Bruti ishte vëllazëri, fis apo bajrak dhe që mori famë të madhe pasi që anëtarët e saj kishin shërbyer në diplomacinë e Venedikut dhe të Perandorisë Otomane. Kaq dihej për këtë familje. Në hulumtimin dhe shkrimin, siç din të bëjë vetëm Malcolm, ka zbuluar edhe aktivitetin e kësaj familje.

Nga këto dy informata Malcolm, duke hulumtuar arkiva të shumtë dhe literaturë të vjetër, ka rikonstruktuar në mënyrë të lakmueshme shumë ngjarje të rëndësishme me të cilat ka pasuruar historinë e vendeve të Mesdheut të shekullit XVI. Duke folur për veprën e tij, Malcolm ka deklaruar se ky libër është një kontribut modest për historinë. Në realitet, kontributi është shumë më i madh se modest dhe ky libër, sikur edhe librat tjerë të tij, është kryevepër.

Libri paraqet politikën e Evropës dhe atë otomane duke i shtjelluar ngjarjet e mëdha dhe në të cilat familjet shqiptare Bruni dhe Bruti kishin luajtur rol ndër më kryesorët. Një ngjarje e tillë është Beteja e Levantit (1571) ku në anën e forcave të krishtera, Gaspar Bruni, paraqitet në rolin e zëvendëskomandantit. Me mjeshtëri të rrallë, Malcolm ka rikonstruktuar detajet më të imëta të kësaj beteje në të cilën Giovanni Bruni (vëllai i Gasparit) u vra shumë afër flamurit të papatit.

Giovanni, siç zbulon Malcom, nuk u vra nga otomanët, por nga një grup i spanjollëve që gjatë betejës plaçkiste radhët e Ushtrisë së krishterë pjesë e së cilës ishin edhe ata. Ishte e kotë lutja që ju bënte Giovanni këtyre plaçkitësve: ‘Jam ipeshkv, jam i krishterë’, u thoshte Giovanni spanjollëve derisa ata e prenin pa mëshirë me shpata.

Ishte i madh roli i këtyre dy familjeve në strukturat dhe veprimet e Kalorësve të Maltës, në shërbim në rendin e jezuitëve, në spiunim dhe influencë në politikën apo vendimmarrjen në Stamboll, në oborrin e Sulltanit që udhëhiqte një sistem politik, ekonomik dhe, mbi të gjitha, një sistem ushtarak të përsosur nga i cili dridheshin principatat dhe monarkitë e Evropës.

Është mahnitëse mënyra se si Malcolm paraqet situatën politike dhe ekonomike në territoret ku puqeshin kufijtë otomanë me vendet e Evropës që kishin mbetur jashtë pushtimit ose që ishin nën sistemin e vasalitetit të Portës. Po ashtu, është mbresëlënëse mënyra e shpjegimit të qeverisjes otomane ndaj shteteve vasale të cilat Porta arrinte t’i sundonte duke ua diktuar politikën dhe ekonominë pa ndonjë prezencë administrative dhe ushtarake otomane. Ky sundim vasaliteti shpjegohet me rastin e Dubrovnikut dhe Moldavisë.

Këto dy familje, sikur edhe shumë shqiptarë tjerë, duke jetuar në të dy pjesët e këtyre dy botëve, kishin mundësinë dhe aftësinë për të osciluar në të dyja anët duke u paraqitur si faktorë të rëndësishëm për bashkëpunim apo armiqësi në të dy taborët.

Shqiptarët sot mund të mos jenë në gjendje t’i dalin zot as vendit të tyre, por atëherë, sidomos gjatë shekullit XVI, pa ta, siç shihet në këtë libër, nuk bëhej politika e botës. Libri është plotë shembuj që vërtetojnë këtë fakt por shembulli më i mirë është ai që paraqitet nëpërmes Bartolomeo Brutit në Stamboll.

