LAJMI I FUNDIT:

GKK – Galeria e Klaneve të Kosovës

GKK – Galeria e Klaneve të Kosovës

Në fillim të këtij viti, dua ta ngre zërin edhe një herë për katandinë e pamëshirshme të institucionit më të lartë kulturor të arteve pamore të Kosovës.

Po bëhen tre vjet qëkur me kurdisjet e Memli Krasniqit dhe të kabinetit të tij gebelsian, u krijuan “kushtet” për largimin tim nga detyra e drejtorit te Galerisë Kombëtare dhe e pedagogut në Fakultetin e Arteve. Kjo klikë e udhëhequr nga profesori i “rregullt” i të gjitha universiteteve shqiptare, Haqif Mulliqi, me urdhëresat e Petrit Selimit dhe të Shkëlzen Maliqit, e instaluan drejtorin e ri, Erzen Shkolollin, si dhe Bordin e ri Drejtues në krye me arkitekten, publicisten, fotografen, kompozitoren, këngëtaren e çka jo tjetër – Eliza Hoxha.


Sidoqoftë, ky shkrim nuk ka të bëjë me këto padrejtësi ndaj meje, meqë me rastin tim po merret gjykata, ndërsa Gjykata e Shkallës së Parë ka vendosur se e drejta është në anën time. Por, shkrimi ka të bëjë me anomalitë dhe rezultatet zero të këtij institucioni, qëkur ndodhën këto “prurje” të reja!

Ky “ekip” i ri i Galerisë Kombëtare, i përbërë nga snobë, “kozmopolitë” dhe të llastuar me pretendime se janë “njerëz të botës”, që tre vite u ofrojnë artistëve kosovarë, por edhe publikut, një program të varfër dhe përsëritës, i cili, çuditërisht, “gëlltitet” në heshtje të plotë dhe pa ndonjë reagim të mirëfilltë.

Nëse gazetarëve u servohen nga ky institucion informata të gabuara, duke ditur kushtet dhe rrethanat në të cilat ata punojnë, e kuptoj që hulumtimi në këtë rast është “humbje” kohe. Por, më habit heshtja e artistëve që janë të vetëdijshëm dhe janë të informuar se çfarë po ndodhë në GKK. Mbase fati im i bënë ata të jenë të frikësuar! Apo, ndoshta duke ditur se GKK është Galeri e Klaneve të Kosovës shpresojnë që me heshtje do të fitojnë famë, apo simpati Bordit Drejtues.

E dhimbshme se si kabinetet gebelsiane i kanë tjetërsuar artistët dhe idealet e tyre.

GKK, veç një programi të varfër në numër (nëntë ekspozita në vit) dhe herë pas here me ekspozita që publiku kishte rastin me i pa në dhjetëvjetëshin e fundit (ekspozita me koleksionin e grafikës në Fondin e Galerisë, ekspozita e Engjëll Berishës, ekspozita e Simon Shirokës dhe ekspozita e fotografit Afrim Spahiu) për të cilat u angazhuan kuratorë të huaj dhe që për ta u paguan shpenzime të larta nga buxheti i krijuar me paranë publike, në këtë institucion po ndodhin dhe shume veprime që lënë për të dyshuar se gjërat janë krejtësisht jashtë kontrollit dhe se klani i të vetëquajturve baballarë të artit bashkëkohor të Kosovës po keqpërdorë këtë institucion dhe po menaxhon si më së keqi me buxhetin e krijuar nga qytetarët e varfër të këtij vendi. Pamëshirshëm dhe vetëm e vetëm për t’i krijuar vetes favore.

Ka tre vjet që askush nuk e din se sa është buxheti i Galerisë Kombëtare të Kosovës! Ne akoma nuk e dimë se a ka Galeria Kombëtare një Këshill Artistik dhe nëse po, kush janë anëtarët e atij Këshilli? Ka tre vjet që veç stafit të përhershëm në Galeri enden e pështillen disa persona (ata i thonë vetes artista) për funksionin e të cilëve askush nuk din gjë. A paguhen dhe nga kush paguhen ata?

Ka tre vjet që nga Galeria nuk është dhënë asnjë informatë se si menaxhohet buxheti i saj (pavarësisht se nuk e dimë sa është ai), ka tre vjet që askush nuk din për donacionet që i janë dhënë kësaj Galerie, e as për shifrën e përgjithshme që kapin ato! Galeria duhet të dalë edhe me një raport lidhur me shpenzimet që janë krijuar, meqë ka angazhuar një numër shumë të madh të kuratorëve dhe të anëtarëve për “juria”, të cilët në rastet më të shpeshta vinin nga shtete të huaja e për të cilët veç honorarëve bukur të lartë janë paguat dhe biletat e aeroplanit, akomodimi dhe mëditja.

Nga menaxhmenti i Galerisë duhet kërkuar llogari edhe për disa çështje shumë të rëndësishme që drejtpërsëdrejti kanë të bëjnë me (keq)trajtimin që ata ua bëjnë artistëve kosovarë! Ata nuk trajtohen si duhet kur i kanë ekspozitat personale dhe puna e tyre nuk shpërblehet me realizimin e një katalogu dinjitoz. Ai ose shtypet me vonesë disamuajshe ose nuk realizohet fare, kështu që publiku që vjen në hapjen e ekspozitës, por edhe gjatë kohës sa ekspozita qëndron e hapur, nuk e ka kënaqësinë ta marr atë, që ta ruajë si kujtim nga ekspozita dhe nga artisti që ekspozon. Fatkeqësisht, në këtë rast të heshtur janë edhe artistët.

