LAJMI I FUNDIT:

Fushata paraelektorale dhe mediat

Fushatës paraelektorale vetëm sa ka filluar t’i vije fundi dhe gjatë kohës së mbajtjes, ajo në ombrellën të saj ka pasur anët pozitive dhe negative. Gjatë tërë kësaj kohe, kemi qenë dëshmitarë të asaj se fushata ka pasur shumë aspekte për t’u lavdëruar, por edhe shumë aspekte të cilat padyshim se japin konotacione negative vetë demokracisë, por edhe vendit, pasi që për herë të pare këto zgjedhje organizohen nga vetë institucionet e vendit.

Mediat, edhe pse realisht kanë pasur një punë mjaftë të vështirë, shpeshherë kanë qenë ato me të cilat është manipuluar, njëherësh mediat janë përdorur si një instrument psikologjik drejt instrumentalizmit të publikut, duke bërë kësisoj që edhe vetë fushata paraelektorale të marrë një kthesë tjetër.


Nuk është rastësi, pse thuhet që media është pushteti i katërt pas atij ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor, sepse mediat si ato elektronike, por edhe të shkruara ofrojnë një informacion, mbi ndodhitë, problemet dhe fenomenet anë e mbanë botës, ato janë prodhim i procesit të globalizmit. Në çdo vend demokratik, mediat i shërbejnë publikut, e sidomos ato mediat publike, dhe kur jemi tek fushata paraelektorale ato kanë një përgjegjësi jashtëzakonisht të lartë, por edhe një ndikim, një kredibilitet më faktin që ato janë i vetmi element pragmatik i cili ofron projeksionet e partive politike pranë qytetarit.

Hermetizmi mediatik?

Edhe pse mediat luajnë rol me rëndësi gjatë fushatës paraelektorale, ato njëherësh janë mekanizëm dhe njëra ndër shtyllat fundamentale të vetë sistemit demokratik. Madje, një ndër teoristët e demokracisë bashkëkohore Giovanni Sartori, në librin e tij ,, Edhe një herë për teorinë e demokracisë ‘’ thekson se “zgjedhjet e lira pa opinion të lirë nuk thonë asgjë, andaj në këtë kontekst është e nevojshme që media të ketë lirinë e saj të shprehjes, emetimit, por edhe pasqyrimit real të gjendjes së krijuar.

Gjatë fushatës media kosovare, të themi kushtimisht mbi 90 % të mediave kanë qenë të hermetizuara, të mbyllura, në atë kuptim që presione të shumta dhe të vazhdueshme gjithnjë e më tepër kanë pasur nga partitë politike. Prandaj, se si kanë ndikuar këto forma vlen të hedhim një sy fushatës paraelektorale, ku kemi pasur rastin të shohim reklama të shumta të partive politike, gjë që janë në pajtim me vetë elementet fundamentale të sistemit demokratik, por jo ashtu siç janë shfaqur tek ne, sepse është parë qartë ndikimi i politikës në media.

Në këtë drejtim media ka qenë e ngujuar nga presioni i vazhdueshëm për emetimin e reklamave – spoteve publicitare të partive politike, të cilat kanë ndikuar negativisht në vetë psikologjinë e qytetarit, por njëkohësisht kjo mund të ketë edhe një ,,efekt boomerang’’ drejt daljes në zgjedhje të vetë qytetarit. Andaj, në botën demokratike, posaçërisht në perëndim i kushtohet rëndësi të veçantë transmetimit dhe emetimeve të këtyre spoteve, ku gjithashtu ato kanë një minutazh të caktuar në pajtim me rregullat e parapara.

Depersonalizimi i votuesit nga pakujdesitë e partive politike?

Duke parë shumë pakujdesi që janë zhvilluar nga partitë politike gjatë fushatës paraelektorale, shumë votues janë depersonalizuar nga ajo, dhe kanë krijuar një bindje tjetër. Ata, tani më mund të kenë qëndrim neutral në zgjedhje me faktin se, nëse i analizojmë vetëm ca sekuenca gjatë fushatës së partive politike, shohim që të gjitha partitë politike, premtojnë shumë, japin premtime të mbështjella me një kameleon fantastik. Ndërsa, asnjëra nga to nuk ka një program se si do të krijojë mekanizma për luftimin e aferave korruptive, si do të krijojë projekte, plane konkrete për infrastrukturën, ujin e pijshëm, kanalizimin, shërbimet tjera publike etj.