Në vitin 1582 Sulltani kishte organizuar ceremoninë e synetisë të birit të tij, sulltanit të ardhshëm Mehmetit III. Ceremonia ishte një festival që kishte zgjatur gati dy muaj. Parada, parakalime dhe aktivitete të ndryshme ishin organizuar para Sulltanit, njerëzve të pushtetit otoman dhe dinjitarëve të shumtë evropianë që merrnin pjesë dhe para të cilëve Sulltani demonstronte fuqinë e tij të pakufishme. As argëtimet nuk kishin kufi. Para dinjitarëve të shumtë otomanë dhe evropianë parakalonin zanatlinjë dhe akrobatë që demonstronin aftësitë e tyre. Ta zëmë, një berber rruante myshterinjtë derisa qëndronte në kokë dhe mbi kanata të qerres që lëvizte; në hipodrom, një luftë në mes një derri të egër dhe tre luanëve, për pak nuk përfundoi në dobi të derrit; fishekzjarrët shumëngjyrëshe ndriçonin çdo natë qiellin e Stambollit. Dhe, para dinjitarëve evropianë, dhe si për inat të tyre, një grup i madh i të krishterëve grekë dhe shqiptarë, në mënyrë spektakolare ishin konvertuar në fenë islame.

Siç bënë me dije dëshmia e Macolmit, e cila gjë ilustrohet edhe me një pamje të një manuskripti, shihet se në mesin e mysafirëve të lartë të krishterëve evropianë, qëndronte edhe ulqinaku Bartolomeo Bruti, i cili deri në atë moment nuk ishte shumë i njohur për një nderim aq të lartë. Kush ishte ai dhe si kishte arritur të ngjitej aq lartë?

Malcolm, duke iu përgjigjur kësaj pyetje, në mënyrë brilante, shpjegon ardhjen dhe suksesin e Bartolomeot në Stamboll. Nëpërmes tij, shpjegohet edhe lufta për pushtet dhe thurja e intrigave tjera që bëhej në pallatin e Sulltanit. Kjo luftë bëhej në mes shqiptarëve dhe sllavëve (kryesisht serbëve) për primat në pallat. Autori porositë që kjo të mos merret si luftë e karakterit nacionalist pasi që një ndjenjë e tillë nuk ekzistonte në atë kohë. Megjithatë, shqiptarët lidheshin vetëm në mes vete dhe pa dallim të fesë që kishin.

Rasti i Bartolomeo Brutit vë në pah rrugën që Perandoria Otomane ua kishte hapur shqiptarëve, por edhe tjerëve, për t’u ngjitur në pushtetin politik dhe ushtarak. Bartolomeo në moshë të re kishte vendosur të shkonte në Stamboll për të studiuar në shkollën e Dragomanëve, e cila në atë kohë për botën e atëhershme, ka qenë një lloj Harvardi apo Oxfordi. Para se të nisej nëna i kishte treguar se në Stamboll kishte kushëririn e saj të parë, Sinan Pashën, dhe e kishte porositur që të binte në kontakt me te.

Sinan Pasha, në moshë të re kishte shkuar në Stamboll dhe nëpërmes lidhjeve të shqiptarëve ia kishte dalë të punësohej si kuzhinier në pallat dhe pastaj kishte përparuar në pozitën e kamerierit personal të Sulltanit, i cili më vonë i besonte vetëm atij për të provuar ushqimin para se ta hante. Përparimi i Sinanit nuk ishte ndalë në këtë pozitë. Sulltani duke parë aftësitë dhe ambiciet e këtij të riu, e kishte emëruar fillimisht guvernator në disa qytete të Perandorisë e pastaj edhe në pozita të larta ushtarake.

Sinani ishte ngritur me ndihmën e një shqiptareje që quhej Safije dhe cila i qëndronte afër Sulltanit. Sulltani kishte konsiderata të larta për këshillat e Safijes. Ç’është e vërteta, Sinanin e kishte përkrahur në karrierë edhe Mehmed Sokollu i cili te ne njihet edhe si Mehmet Pashë Sokolloviqi që ishte me prejardhje serbe. Ndihma e Sokolluit kishte përfunduar në momentin kur Sulltani i kishte dhënë Sinanit titullin pashë e më vonë vezir. Nga ky moment kishte filluar edhe lufta në mes Sinanit dhe Sokolluit i cili kishte pozitë të Vezirit të Madh (kryeministër) dhe për të cilin Sulltani kishte respekt të madh pasi që ai i kishte sjellë dobi të mëdha Perandorisë në zgjerimin dhe administrimin e saj. Siç dihet, edhe serbët përfituan nga Sokollui i cili ia kishte dalë ta bindte Sulltanin për ta pavarësuar Kishën Ortodokse Serbe dhe për ta themeluar selinë në Deqan. Sokollu po ashtu ia doli që në krye të Kishës ta emëronte vëllain e tij.

