LAJMI I FUNDIT:

Gjeopolitika si mënyrë për të shpjeguar disa nga politikat dhe interesat e shteteve të ndryshme

Gjeopolitika është një mënyrë e shikimit të botës: ajo merr parasysh lidhjen mes politikave dhe vendeve, mes gjeografisë, fuqisë dhe diversiteteve kulturore. Qoftë në rajonet e botës të përfshira nga luftërat, atje ku kufijtë bëhen çështje e jetës apo vdekjes, qoftë në SHBA apo Evropë, gjeopolitika është një pjesë e rëndësishme e jetës së përditshme globale. Madhësia e një vendi, lokacioni, sovraniteti, dhe resurset , të gjitha këto kanë ndikim tek njerëzit që jetojnë dhe kanë ndërveprime me botën e gjerë. Për të përmendur shembuj që nga hartat historike, filmat dhe retorikën e liderëve politikë, të gjitha këto kanë të bëjnë me gjeopolitikën.

Origjina e “shkencës” së gjeopolitikës- Në vitin 1899, profesori suedez i shkencave politike, Rudolf Kjellen, pat shkruar në mënyrë realiste për politikën ndërkombëtare, të asaj kohe, duke e vendosur fokusin në rolin e territoreve dhe resurseve që formësonte politikat e shteteve. Gjeografia globale fizike si e quante ai ishte pra dispozicioni i kontinenteve, oqeaneve, dhe ndarja e shteteve në perandori dhe fuqi detare, tokësore apo rajonale (Klaus Dodds, Geopolitics, Oxford University Press, 2007).


Faktorët që ndikuan në krijimin e gjeopolitikës ishin: nacionalizmi ekonomik dhe proteksionizmi tregtar, fuqitë imperiale udhëheqnin politika agresive në kërkim të territoreve të reja në Afrikë dhe kontinente tjera në shek. e 19-të, rritja e universiteteve dhe mësimi i gjeografisë si diciplinë akademike krijoi mundësinë për më shumë hulumtime në këtë fushë, sipas Doddsit. Shembull i shfrytëzimit të gjeopolitikës për dominim global ishte ai i gjeografit dhe profesorit gjerman Karl Haushofer, që njihej si “themelues i gjeopolitikës gjermane”, para Luftës së Dytë Botërore. Instituti Gjeopolitik në Munich, kishte 1000 shkencëtarë, teknicienë, dhe spiunë, idetë dhe puna e të cilëve paraqitej mes hartave, grafikoneve, statistikave, informatave dhe planeve dhe këto kishin diktuar lëvizjet e Hitlerit që nga fillimi Luftës së Dytë.

Profesori Haushofer kishte shkruar se “në mënyrë që Gjermania të prosperojë, lidershipi i saj do të duhej të konsideronte pesë elemente esenciale siç ishin: lokacioni fizik, resurset, territori, morfologjia dhe popullata”. Ide tjetër ishte ajo e pan-regjioneve apo aleancat me shtete si Japonia. Dihet se si kishin përfunduar këto plane gjeopolitike në mënyrë negative për Gjermaninë pastaj, me humbjen e luftës. Në SHBA, Henri Kissinger si sekretar shteti ishte ai që kishte ndikuar në ringjalljen e gjeopolitikës pas Luftës së Dytë Botërore. “Ekuilibri ishte emri i lojës” siç kishte thënë sekretari Kissinger duke iu referuar dy superfuqive të atëhershme botërore, kuptohet kjo me kohë kishte ndryshuar.

Gjeopolitika sot është bërë pjesë e përditshme e jetës së njerëzve në shumë vende edhe për shkak te globalizimit dhe ndikimit të medieve elektroinike dhe të shkruara. Çdo ditë dëgjojmë dhe lexojmë për konflikte në vende të ndryshme të botës për shkak të pasurive natyrore, për territore apo edhe për ideologji. Luftërat e Serbisë në vitet e 90-ta ishin luftëra tipike fashiste për dominim, për pushtim territoresh në Ballkan apo për ideologji dhe për ndryshim të gjeografisë, pra për shkaqe gjeopolitike. Gjersa, sulmet me bomba në Bagdad, në Londër, Bali, Stamboll, Madrid tregojnë për ndërlidhshmërinë mes njerëzve dhe vendeve të ndryshme në botë dhe njëkohësisht për rreziqet që janë paraqitur sot në disa pjesë gjeografike të botës. Gjeopolitika pra merret me cështje si kufijtë, resurset natyrore, territoret, identitetet, ujërat dhe për këto angazhohen shumë shtete, si.p.sh. për ndikimin në Arktik kohët e fundit interesohen Rusia, Kanadaja, Norvegjia dhe të tjera.

Gjeopolitika po ashtu paraqet situate apo ngjarje të ndryshme duke përdorur përshkrime gjeografike, metafora dhe shprehje sikurse p.sh. “Perdja e Hekurt”, “Bota e tretë” , “Boshti i së keqes”etj. Këto shprehje përdoren që të tërheqin vëmendje sepse kanë tendencë të thjeshtësimit të politikave botërore dhe të identifikojnë miqtë dhe armiqtë potencial. Por edhe me qëllim të shpjegimit të ndonjë dukurie apo problemi, si në këto raste më lart, ose në të kundërtën, në raste tjera.

