LAJMI I FUNDIT:

Hapësira ajrore e Kosovës në duart e Fatmir Limajt

Hapësira ajrore e Kosovës në duart e Fatmir Limajt

Që nga dita e sotme,lejet apo siç quhen ndryshe në gjuhën ndërkombëtare të aviacionit “sllotat, për aviokompanitë që duan të operojnë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës dhe hapësirën ajrore të Kosovës, do të ipen nga ministri i Transporteve dhe Telekomunikacioneve, Fatmir Limaj.

Kjo kompetencë deri më tani ka qenë e rezervuar nga UNMIK-u, institucion ky i cili ka dhënë lejet e fluturimit përmes Zyrës për Aviacion Civil, (CARO).

Fillimisht MTPT në bashkëpunim me Zyrën e Aviacionit Civil (ZAC), nënshkruan dhënien e 4 licencave për këto kompani: “Hamburg International” nga Gjermania, “Norwegian Air Shuttle” nga Norvegjia, “G-time Company” nga Danimarka dhe “Aurora” nga Sllovenia.

“Kjo tregon se Qeveria e Kosovës po merr kompetencat edhe në hapësirën ajrore dhe tash e tutje MTPT do të jetë përgjegjëse e dhënies së licencave për të gjitha aviokompanitë që dëshirojnë të fluturojnë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP)”, tha ministri Limaj.


Ai theksoi se Kosova është në rrugë e sipër të themelimit të Agjencisë së Aviacionit Civil, e cila sipas tij, do të shënonte përfundimisht kalimin e kompetencave nga ndërkombëtarët tek vendorët në këtë fushë, e cila identifikohet me atributet e sovranitet shtetëror. /Telegrafi/