LAJMI I FUNDIT:

Ftesa e Daçiqit për ndarjen e Kosovës

Ftesa e Daçiqit për ndarjen e Kosovës

Nehat Hyseni

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, është duke kërkuar partnerë për realizimin e idesë së kamotshme serbe për ndarjen e Kosovës midis Serbisë dhe Shqipërisë, duke mos e pranuar fare Kosovën si shtet të pavarur.


Në këtë drejtim, ai kohë më parë sikur kishte “gjetur” partnerin shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafën, dhe partinë e tij politike – PDSH.

Kështu, para dy-tre vitesh, Mustafa na paraqitej "ashpër" me këtë "ide", e cila plasohej në të gjitha mediat serbe si "sensacion" dhe si "radikalizëm" në zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke u "bashkëngjitur me Kosovën".

Mustafa thirrej në Referendumin e vitit 1992, ku shqiptarët e Luginës ishin deklaruar për "autonomi politike e territoriale, me të drejtë bashkëngjitjeje Kosovës".

Natyrisht, asnjëherë Mustafa nuk sqaroi në opinion se sa territor nga 1250 kilometra katrorë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës pretendonte t’ia “bashkëngjiste” Kosovës, meqë ishte i kënaqur me atë se i kishte bindur votuesit e Preshevës që ta mbështesnin me votë, duke ia mundësuar qeverisjen në pushtetin lokal të Preshevës. Paçka se as nuk kishte marrë pëlqimin dhe bekimin paraprak të Kosovës dhe Shqipërisë, e as të bashkësisë ndërkombëtare.

Ndërkaq, meqë ky “partneritet” nuk dha rezultatet e pritura, meqë nuk u mbështet nga shumica e shqiptarëve të Luginës, Daçiqi këtë ide nuk kishte mundur t’ia kumtojë as ish Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha.

Prandaj, ai tani ia ka paraqitur publikisht këtë ide Kryeministrit aktual të Shqipërisë, Edi Rama, duke e ftuar në Beograd që t’i qasen ndarjes së Kosovës, sikur të ishte një "tortë".

Me siguri se Daçiqi nuk e ka bërë rastësisht këtë "ftesë" ndaj Ramës për ndarje. Sepse, asgjë në politikën serbe nuk ndodhë rastësisht dhe pa u studiuar mirë e mirë. Përkundrazi, ideja për ndarjen e Kosovës buron nga Memorandumi i Akademisë serbe të viteve ‘80-ta të shekullit XX, e që bazohej në “Naçertanien” e Ilija Garashaninit të një shekulli më parë, për ekspanzionin nacionalist serb në Ballkan.

Se si do të reagojë Rama, është e qartë. Natyrisht se do ta refuzojë, meqë Gjermania dhe zonja e hekurt Angela Merkel është kundër. Por, se a janë marrë vesh diçka midis veti, “privatisht”, këtë nuk mund ta dimë.

Natyrisht, bindja jonë është se ndarja e Kosovës dhe zhbërja e saj si shtet i pavarur dhe sovran i pranuar nga mbi 105 shtete botërore, si dhe copëtimi i saj midis Shqipërisë dhe Serbisë, nuk është zgjidhje e duhur dhe nuk i sjellë asgjë të mirë as shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Kosovës dhe as popullit të Shqipërisë.

E vetmja zgjidhje e mirë dhe e pranueshme është forcimi i shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës, duke ushtruar sovranitetin dhe duke mbrojtur integritetin e vet territorial në kufijtë e saj administrativë e shtetërorë.