Katër traditat gjeopolitike britanike p.sh. ishin: Anglia e vogël/Britania, Britania Kozmopolitane, Britania Evropiane dhe Britania Amerikane. Kryeministri Britanik, z. Vinston Churchill, në vitin 1946, p.sh. pat deklaruar se “Nga Stettini në Detin Baltik deri tek deti Adriatik, një perde e hekurt ka mbuluar Evropën”, duke iu referuar influencës të atëhershme sovjetike në atë kohe dhe njëkohsisht duke e kundërshtuar atë në mënyrë metaforike. Filmat e krijuar me heroin britanik, James Bond, si p.sh. “Die another Day” paraqesin përpjekjet e agjentit britanik Bond, së bashku me kolegët amerikanë, që punonin për të ndalur një kolonel të “çmendur” nga Koreja Veriore për të shkatërruar Korenë Jugore dhe Japoninë me një satelit të fuqishëm, dhe ky film në një mënyrë përputhej me përshkrimin e atëhershëm të presidentit amerikan Bush, për Korenë Veriore, “si një bosht i së keqes” dhe shfaqte qartë elemente të gjeopolitikës perëndimore në aspektin informativ, afirmativ por edhe propagandues (Klaus Dodds, Geopolitics, Oxford University Press, 2007).

Një shembull negativ i shfrytëzimit të gjeopolitikës për propagandë shtetërore është ai i Presidentit të Iranit, Ahmadinejad, në tetor 2005, para 4000 studentëve kur deklaroi se Izraeli “duhej fshirë nga faqja e dheut” dhe nuk ishte vetëm deklaratë por sqaronte edhe përpjekjen e Iranit për të rishkruar hartën politike të Lindjes së Mesme dhe kjo nxiti reagime të mëdha në Izrael, në SHBA, dhe në vende të tjera.

Gjeopolitika në Ballkan dhe Kosova

Gjeopolitika në Ballkan ka pasur shumë zhvillime dhe ndryshime gjatë historisë por nëse ndalemi prej otomanëve p.sh., pastaj pas dy luftërave botërore dhe pas shërbërjes së ish Jugosllavisë, si pasojë e këtyre ngjarjeve, shqiptarët kanë vuajtur më së shumti. Gjithashtu nga pasojat e vendimeve të Kongresit të Berlinit më 1878, pushtimit të Shqipërisë dhe Konferencës së Londrës më 1913 që shkaktuan ndarje të trungut etnik të shqiptarëve në disa shtete. Por më 1999 definitivisht shtetet demokratike të udhëhequra nga SHBA-të, Britania , Gjermania , Franca etj. ,së bashku me rezistencën kosovare ndryshuan gjeopolitikën ballkanike duke iu ndihmuar Kosovarëve për të shpëtuar nga vrasjet, fushata e spastrimeve etnike dhe arritja e lirisë së shumëpritur.

Presidenti i nderuar amerikan Klinton pat deklaruar në mars 1999 për një televizion amerikan kështu: “Shikoni hartën e Kosovës. Kosova është një vend i vogël, por është një urë lidhëse mes Evropës, Azisë dhe Lindjes së Mesme, dhe vendtakim i Islamit, dhe degëve Katolike dhe Ortodokse të Krishterimit. Atje janë aleatët tanë Turqia, Greqia, pastaj aleatë të tjerë dhe përreth Kosovës, ka vende të vogla demokratike që kanë sfidat e veta politike-ekonomike.

Të gjitha parakushtet për një luftë të gjerë janë atje: konflikte të vjetra, demokraci të brishta, dhe në qendër diktatori në Serbi që nuk ka bërë gjë tjetër, që nga fundi i Luftës së Ftohtë, përveç fillimit të luftërave të reja dhe derdhjes së benzinës në ndarjet etnike dhe religjioze” (K. Dodds, Geopolitics, f.20).

Siç dihet, Kosova që nga 17 Shkurti 2008 është shtet i pavarur dhe është arritja më e madhe e shqiptarëve që nga viti 1912 dhe ky fakt ka sjellur paqe dhe stabilitet si dhe ka ndryshuar pozitivisht hartën gjeopolitike të Ballkanit duke iu falenderuar përkrahjes së madhe të shteteve liridashëse, demokratike dhe të drejta si dhe rezistencës qindravjeçare kosovare.

Në trend

Më shumë

"E pabesueshme, qesharake, absurde...", reagimet ndaj deklaratës së Borrellit, se mezi pret të punojë me qeverinë e re të Serbisë

Botë
U përfol se u ndanë për të shpëtuar pasurinë, Bes Kallaku jep përgjigjjen përfundimtare

U përfol se u ndanë për të shpëtuar pasurinë, Bes Kallaku jep përgjigjjen përfundimtare

Magazina
Anëtarësimi i Kosovës në KiE, cilat janë vendet skeptike që duan fillimisht asociacionin?

Anëtarësimi i Kosovës në KiE, cilat janë vendet skeptike që duan fillimisht asociacionin?

Lajme
Po shkëlqen te Borussia Dortmund, por është lojtar i Chelseat – Guardiola e do me çdo kusht te Man City

Po shkëlqen te Borussia Dortmund, por është lojtar i Chelseat – Guardiola e do me çdo kusht te Man City

Premier League
Konkursi i dyshimtë i Policisë, IPK: Do t’i verifikojmë informatat

Konkursi i dyshimtë i Policisë, IPK: Do t’i verifikojmë informatat

Siguri
Kievi mund të sulmojë me armë britanike Rusinë

Kievi mund të sulmojë me armë britanike Rusinë

Evropa
Kalo në kategori