Pra, këtu shihet qartë që në esencë secilës parti pothuajse i mungon qasja psikologjike dhe organizimi social i cili do të ofronte qytetarit një projeksion mbi atë ,, se në premtojmë dhe atë e realizojmë ‘’. Kësaj çështje në vendet tjera i kushtohet tepër rëndësi, dhe gjatë ballafaqimit të kandidatëve për poste zyrtare secili shpalos programet – projektet e tij, shkurt, dhe në mënyrë të qartë.

Një rast i tillë që vlen të ceket është rasti me Danimarkën, gjatë ballafaqimit të kandidatëve ku secili shpaloste plan – programet e tij, shkurt, dhe atë në disa pika, andaj partia në pushtet në atë kohë (kemi fjalën për zgjedhjet e fundit), kishte shpalosur plan – programin e saj në disa pika: ekonomi, shëndetësi, migrim etj, ku edhe arriti të fitojë mandatin e zgjedhjeve. Tek ne, shohim që kësaj pike nuk iu kushtohet rëndësi, andaj nga kjo mund të rrjedhë se votuesi mund të ketë një qëndrim negativ, eventualisht neutral nëse nuk iu ofrohet një plan konkret apo strategji nga një parti politike e caktuar.

Së dyti, duke vëzhguar për së afërmi muajin e fushatës, transmetimet e spoteve të partive politike në televizionet tona nacionale, kemi parë të nevojshme që të pasqyrojmë si element të dytë edhe ,,varfërinë cilësore ‘’ të spoteve politike. Gjatë transmetimit kemi parë që shumica e partive politike nuk kanë një spot të mirëfilltë të cilën do të duhej të kishte një parti politike ashtu siç i ka hije.

Andaj, pasi që Kosova ka një popullsi mbi 40 % në varfëri, dhe një pjesë bukur e madhe janë të papunë, socializimin më të madh dhe akomodimin social, ata e gjejnë pranë mediave, e sidomos atyre elektronike, ku syri i qytetarit në momentin kur sheh sfondin e errët të spoteve – reklamave televizive, ngjyrosjen e estetikës së këtyre reklamave, pastaj mënyrën e dhënies së mesazhit të kanditatëve, në mënyrë automatike kjo ndikon në vetë psikologjinë e votuesit, sepse ai (votuesi) dëshiron të shoh një reklamë e cila ngjallë ndjenjën për votim, e motivon atë për të votuar, por edhe krijon një bindje që të paktën 50 % të premtimeve do t’i përmbushë.

Një rast i tillë kishte ngjallur me ish – presidentin e SHBA-ve Nickson-in i cili gjatë fjalimeve të tij për kanditim të mandatit tjetër, vetëm se kishte bërë shumë me gjeste, në këtë rast kishte drejtuar gishtin masës, mediat e kishin asociuar me portretet e diktatorëve, ku edhe u eliminua nga gara presidenciale. Prandaj, këtu tek ne as që flitet për gjëra të tilla, sepse në parim mungon qasja e një ekspertize dhe përvoje të duhur politike.

Si përfundim, mund të theksojmë se fushata paraelektorale ka pasur rëniet dhe ngritjet e saj, shpesh ka dalë nga rregullat e parapara, e sidomos me fyerjet ndërmjet partive politike, përkatësisht kandidatëve për kryetar komune, por edhe media ka qenë pre e presioneve të ndryshme, për emetimin e reklamave jashtë rregullores së saj.

Në këtë drejtim votuesi kosovar duhet të zgjedhë mirë dhe me mend se këtë do të voton. Le të voton më të mirin, sepse në fund të fundit ata që vijnë në pushtet duhet t’u shërbejnë qytetarëve, atyre votuesve të cilët kanë dalë dhe nuk kanë dalë në zgjedhje.

(Autori ka master në Sociologji)