LAJMI I FUNDIT:

Franz Kafka, një mister letrar

Franz Kafka, një mister letrar

Shkruante në formë të veçantë, jo lehtë të kuptueshme. Lexuesit nuk ishin të gjithë të kënaqur me ambiguitetin e teksteve të tij. Por, pikërisht ky stil specifik garanton aktualitetin e tij të pandërprerë.

Nga: Kersten Knipp
Përktheu: Eliana Xhani


Ja ku shtrihet ai, njeriu i pafuqishëm. Kurrizi i fortë si një zhguall. Kur ngre kokën sheh barkun e tij të fryrë, të murrmë dhe këmbët e tij të holla, mjerane, i shfaqen para syve të pafuqishme. A është ky trupi i një njeriu? Jo. Është trupi i një insekti gjigant. Një buburreci të pështirë, i cili mbrëmjen e kaluar ishte ende njeri. “Shndërrimi” quhet historia e Franz Kafkës e vitit 1912, rrëfimi ndoshta më i famshëm i tij. Një tekst i frikshëm, shqetësues, për cenueshmërinë e njeriut, pozitën e tij të pasigurt në botë, që brenda një nate mund ta kthejë në pozicion jashtë loje në shoqëri.

Por: përse e mbështjell Kafka historinë e tij me këtë tis misteri? A nuk mund të rrëfente edhe ndryshe? Në mënyrë “më realiste”, “më të besueshme”? Disa nga lexuesit e tij i ka trazuar ky karakter misterioz. Kështu p.sh. edhe njëfarë Dr. Siegfried Wolff, i cili e lexoi rrëfimin menjëherë pas publikimit, dhe iu drejtua autorit, Kafkës. “Shumë i nderuar zotëri”, i shkruante ai Kafkës, “ju më keni bërë të palumtur. Unë bleva ‘Shndërrimin’ tuaj dhe ia dhurova kushërirës sime. Por, ajo nuk arrin ta shpjegojë historinë. Kushërira ime ia dha mamasë së saj, por as ajo nuk diti ta shpjegojë… Vetëm Ju mund të më ndihmoni. Ju duhet ta bëni këtë pasi Ju jeni shkaktari i këtij shqetësimi. Pra Ju lutem më thoni se çfarë duhet të kuptojë kushërira ime nga ‘Shndërrimi’.”

Atdheu i Kafkës, Praga, rreth vitit 1893

Përse pra shkruan Kafka kaq errët, i vë personazhet e tij përballë situatash, të cilat në realitet nuk ekzistojnë, të paktën të marra fjalë për fjalë? Me këtë mënyrë të shkruari Kafka ia vështirësoi punën vetes, pasi ajo u bë pengesë që ai të pëlqehej si autor nga një publik i gjerë, gjatë kohës që jetonte. Për gjuhëtarin Thomas Anz pranë Universitetit të Marburgut, i cili ka shkruar një studim kompakt mbi veprën dhe jetën e Kafkës, nuk përjashtohet që shkrimtari me anë të ndërtimit misterioz të teksteve të tij, riprodhonte në mënyrë formale realitetin e jashtëm. Kjo vlen në mënyrë të veçantë për instancat shtetërore, të cilat i përshkruan në romane si “Procesi” apo në formë shumë më të fortë tek tregimi “Kolonia e ndëshkimit”.

Sipas Anzit mund të thuhet se Kafka në tekstet e tij ndodhitë enigmatike që ia atribuon institucioneve si p.sh. gjykatave apo personave të respektit, i praktikon nga ana e vet tek lexuesit, duke ua bërë të vështirë të merren me tekstet e tij. “Ai pra u prezantohet lexuesve po aq i vështirë sa burokracia personazheve të tij. Ndoshta prapa kësaj qëndron diçka e tillë si pretendimi i vetë Kafkës për pushtet.”

Pushteti i instancave – skenë nga filmi “Procesi” (1962), sipas romanit të Kafkës.

“Në tekstet e Kafkës”, thotë gjuhëtari Michael Braun, drejtor i shërbimit të letërsisë në fondacionin Kondrad Adenauer, “shprehet nervozizmi i kohës së tij përballë fenomenit të modernizimit. Rritja e qyteteve, mjetet e reja të transportit si hekurudha, e para së gjithash automobili, teknikat e reja të prodhimit dhe një aparat shtetëror në rritje – të gjitha këto ishin të reja dhe i trazonin njerëzit. Këtë trazim njerëzit e ndiejnë edhe sot. Për këtë arsye Kafka pranohet si profet, si dikush që i parapriu më 1900 realitetit të mesit të shekullit të kaluar e të mëvonshëm, si p.sh. njeriu i kontrolluar nga të gjitha anët apo njeriu i torturuar. Nga ‘Kolonia e ndëshkimit’ mund të kalosh direkt tek Guantanamo.”

Njeriu nuk është asgjë në botën moderne. Të paktën si person ai vlen pak. Në radhë të parë është e rëndësishme që e gjitha, pra shoqëria në përgjithësi të funksionojë. Ky besim gjeti shprehje ekstreme në lëvizjet totalitariste të shekullit XX: nacionalsocializmi dhe komunizmi. Por, edhe pse shtetet e organizuara në mënyrë demokratike e kanë zbutur disi këtë program të rreptë, p.sh. me programe sociale apo kanë zbutur mjaft sistemin e tyre juridik, ndjenja e pafuqisë së individit, e përshkruar nga Kafka, vazhdon të ekzistojë ende sot. Në mënyrë paradoksale, edhe shoqëritë në të cilat njerëzit gëzojnë liri të mëdha, mbartin një lloj tmerri. Fenomeni me të cilin është marrë vazhdimisht Kafka, i trazon njerëzit ende sot. Autoritetet pjesërisht shihen si kërcënuese, e pjesërisht vihen në lojë. E gjitha kjo shkakton mungesë orientimi. Këto janë përvoja të modernes, që vazhdojnë deri sot dhe të cilat një autor si Kafka i ka paraqitur në mënyrë të shkëlqyer dhe ekzemplare.

Manuskripti origjinal i “Procesit” të Kafkës në arkivin e letërsisë “Marbach”

Për kuptimet e shumëfishta që vezullojnë në tekstet e Kafkës, ka edhe një arsye tjetër, shpjegon Michael Braun. Ajo gjendet në identitetin kompleks të Kafkës i cili është gjithashtu një fenomen i modernes. “Kafka ishte hebre, Kafka ishte avokat, Kafka ishte shkrimtar. Kafka vinte nga Praga, ai ishte çek dhe gjerman. Dhe të gjesh në këtë kompleksitet identitetesh të ndryshme atë Kafkë që flet me fjalë të qarta, do të mbetet me sa duket gjithnjë problem.”

Megjithatë, shton Braun, pikërisht ky problem i bën tërheqëse tekstet e Kafkës: “Nëse ky problem nuk do të ekzistonte, çfarë do të na shtynte të lexonim Kafkën?”

Në trend Kultura

Më shumë
Nastradin Hoxha në kujtimet e Nasho Jorgaqit

Nastradin Hoxha në kujtimet e Nasho Jorgaqit

Kulture
NËNA IME

NËNA IME

Fjala+
O GRUA

O GRUA

Poezi
Për Faik Konicën e njohur dhe të panjohur

Për Faik Konicën e njohur dhe të panjohur

Analiza
Surrealizmi

Surrealizmi

Kulture
Grave

Grave

Fjala+
Kalo në kategori