LAJMI I FUNDIT:

Fluturojnë çmimet e ushqimeve, rriten për 14 përqind

Fluturojnë çmimet e ushqimeve, rriten për 14 përqind

Inflacioni në vendin tonë dhe çmimet e artikujve bazë ushqimorë përgjatë një viti janë rritur për 14 përqind, si pasojë e trendeve negative në ekonominë botërore si rritja e çmimeve të naftës, rritja e çmimeve të ushqimeve në të gjithë botën etj.

“Shkalla e inflacionit e matur nga muaji qershor 2008 me qershor 2007 ishte14,0%.Po ashtu edhe çmimet e konsumit në Kosovë u ngritën me një mesatare për 14,0 % gjatë kësaj periudhe kohore”, thuhet në raportin e rregullt mujor të Entit të Statistikave të Kosovës.

Sipas ESK-së kjo kryesisht shpjegohet për shkak të rritjes së çmimeve te buka dhe drithërat për 59,7 %, vajërave dhe yndyrnave për 67,3%, qumështi,djathi dhe vezët 21,0%, pemët 34,2%, transporti personal 19,3%, mishi 11,0% etj.

Ndërsa sipas këtij raporti, krahasuar me muajin maj kemi një rënje të lehtë të indeksit të çmimeve prej 0,3 përqind, kryesisht për shkak të uljes së çmimeve të perimeve, e cila vjen për shkak të daljes në treg të prodhimeve vendor.


Kohëve të fundit ka pasur protesta në shumë pjesë të botës për shkak të rritjes së çmimeve të artikujve ushqimore.

Vetë Banka Botërore përmes një raporti ka theksuar se që nga viti 2002 këto çmime janë rritur për 75 për qind si pasojë e orjentimit drejt prodhimeve të bio- karburanteve, me qëllim zvogëlimin e varësisë nga nafta. /Telegrafi/