Ardhja e Bartolomeut në Stamboll koincidoi me kërkimin për zgjerimin e rrjetit të shqiptarëve që bënte Sinan Pasha. Dhe, kështu, Bartolomeo përparoi me një shpejtësi marramendëse dhe u bë i rëndësishëm në qarqet më ta larta të shoqërisë otomane në Stamboll. Ky veprim ashpërsoi luftën në mes të grupit të shqiptarëve të udhëhequr nga Sinan Pasha dhe Sokollu Pashës i cili u printe sllavëve. Fillimisht puna shkoi aq keq sa që Sokollu ia doli ta arrestonte Bartolomeon duke e akuzuar për spiunim të sekreteve otomane në Venedik apo Spanjë. Në fakt, Bartolomeo u burgos për shkak se Sokollui dëshironte ta dobësonte rivalin e tij Sinan Pashën. Si shtesë, Bartolomeo i dinte edhe disa sekrete për disa njerëz të rrethit të Sokollut. Bartolomeo kishte fakte se dy njerëz të afërt të Sokolluit, Hurrem dhe Solomon, në fakt vetëm pretendonin se ishin myslimanë pasi që ai e dinte se privatisht e praktikonin fenë e krishterë.

Puna kishte shkuar aq larg sa që Sokollui kishte guxim ta mbante Bartolomeon në një lloj burgu privat në sarajet e tij dhe i kërcënohej edhe me konvertim. Ia kishte bërë me dije se do t’i tërhiqej akuza nëse ai kalonte nga katolicizmi në islam, por Bartolomeo më parë pranonte vdekjen se konvertimin. Më në fund Sinan Pasha kishte intervenuar te Sulltani dhe Barolomeo ishte liruar. Por, me një kusht: që të largohej nga Stambolli për në Dubrovnik.

Por, Bartolomeo edhe në Dubrovnik nuk hiqte dorë nga Stambolli dhe dëshironte të kthehej përkundër kushtit. Madje, Bartolomeo, me siguri me porosi të Sokolluit u burgos edhe dy herë: një herë në Dubrovnik dhe një herë në Durrës por në të dy rastet Sinan Pasha intervenoi dhe e nxori nga burgu. Megjithatë, Bartolomeo nuk hiqte dorë nga shkuarja në Stamboll ku i rrinte akuza hapur. Bartolomeo pos që e kishte dajë Sinan Pashën, ai kishte edhe fat. Rrugës për Stamboll qëlloi që Sokollui vdiq. Një variant i historianëve ka konkluduar se Sokollui u vra nga një dervish fanatik për shkak se ua mbante anën të krishterëve. Një variant tjetër thoshte se vrasësi ishte paguar nga gruaja e Sokolluit pasi që ajo e kishte zënë atë ne flagrancë (në marrëdhënie seksuale) me një djalë të ri. Varianti i tretë thotë se Sokollu e vra me organizim të Sinan Pashës për shkak të pozitës.

Është vështirë të dihet e vërteta, siç thotë edhe Malcolm, pasi që vrasësi ishte aq shumë i rrahur sa që kur e sollën para Sulltanit nuk mundi as të fliste e as të jepte ndonjë shenjë para se të vdiste. Sidoqoftë, pas Sokolluit, Vezir i Madh nuk u emërua Sinan Pasha as ndonjë shqiptar tjetër, por Ahmed Pasha i cili ishte po ashtu me origjinë serbe nga Herceg Novi dhe që kishte komanduar Ushtrinë otomane me rastin e pushtimit të Ulqinit dhe Tivarit. Në fakt Ahmed Pasha ishte në radhë për tu bërë Vezir i Madh, por kishte edhe ndikim pasi që gruaja e tij ishte ishte njëra nga vajzat me influencë të Sulltan Sylejmanit të Madhërishëm. Megjithatë, vargut të vezirëve serbë u erdhi fundi pasi që edhe Ahmed Pasha vdiq brenda një kohe të shkurtër. Vdekja e tij shënoi ardhjen e shqiptarëve në maje të pushtetit otoman në krye me Sinan Pashën. Mu ato ditë në Stamboll arriti edhe Bartolomeo dhe filloi ngritja e karrierës së tij.