Në periudhën kur po e drejtoja Galerinë Kombëtare, buxheti vjetor i saj mezi arrinte në 70 mijë euro. Dhe, për më pak se dy vjet (korrik 2009 – korrik 2011), aq sa m’u lejua të isha në krye të këtij institucioni, në Galeri janë realizuar mbi 45 ekspozita (në tetor, nëntor dhe dhjetor të vitit 2009 shkaku i renovime të Galerisë nuk kishte asnjë aktivitet programor).

Vetëm gjatë vitit 2010 (janar-dhjetor) në Galerinë Kombëtare janë realizuar 27 ekspozita dhe për secilën prej tyre është përgatitur një katalog dinjitoz, me një shtyp shumë cilësor që shpesh arrinte në mbi 100 faqe! Në vazhdim po jap, me radhë, të gjitha ekspozitat e realizuara gjatë vitit 2010.
Si dëshmi, po i ceki këto në vazhdim:

1. Ekspozitë personale e Isa Alimusajt (06.01 – 02.02.2010);

2. Me rastin e kremtimit të 17 shkurtit – 2 vjetorit të Pavarësisë të Kosovës u bë hapja e ekspozitës nga Fondi i Galerisë së Arteve të Kosovës (15.02 – 14.03.2010 );

3. Ekspozitat personale e Artan Hajrullahut – hapësira ekspozuese në katin përdhes (18 – 31.03.2010);

4. Ekspozitë personale e Jeton Mujës – hapësira ekspozuese në katin e pare (18 – 31.03.2010);

5. Ekspozita e përbashkët e pesë artistëve nga Berati: Hasan Nallbani, Arben Golemi, Nezir Ago, Agron Polovina dhe Kastriot Dervishi (07 – 19.04.2010);

6. “Bienali 15 Ndërkombëtarë i Vizatimit” – Kosova 2010 (20.04 – 02.05.2010);

7. Ekspozita personale e Nehat Beqirit nga Maqedonia (23.04 – 05.05.2010);

8. Ekspozita personale e artistit ndërkombëtar Soren Dahlgaard, nga Danimarka, e mbajtur në pjesën e majtë të hapësirës ekspozuese në katin e pare (04 – 16.05.2010);

9. Ekspozita personale e artistes Bella Angora nga Austria, e mbajtur në pjesën e djathtë të hapësirës ekspozuese në katin e pare (04 – 16.05.2010.);

10. Ekspozita personale e artistit të mirënjohur shqiptar, Naxhi Bakalli nga Shqipëria (07 – 18.05.2010);

11. Ekspozita e fotografit Ace Ericson nga Suedia (03 – 12.06.2010);

12. Ekspozita “Artistët e së Nesërmes” – Çmimi Amerikan (16 – 28.06.2010);

13. Ekspozita personale e piktorit Zef Toçi (24.06 – 10.07.2010);

14. Ekspozita nga Koleksioni i GAK-ut, “Poetika e Pikturave të Viteve 1960-1980” (26.07 – 28.08.2010);

15. Ekspozita personale e artistes Helona Ruli nga Shqipëria (30.08 – 02.02.2010);

16. Ekspozita personale e piktorit Faik Krasniqi (01.09 – 14.09.2010);

17. Ekspozita Ndërkombëtare e Fotografisë Artistike “Gjon Mili – 2010 (03.09 – 16.09.2010);

18. Ekspozita e arkitektit Erich Mendelsohn (1887-1953) (17 – 26. 09.2010);

19. “Jeta dhe vepra e Nënës Tereze” – 100 vjetori i lindjes (21.09 – 03.10.2010);

20. Ekspozita “Qytete kreative, qyteza arti dhe fshatra fantastike” me kurator Alban Mujën (27.09 – 04.10.2010);

21. Ekspozita personale e Reshat Ametit nga Maqedonia (05 – 17.10.2010);

22. Ekspozita “BESA’ e fotografit amerikan Norman Gershman (07.10 – 16.11.2010);

23. Ekspozita personale e skulptorit Adem Rusinovci (20.10 – 12.11.2010);

24. Ekspozita personale e artistes Tanja Balac nga Maqedonia (18 – 27.11.2010);

25. Ekspozita nga Koleksioni i Galerisë së Arteve – vizatime (25.11 – 07.12.2010);

26. Ekspozita personale e Adem Dërmakut – hapësira ekspozuese në katin e pare (09.12-24.12.2010);

27. Ekspozita personale e Lyra Zajmit “Sharri – “Frymëzimi im dhe Dashuria Ime” – hapësira ekspozuese në katin përdhes (15.12.2010 -25.12.2010).

Përveç 27 ekspozitave te mbajtura gjatë këtij viti, u organizuan debate publike për çdo ekspozitë si dhe një ekspozite e Shoqatës së Artisteve Figurative të Kosovës – “Salloni i Nentorit”, ekspozita e fëmijëve si prodhim i projektit “Fëmijët kreativë” – një bashkëpunim mes GAK-ut dhe Ambasadës së Holandës, Mbledhja komemorative me rastin e vdekjes së piktorit Engjëll Berisha etj.

Ky angazhim është dëshmi se me vullnet të mirë, në shërbim të artistëve, GKK kishte kapacitete të organizonte brenda një viti të vetëm më shumë ekspozita se sa menaxhmenti aktual i Galerisë Kombëtare për tri vite të tëra! Dhe, që të gjitha ato më me nivel se këto të "ditëve të sotme"!