Pas një kohe të shkurtër Bartolomeu u emërua përfaqësues special i Sulltanit në Moldavi, shtet i cili ishte nën vasalitetin e otomanëve. Në këtë situatë të favorshme, Bartolomeo, natyrisht me ndihmën e Sinan Pashës, filloi ta përgatiste rrugën për pushtet të plotë duke sjellë njerëzit e tij nga Ulqini në pozita të larta. Në Moldavi menjëherë filloi ta forconte elementin katolik dhe për këtë kishte përkrahjen e Stambollit. Pas pak, me urdhër të Sulltanit dhe nëpërmjet Sinan Pashës, Bartolomeo filloi t’i bëjë presion Polonisë për pranim të vasalitetit ose së paku që të arrinte një marrëveshje në favor të Portës.

Bartolomeo u faktorizua në tërë rajonin otoman të Evropës. Zyrtarët e Dubrovnikut dhe vendeve tjera filluan t’i shkruanin letra për ta lutur që të intervenonte te Sinan Pasha i cili ua kishte ngritur tatimet. Mendohej se Sinan Pasha tashti po u hakmerrej vendeve vazale të cilat i kishte favorizuar më parë Sokollu dhe funksionarët tjerë me prejardhje sllave.

Secilën nga këto ngjarje Malcom i forcon me nga disa dokumente të burimeve të ndryshme. P.sh. Malcolm ka disa dokumente të ndryshme, dy prej të cilave nga zyrtarët e Kishës Katolike, për të vërtetuar se Sinan Pasha ka qenë shqiptar e jo serb siç pretendojnë disa historianë sllavë. Ai vërteton se vendlindja e Sinanit ka qenë fshati Topojan në rrethin e Prizrenit dhe se ka qenë shqiptar pa asnjë dyshim që rridhte nga një familje e islamizuar më herët.

Dhe, në fund, libri duke e patur Sir Noel Malcolm-in për autor, nuk ka se si të mos e mahnis lexuesin. Lexuesi, sidomos ai shqiptar, do të mësoj se lufta e Sulltanit për zgjerim të territoreve nuk ka përfshirë zgjerimin e fesë (islame) por është bërë ekskluzivisht për pushtet politik dhe ekonomik. Po ashtu do ta shohin që shqiptarët i ndihmonin njëri tjetrit dhe nuk i konsideronin pengesë dallimet religjioze. Libri duhet gjithsesi të lexohet nga çdo historian shqiptar dhe student të kësaj lëmi dhe të shërbejë si shembull se si trajtohen ngjarjet dhe si shkruhet historia. Ndoshta një ditë historianët shqiptarë dhe ata ballkanikë do të provojnë të shkruajnë një libër të këtillë. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Politikë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Sulm fizik ndaj një gruaje dhe kanosje ndaj vozitësit tjetër, Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj të dyshuarit në Prishtinë

Sulm fizik ndaj një gruaje dhe kanosje ndaj vozitësit tjetër, Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj të dyshuarit në Prishtinë

Drejtësi

"Vuçiq e mendonte Slloveninë Eldorado serbe, kurse diplomatët e saj vegla të tij", ish-diplomatë serbë flasin për skandalin e fundit të Vuçiqit

Lajme
Pezulloi detyrat publike për shkak të akuzave ndaj bashkëshortes, Rama i del në krah kryeministrit spanjoll

Pezulloi detyrat publike për shkak të akuzave ndaj bashkëshortes, Rama i del në krah kryeministrit spanjoll

Lajme
Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Lajme
Kalo në kategori